HomeKultureInteligjenca rrjedh nga libri/Nga Ada Bardhyli

Inteligjenca rrjedh nga libri/Nga Ada Bardhyli

spot_imgspot_img

NGA ALDA BARDHYLI 

“Inteligjenca rrjedh nga libri”, tema e zgjedhur për edicionin e 25-të të Panairit të Librit në Prishtinë është më shumë se një shprehje. Ajo është një e vërtetë themelore që na kujton se, para se të flisnim për inteligjencë artificiale, për teknologji, për algoritme apo makina që mësojnë njeriun, njeriu vetë mësoi të mendojë thellë përmes librit.

Nëpërmjet librit, civilizimi ynë ka kaluar nga errësira në dritë. Nga miti te shkenca. Nga përvoja individuale te dijet kolektive. Nga fjala e thënë te fjala e shkruar dhe përjetësuar.

Libri është ai që nuk plaket, por rritet me lexuesit.

Është ai që nuk thërret, por të flet qartë, urtë. Nuk të imponohet, por të fton ta njohësh veten, botën dhe të tjerët.

Të gjithë ne e dimë: inteligjenca nuk është thjesht kapaciteti për të mbajtur mend të dhëna, por aftësia për të kuptuar, për të reflektuar, për të krijuar dhe për të ndërtuar ura mes ideve dhe njerëzve. Dhe nuk ka vend më të mirë për të kultivuar këto aftësi se sa libri.

Në një kohë kur informacioni është kudo, por e vërteta shpesh është e mjegulluar, libri mbetet busulla që na ndihmon të gjejmë drejtimin e duhur në rrugën tonë intelektuale dhe shpirtërore.

Panairi i këtij viti është dëshmi se, edhe pas një çerek shekulli, interesi për librin nuk ka mbaruar – përkundrazi, ai po rilind me forma të reja, me autorë të rinj, me lexues gjithnjë më të etur për dije.

Ta shfrytëzojmë këtë ngjarje për të thelluar dialogun tonë kulturor, për të forcuar lidhjen mes brezave nëpërmjet librave dhe për të krijuar ura mes kulturave përmes fjalës së shkruar.

Nëse vërtet besojmë se e ardhmja ndërtohet mbi dije dhe mendim të lirë, atëherë sot e kemi një mision të përbashkët: ta mbrojmë librin, ta promovojmë leximin dhe ta shndërrojmë çdo shtëpi, shkollë, bibliotekë e shesh publik në hapësirë të dijes dhe mendimit.

Libri është një mjet i ruajtjes dhe përhapjes së dijes, përvojave dhe historive, i përbërë nga faqe të shkruara nga autori dhe të shtypura, të lidhura së bashku, në tirazhe të gatshme për komunikim.

Në kuptimin shpirtëror dhe kulturor, libri është një burim i dijes, udhërrëfyes mendor, dhe një mjet për të kuptuar botën dhe vetveten.

Ky Panair vjen jo vetëm si një ngjarje e rëndësishme letrare, por edhe si një moment reflektimi dhe nderimi për figurat që kanë ndriçuar historinë, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar. Këtë vit, me respekt dhe mirënjohje, përkujtojmë katër përvjetorë të mëdhenj, të katër të rrënjosur thellë në kujtesën tonë kombëtare dhe në themelin e letërsisë shqipe.

100-VJETORI I LINDJES SË MARTIN CAMAJT

Martin Camaj është një ndër figurat më të mëdha të letërsisë shqipe në diasporë. Poet, gjuhëtar dhe studiues, ai ndërtoi një urë të fuqishme midis traditës dhe modernitetit, midis gjuhës së lashtë shqipe dhe metodologjive më të avancuara perëndimore.

Në përvjetorin e 100-të të lindjes së tij, ne nderojmë një krijues që, edhe në mërgim, nuk e harroi kurrë tokën e vet. Ai e deshi shqipen si një pasuri të rrallë shpirtërore dhe i dha asaj forma të reja, duke u bërë një zë unik në poezinë shqipe bashkëkohore. Vepra e tij nuk është thjesht letërsi – është dëshmi e një kulture që mbijeton edhe larg tokës amë.

150-VJETORI I LINDJES SË FAIK KONICËS

Faik Konica është një ndër figurat më të ndritura të mendimit shqiptar, një vizionar që me penë, kritikë dhe stil të pakrahasueshëm ndikoi thellë në formësimin e vetëdijes sonë kombëtare. Ai ishte jo vetëm estet i gjuhës dhe letërsisë, por edhe mbrojtës i palodhur i çështjes shqiptare në skenën ndërkombëtare.

Në 150-vjetorin e lindjes së tij, përulemi para një intelektuali që me revistën “Albania” bëri të mundur që bota të dëgjonte zërin e shqiptarëve. Stili i tij mbetet edhe sot një model i elegancës intelektuale dhe i sarkazmës së goditur. Faik Konica nuk ishte thjesht një shkrimtar – ai ishte një vetëdije.

200-VJETORI I LINDJES SË PASHKO VASËS

Kur themi Pashko Vasa, kujtojmë menjëherë vargjet që i dhanë zemrës shqiptare një thirrje të përjetshme: “Mos shikoni kisha e xhamia, feja e shqiptarit është shqiptaria!”

Në 200-vjetorin e lindjes së tij, kujtojmë një figurë që e vendosi atdhedashurinë mbi çdo ndasi. Pashko Vasa ishte politikan, shkrimtar, rilindës, një zë i fuqishëm i bashkimit kombëtar në një kohë të përçarjeve të mëdha. Me veprën e tij ai dha mesazhe që nuk kanë humbur asgjë nga aktualiteti. Ai na mësoi se kombi është mbi gjithçka, dhe se fjala mund të jetë armë bashkimi e jo ndarjeje.

400-VJETORI I LINDJES SË PJETËR BOGDANIT

Me nderim të thellë kujtojmë një nga figurat themelore të letërsisë dhe kulturës shqiptare – Pjetër Bogdanin, autorin e veprës së parë të rëndësishme në gjuhën shqipe: “Çeta e profetëve”.

Në 400-vjetorin e lindjes së tij, përulemi para një mendimtari që në një kohë të vështirë, guxoi të shkruante në gjuhën e popullit të tij, duke e ngritur shqipen në nivel të barabartë me gjuhët e mëdha evropiane. Ai ishte një vizionar që pa te gjuha mjetin më të fuqishëm të ndërtimit të një kombi. Trashëgimia e Bogdanit nuk është vetëm historike – ajo është një dritë që ndriçon rrugën e çdo shkrimtari e studiuesi sot.

Ky panair nuk është vetëm një ekspozim librash – është një përulje përpara historisë dhe përfaqësuesve më të ndritur të saj. Përmes këtyre katër figurave të pavdekshme, ne kuptojmë sa e pasur është trashëgimia jonë dhe sa e madhe është përgjegjësia jonë për ta ruajtur dhe zhvilluar atë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular