Një konflikt brenda familjes ka ndodhur ditën e sotme në Tiranë, teksa një 61-vjeçar është arrestuar.
Sipas policisë, 61-vjeçari ka qëlluar me automatik në ajër për të kërcënuar vëllain e tij. Ngjarja mes vëllezërve ka ndodhur në Paskuqan dhe dyshohet se shkak është bërë dhuna që i vëllai ka ushtruar ndaj mbesës.
Ndërkohë në pranga ra edhe 63-vjeçari, pas dhunës së ushtruar ndaj vajzës së vëllait të tij. Blutë gjetën armën gjatë kontrolleve në banesë të fshehur nën dysheme.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/ Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë, parandaloi përshkallëzimin e një konflikti me armë zjarri, në një familje në Paskuqan. Qëlloi me armë zjarri automatik në ajër, për të kanosur vëllain e tij, arrestohet 61-vjeçari (shtetas me precedent). Në pranga dhe vëllai, pasi dhunoi vajzën e 61-vjeçarit.
Gjenden në banesën e 61-vjeçarit dhe sekuestrohen arma e zjarrit kallashnikov, municion luftarak dhe 1 mjet prerës (sëpatë).
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, sapo janë njoftuar për një konflikt mes 2 vëllezërve në Paskuqan, kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në vendngjarje, për të nxjerrë autorët para përgjegjësisë penale dhe për të sqaruar rrethanat e rastit.
Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme, shërbimet e Policisë kanë neutralizuar të dy shtetasit e përfshirë në konflikt, konkretisht M. M., 61 vjeç (me precedent për kundërshtim të punonjësit të Policisë) dhe A. M., 63 vjeç, vëllezër, të cilët në përfundim të veprimeve procedurale u arrestuan në flagrancë.
Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se shtetasi M. M. qëlloi me armë zjarri kallashnikov, në ajër, për të kanosur shtetasin A. M., i cili i kishte dhunuar vajzën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.