HomeAktualitetDetyronin vajzat të kryenin marrëdhënie me investitorë, drejtuesit e një kompani të...

Detyronin vajzat të kryenin marrëdhënie me investitorë, drejtuesit e një kompani të “meditimit seksual” shpallen fajtore në gjyqin për punë të detyruar

spot_imgspot_img

Udhëheqëset e një kompanie amerikane për mirëqenie të grave, e fokusuar te seksi dhe e njohur për promovimin e “meditimit seksual”, janë shpallur fajtore për akuza federale për punë të detyruar.

Një juri në Brooklyn të hënën shpalli fajtore Nicole Daedone, themeluese e OneTaste Inc., dhe Rachel Cherwitz, ish-drejtore e shitjeve në këtë kompani me bazë në Kaliforni, pas më pak se dy ditësh diskutimi në përfundim të një gjyqi pesë-javor. Të dyja përballen me dënime deri në 20 vjet burg dhe seanca e dënimit pritet më vonë.

Prokurorët argumentuan se të dyja gratë kishin drejtuar një skemë shumëvjeçare në të cilën manipuluan ndjekësit – shumë prej tyre viktima të traumave seksuale – për të bërë atë që ato urdhëronin.

Sipas prokurorëve, Daedone, 57 vjeç, dhe Cherwitz, 44 vjeç, përdorën abuzim ekonomik, seksual dhe psikologjik, frikësim dhe indoktrinim për të detyruar anëtarët e OneTaste të kryenin veprime seksuale që i konsideronin të pakëndshme ose të neveritshme, si për shembull marrëdhënie seksuale me investitorë ose klientë të mundshëm.

Të dyja u thoshin ndjekësve se këto veprime ishin të nevojshme për të arritur “liri” dhe “ndriçim” dhe për të treguar përkushtimin ndaj parimeve të organizatës.

Prokurorët thanë gjithashtu se udhëheqësit e OneTaste nuk ua paguanin fitimet e premtuara anëtarëve që u shndërruan në punëtorë dhe madje i detyronin disa prej tyre të hapnin karta të reja krediti për të vazhduar ndjekjen e kurseve të kompanisë.

Prokurorja amerikane Nina Gupta tha në deklaratën përmbyllëse javën e kaluar se të pandehurat “ndërtuan një biznes mbi shpinën” e viktimave që “u dhanë gjithçka”, përfshirë “paratë, kohën, trupin, dinjitetin dhe në fund mendjen e tyre.”
“Vendimi i jurisë i ka zbuluar Daedone dhe Cherwitz për çfarë janë në të vërtetë: mashtruese që shfrytëzuan viktima të pambrojtura duke u premtuar fuqizim seksual e mirëqenie, vetëm për t’i manipuluar që të punonin e të ofronin shërbime për përfitimin e tyre,” tha Joseph Nocella, Prokurori Amerikan për Qarkun Lindor të Nju Jorkut.

Ekipi i mbrojtjes së Daedone e paraqiti atë si një “sipërmarrëse feministe që theu barriera” dhe që krijoi një biznes unik rreth seksualitetit dhe fuqizimit të grave.

Avokatja e Cherwitz, Celia Cohen, argumentoi se dëshmitarët që dhanë dëshmi nuk ishin detyruar të bënin asgjë. Kur nuk u pëlqente më organizata apo donin të provonin gjëra të tjera, ajo tha, thjesht largoheshin.

“Pavarësisht se çfarë mendoni për OneTaste dhe atë që ata bënin, ato vetë e zgjodhën. E dinin për çfarë bëhej fjalë,” tha ajo në deklaratën përmbyllëse. “Fakti që pendohen për veprimet që bënë kur ishin më të reja nuk është provë për një krim.”

Avokatët e të pandehurave thanë se klientet e tyre mbajnë qëndrimin e pafajësisë dhe do të apelojnë.
“Jemi thellësisht të zhgënjyer me vendimin e sotëm,” thanë ata në një deklaratë të hënën. “Ky rast ngre çështje të shumta ligjore të reja dhe komplekse që do të kërkojnë shqyrtim nga Gjykata e Apelit të Qarkut të Dytë.”

Çfarë ishte OneTaste?

Daedone e bashkëthemeloi OneTaste në San Francisko në vitin 2004 si një lloj komune vetëndihme që e shihte orgazmën femërore si çelës për mirëqenie seksuale, psikologjike dhe lidhje ndërpersonale.
Qendra e filozofisë së saj ishte “meditimi seksual”, që konsistonte në stimulim manual të grave nga burrat në një mjedis grupor.

Kompania pati mbulim pozitiv nga mediat gjatë viteve 2010 dhe hapi shpejt degë nga Los Anxhelesi deri në Londër. E përshkruar si një ndërmarrje e avancuar që theksonte kënaqësinë seksuale të grave, ajo gjeneronte të ardhura përmes kurseve, mentorimeve, dhe shërbimeve të tjera seksuale me pagesë.

Daedone shiti pjesën e saj në kompani në vitin 2017 për 12 milionë dollarë – një vit përpara se praktikat e marketingut dhe punës së OneTaste të viheshin në shënjestër të hetimeve.

Pronaret aktualë të kompanisë, që tani është riemërtuar si Institute of OM Foundation, kanë thënë se puna e saj është keqinterpretuar dhe se akuzat ndaj ish-drejtuesve janë të pajustifikuara.

Ata këmbëngulin se pëlqimi seksual ka qenë gjithmonë një shtyllë e organizatës. Kompania nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment përmes emaili.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular