Ardian Ismajli do të ndryshojë skuadër gjatë verës pasi marrëveshja e tij me klubin e Empolit përfundon në mbylljen e muajit qershor, duke e bërë mbrojtësin e Kombëtares shqiptare një lojtar të lirë. Normalisht një situatë e tillë e futbollistit kuqezi ka zgjuar interesimin e shumë skuadrave të cilat janë të gatshme të lëvizin për të siguruar firmën e mbrojtësit që do të transferohej si lojtar i lirë.
Në ditët e fundit u përfol për një interesim të vazhdueshëm nga klubet turke, me Beshiktashin fillimisht e më pas me Trabzonsporin që kishin bërë hapa para duke kontaktuar me përfaqësues të futbollistit për firmën. Të dy klubet duan të kthehen në pretendentë për titull në Turqi dhe e shohin Ismajlin si një emër që mund t’i ndihmojë drejt këtij objektivi.
Por sot mediat italiane kanë shpjeguar se Ismajli mund të zgjedhë të qëndrojë në Itali, pasi një klub me shumë emër i ka bërë një ofertë konkrete. Qendërmbrojtësi ka marrë ofertë nga Lacio, që është gati t’i ofrojë atij një kontratë trevjeçare.
Palët raportohet se janë në bisedime por qëndrimi në elitën e futbollit italian me një rol protagonisti në një ekip të madh padyshim që tundon Ismajlin, i cili mund të zgjedhë pikërisht këtë alternativë të fundit si atë për vijimin e karrierës së tij.