Një ngjarje dramatike ka ndodhur në plazhin e Gravelines, rreth 24 kilometra nga Calais, ku një familje azilkërkuesish – një nënë, një baba dhe fëmijët e tyre – për pak sa nuk u mbytën teksa përpiqeshin të hipnin në një gomone me të cilën synonin të kalonin Kanalin drejt Britanisë së Madhe.
Familja, e cila besohet të jetë me origjinë nga Eritrea, u përball me rryma të forta detare dhe nuk arriti të kapë gomonen në kohë. Pasi dështuan, ata u kthyen në heshtje në breg, të lodhur dhe të lagur. Më vonë deklaruan se do të tentonin përsëri, duke rrezikuar sërish jetën për një vend në gomonen “taksi” që kushton deri në 1.200 paund për person.
Skandaloz ishte qëndrimi i forcave franceze të rendit. Dhjetë policë, të pajisur me helmeta, mburoja dhe gaz lotsjellës, ishin vetëm pak metra larg skenës. Ata e panë gjithçka me dylbi, por nuk ndërhynë.
Pyetur nga gazetari i “The Sun” pse nuk vepruan kur situata ishte qartazi e rrezikshme, njëri prej tyre u përgjigj: “Është e vështirë.”
Gomonia ishte lëshuar pak para orës 05:00 të mëngjesit, më në veri të bregut, dhe kishte ardhur për të mbledhur migrantët. Një turmë e madhe vrapoi nga dunat e rërës për të kapur udhëtimin e paligjshëm.
Policia franceze ka deklaruar më herët se është shumë e rrezikshme të ndërhysh kur gomonia është tashmë në ujë – por ky qëndrim lejon kontrabandistët të veprojnë të pandëshkuar, edhe kur janë para syve të autoriteteve.
Sipas “The Sun”, ndër migrantët që hipën me vështirësi në mjet kishte burra, gra dhe fëmijë, ndërsa një person dukej se mezi qëndronte mbi ujë, duke u kapur me dëshpërim për gomonen.
Ngjarja vë në dukje dështimin e politikave kufitare dhe ngre pyetje të forta për qëndrimin e forcave të rendit përballë tragjedive që ndodhin përditë në brigjet franceze.