Një ngjarje e rëndë ajrore ka tronditur sot Indinë, pasi një avion pasagjerësh i tipit Boeing 787-8 Dreamliner, me 242 persona në bord, ra nga lartësia vetëm pak sekonda pas ngritjes.
Sipas të dhënave paraprake, në bord ndodheshin 2 pilotë dhe 10 anëtarë të ekuipazhit, ndërsa 230 ishin pasagjerë, përfshirë 169 shtetas indianë, 53 britanikë, 1 kanadez dhe 7 portugezë.
Avioni ka lëshuar një sinjal emergjence menjëherë pas ngritjes, por më pas ka humbur çdo kontakt me qendrën e kontrollit.
Sipas Flight Radar, sinjali është ndërprerë kur mjeti fluturues ndodhej në një lartësi prej rreth 190 metra.
Raportohet se avioni është rrëzuar në një zonë të banuar pranë aeroportit, mbi një konvikt mjekësh, dhe ka shpërthyer në flakë.
Kompania Boeing ka reaguar zyrtarisht pas lajmit për rrëzimin e avionit të saj. Në një deklaratë të shkurtër për mediat, kompania amerikane thekson: “Jemi në dijeni të raportimeve fillestare dhe jemi duke punuar për të mbledhur më shumë informacion.”
Boeing nuk ka dhënë detaje të mëtejshme për shkaqet e mundshme të aksidentit apo për gjendjen e avionit para fluturimit. As autoritetet lokale ende nuk kanë dhënë një bilanc zyrtar mbi viktimat apo të mbijetuarit.
Hera e parë që një Boeing 787 rrëzohet në këtë mënyrë
Sipas BBC, ky aksident i Air India është hera e parë që një aeroplan Boeing 787 rrëzohet në këtë mënyrë.
Modeli u lançua 14 vjet më parë dhe vetëm gjashtë javë më parë, prodhuesi i aeroplanëve vlerësoi faktin se modeli, i njohur edhe si Dreamliner, ka arritur momentin e transportit të 1 miliard pasagjerëve.
Për të shënuar këtë rast, kompania tha se flota globale e avionëve 787 me më shumë se 1,175 aeroplanë ka kryer gati 5 milionë fluturime duke mbuluar më shumë se 30 milionë orë fluturimi.
Aksidenti është një goditje e madhe për kompaninë, e cila ka pasur vështirësi në kapërcimin e një sërë problemesh, përfshirë aksidente fatale, me programet e saj të 737.
Do të jetë një tjetër provë për CEO-n Kelly Ortberg, i cili është gati të shënojë përvjetorin e tij të parë në këtë detyrë.
Ai u soll për të ndihmuar prodhuesin amerikan të aeroplanëve të zgjidhte një sërë problemesh që po ngrinin pikëpyetje rreth të ardhmes së tij.