Policia austriake ka gjetur një letër lamtumire në banesën e 21-vjeçarit që vrau të paktën 10 persona në një shkollë në Graz, përpara se t’i jepte fund jetës së tij.
Sipas të përditshmes “Kleine Zeitung”, letra u gjet gjatë kontrollit në banesën e autorit, e cila ndodhet në zonën e Grazit. Megjithatë, autoritetet nuk kanë zbuluar përmbajtjen e saktë të saj.
Ministria e Punëve të Brendshme e Austrisë ka konfirmuar se letra është sekuestruar nga policia, por pa dhënë detaje të mëtejshme.
Ndërkohë, e përditshmja “Kronen Zeitung” raporton se në letër autori shkruante se ishte ndjerë i bulizuar, duke sugjeruar se ngacmimi mund të ketë qenë një ndër motivet e mundshme të këtij akti tragjik. Hetimet vazhdojnë ndërkohë që autoritetet përpiqen të zbardhin plotësisht rrethanat dhe motivet e ngjarjes së rëndë.