Khaby Lame, influencer-i italian-senegalez me mbi 160 milionë ndjekës në TikTok, u ndalua nga autoritetet amerikane të emigracionit në Las Vegas dhe më pas u largua nga Shtetet e Bashkuara. Ngjarja vjen në kuadër të politikës së ashpër të administratës Trump ndaj emigracionit, e cila prej kohësh ka rritur kontrollet dhe deportimet.
Sipas njoftimit të agjencisë amerikane ICE, Lame hyri në SHBA më 30 prill dhe qëndroi në vend më gjatë se sa i lejonte viza e tij. Ai mori leje për largim vullnetar dhe u largua nga vendi. Pavarësisht famës së tij ndërkombëtare, Khaby nuk ka dhënë asnjë koment zyrtar për këtë ngjarje.
Largimi i tij u njoftua gjithashtu nga Bo Loudon, një adoleshent dhe aktivist pro-Trump, i cili në rrjetin social X (më parë Twitter) deklaroi se ai kishte marrë masa personale për të siguruar deportimin e Lames. Loudon e përshkroi Khaby-n si një “influencer shumë të majtë” dhe kritik ndaj Presidentit Trump, edhe pse nuk ka prova të qarta që Lame të ketë marrë një qëndrim të hapur politik.
Khaby Lame është bërë i njohur për videot e tij të thjeshta dhe pa fjalë në TikTok, ku reagon ndaj life-hacks të komplikuara duke treguar mënyra më të lehta për të kryer një detyrë. Kjo ka bërë që ai të fitojë popullaritet global, të lidhë partneritete me marka të mëdha, të shfaqet në filma dhe të ketë serialin e vet në platformën streaming Tubi me titullin “Khaby Is Coming To America,” që tregon udhëtimet e tij në SHBA.
Pavarësisht suksesit në rrjetet sociale, Khaby Lame ka kaluar kohë të vështira me statusin e tij ligjor në SHBA. Avokati i tij i mëparshëm, Riccardo Lanzo, ka thënë se ai kishte kaluar shumë kohë në vend, por nuk ishte e qartë nëse vizat e tij ishin rregulluar.
Ngjarja e ndalimit të Khaby-t vjen në një kohë kur administrata Trump ka intensifikuar masat kundër emigrantëve pa dokumente, duke përdorur edhe rastet e njohura publike si shembuj për të forcuar mesazhin e saj. Arrestimet dhe deportimet janë bërë më të shpeshta, duke përfshirë edhe figura të njohura të botës së internetit.
Ndërkohë, Khaby vazhdon aktivitetin në rrjetet sociale, duke postuar përmbajtje të reja, madje edhe nga Brazili ku është parë së fundmi në një histori në Instagram.