Lulzim Basha ka fituar sot përballjen gjyqësore me Kryeministrin Edi Rama, i cili e kishte paditur për cenim të nderit dhe personalitetit pas deklaratave publike të vitit 2018 mbi përfshirjen e zyrtarëve të lartë të Partisë Socialiste në aferat e dosjes “339”.
Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë rrëzoi padinë e Ramës, duke vlerësuar se deklaratat e Bashës përbënin një opinion politik të ligjshëm, të mbështetur në fakte të njohura publikisht, dhe të bërë në funksion të detyrës së tij si lider i opozitës.
Në qendër të deklaratave të kontestuara ishin akuzat për përfshirjen e Vangjush Dakos dhe strukturave të PS-së në bashkëpunim me grupe kriminale për blerje votash, akuza të ngritura nga Basha dhe të mbështetura më pas nga përgjime zyrtare të Prokurorisë, si dhe nga raportime të mediave ndërkombëtare si “BILD” dhe “Zëri i Amerikës”.
Në thelb, gjykata pranoi se Basha kishte të drejtë të denonconte publikisht ndërhyrjen e politikës në drejtësi dhe bashkëpunimin me krimin e organizuar, si pjesë e një debati politik me interes të lartë publik.

