Botimet M&B prezantuan më 9 qershor 2025 librin e ri me poezi të autorit Alban Bala “Puthlutja Ime” – një botim monotematik me poezi dashurie. Veprimtaria u zhvillua në mjediset e Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, ku shumë miq të poezisë dhe librit, jo vetëm na gëzuan me praninë e tyre, por edhe u përfshinë në diskutime me autorin.
Botuesja e librit Miranda Goleci tha në fillim të prezantimit se “është kënaqësi të jemi bashkë sonte, në një mbrëmje ku fjala bëhet ndjenjë dhe poezia merr frymë mes nesh. Jemi këtu për të folur, për të dëgjuar e për të ndjerë poezinë e Alban Balës – për ta përqafuar “Puthlutjen e tij”, që në të vërtetë është një ftesë për të zbuluar puthlutjet tona të brendshme.
“Në këto 25 vite botimesh, theksoi ajo, marrëdhënia me çdo autor ka qenë e ndryshme. Ka autorë që mezi pret të mbarosh së botuari, por ka edhe autorë si Alban Bala, me të cilët krijon një marrëdhënie krejt tjetër. Ti nuk e ke njohur, por ai ta bën aq të lehtë, sikur e ke njohur prej kohësh. Ai ta bën lehtë – sepse është nga ata njerëz që çdo gjë që bën, e bën me dashuri. Ai do gjithkënd, të përfshin, të bën vend në botën e tij. Por njëkohësisht, ta bën edhe të vështirë – sepse përballë ke një njeri të gjithëdijshëm, thuajse një enciklopedi më vete, dhe ti duhet të jesh i përgatitur për t’i qëndruar përballë. Por në fund të fundit, gjithçka kthehet në poezi – dhe poezia e tij është tepër e bukur”.
Vëllimi poetik “Puthlutja ime”, sipas autorit, vjen përmes një neologjizmi që përbashkon dashurinë për njeriun dhe Zotin në një fole’ të vetme njerëzore.
“Çdo libër është një pasqyrë. Historitë tona njerëzore shfaqin përmes tyre fizionominë e asaj kohe, e cila niset për t’u bërë kujtesa e të gjithëve edhe pse ka qenë thjesht jeta e një ose dy njerëzve – krejt të padukshëm në këtë kozmos të zhurmshëm njerëzor”, theksoi autori.
Poeti Alban Bala e veçoi dy detaje nga poezitë e këtij vëllimi:
“E para është vërtetësia. Në mënyrë që të flasë në gjuhën e saj universale, poezia ka nevojë që të ngrihet në shkallën më të lartë të së vërtetës, të përqafojë nivelin më sublim të sinqeritetit, të zhvishet nga çdo mburojë dhe të pranojë çdo shigjetë drite, syri, gjykimi. Fuqia e poezisë është gatishmëria e saj për të marrë çdo plagë, në emër të së vërtetës pa kushte.
Së dyti, është natyrshmëria. Poezia e vërtetë është ajo që nuk vjen si poezi, por si mënyrë të jetuari. Shumë prej këtyre vargjeve janë në themel biseda njerëzore, janë çaste personale, shkëmbime të pandërprera idesh dhe gjendjesh, janë përshëndetje të mëngjesit dhe mbrëmjes njerëzore më të natyrshme që ekziston.
Unë kam pasur fatin ta jetoj këtë libër. Në të është bashkuar Lutja ime (rruga drejt Zotit) dhe Puthja ime (rruga drejt njeriut). Edhe titulli i këtij libri është një dhuratë që e mora ndërsa ecja në këtë rrugë, një neologjizëm besnik i të jetuarit me zemër të dorëzuar”.
Puthlutja ime është libri i 13-ti që autori sjell në mjedisin letrar shqiptar.
Agim Baçi – kritik letrar, solli një panoramë letrare të këtij vëllimi poetik, duke pasqyruar edhe të veçantat e poezisë së Balës si dhe marrëdhëniet e tij me poezinë dhe lexuesin.
Alfon Zeneli – poet dhe gazetar dhe pjesëmarrës të tjerë u shprehen në event mbi librin duke nënvizuar risitë e një poezie që sjell një metaforë të një dimensioni tjetër.
Pjesëmarrës në këtë veprimtari i dhanë fryme debatit mbi poezitë e këtij vëllimi, si dhe zgjodhën të lexojnë disa prej tyre, duke e kthyer atmosferën e këtij prezantimi në një festë poetike.
* * *
Alban Bala ka lindur në Lezhë. Libri i tij i parë me poezi “Semafor” u botua në vjeshtën e vitit 1989. Pas kthimit nga emigracioni në vitin 1993, vijuan një numër botimesh si “Lermë të hesht” në poezi, novela dhe tregime – “Vullkane të Përgjumur”, “Çmendina” dhe “Të verbërit”.
Pas viteve 2000 ai botoi në prozë 4 novela me “Ikje nga Shtrati”, dhe tregime të zgjedhura “Qyteti me Sy të Kuq” dhe romanin “I Dështuari” në vitin 2017.
Megjithatë, poezia mbeti dashuria e jetës së tij.
Në 2006 ai botoi “Ngjyra mbi det”, “Dashuria e Burrit” në vitin 2013, “Orët e Shtëpisë” në vitin 2023 dhe tani “Puthlutja ime”.
Bala është përkthyer edhe në turqisht, ndërsa është botuar në Itali – në shtypin letrar.
* * *
Në fund duam të ndajmë me lexuesit tanë kënaqësinë e kafeve të mëngjesit me autorin, ku gjithashtu nënshkruajmë librat me autografe për porositë që marrim çdo ditë. Nëse nuk e ke marrë akoma kopjen tënde, mund të shkruash email në <[email protected]> ose nr. cell/whatsapp. + 35686508441.
Gjithashtu, mund ta porosisni onlinë edhë përmes Shtepia e Librit në linkun më poshtë:
Për kujtesë: posta brenda vendit është falas
* * *
Të dhënat e botimit:
Titulli: Puthlutja ime
Autori: Alban Bala
Poezi
ISBN 978-9928-820-96-9
Shtepia Botuese: Botimet M&B
Kopertina & grafika: Arben Bejko
Fotoja e kopertinës: Anila Zhugri
Format: A5
Numri i faqeve: 268
Numri i poezive: 199
Libri vjen me kopertinë normale (1000 lekë) dhe speciale (1300 lekë)




