Ne muajin që sapo lamë pas pothuajse çdo ditë një person ka humbur jetën nga aksidentet rrugore.
Top Channel mëson referuar statistikave të policisë së shtetit se gjatë muajit maj janë shënuar 145 aksidente në të cilat kanë humbur jetën 20 persona. Në shumicën e këtyre aksidenteve shkak kanë qenë shkelje të rënda të kodit rrugor.
Ndër shkeljet më të rrezikshme si për drejtuesit e mjeteve ashtu edhe për përdoruesit e tjerë të rrugës është shpejtësia tej normave të lejuara ku vetëm këtë maj janë evidentuar 180 raste ku policia u ka hequr lejet e drejtimit shkelësve nga të cilët 140 kanë përfunduar edhe në pranga pasi përtveç shpejtësisë janë konstatuar edhe nën efektin e alkoolit.
Vetëm gjatë muajit maj blutë kanë vendosur rreth 12 mijë gjoba për tejkalim shpejtësie si edhe u janë ulur 6- 12 pikë nga patentat.
Por pavarësisht kësaj panorame krahasuar me një vit më parë numri i aksidenteve ka rënë. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në 4 muajt e parë të vitit 2025, aksidentet rrugore kanë rënë me 17%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më pare , ku rezulton të jenë shënuar 87 aksidente më pak.
Në 88% të rasteve, shkaku kryesor i aksidenteve rezulton të jetë sjellja e drejtuesit të mjetit, çka tregon nevojën për respektim më të madh të rregullave të qarkullimit dhe një kulturë më të lartë rrugore, që dukshëm mungon.