Dasma gjirokastrite siç thuhet edhe në studimet etnografike është një spektakël i pasur që shtrihet në kohë dhe hapësirë.
Një e tillë u realizua në qytetin e UNESCO me të gjithë elementët dhe ritet që e bëjnë atë unike. Për organizatorët ky event synon mbajtjen gjallë të kësaj pjese të çmuar të identitetit tonë kombëtar por edhe prezantimin e tij tek turistët e shumtë që e vizitojnë Gjirokastrën.
“Ka për qëllim që këto rite të rijetohen të plota dhe natyrisht ti shërbejnë rritjes të vazhdueshme të numrit të turistëve që vizitojnë Gjirokastrën”, u shpreh organizatori, Engjëll Serjani.
Ky event bëri bashkë artistë popullorë të Gjirokastrës e Libohovës që i dhanë gjallëri këtij spektakli.
“Gjirokastra ka shumë zakone të bukura dhe shumë rite, dhe menduam që ti vinim në dukje”, u shpreh Mjeshtri i Polifonisë, Roland Cenko.
Riti i hollimit të bakllavave, dita e vetullave, nata e brumit, riti i kënasë, dita e nuses, riti i berberit, veshja e dhëndrit, janë disa prej zakoneve më të njohura e të përdorura në dasmën gjirokastrite, por që nga viti në vit po zhduken.