HomeTe tjeraRastësia e shpëtoi bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë! Kur Stalini dënoi projektin...

Rastësia e shpëtoi bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë! Kur Stalini dënoi projektin e Federatës, Enveri i kërkoi Titos… Refuzimi që i bëri Nako Spiro

spot_imgspot_img

PROF. DR. ELMAS LECI/ Në misionin për të cilin ndodhej në Beograd Nako Spiro, në pranverën e vitit 1946, ishin dy marrëveshje të fshehta për t’u nënshkruar me Jugosllavinë, ajo për “Sigurinë dhe mbrojtjen e interesave jugosllave në Shqipëri” si dhe ajo për “Veprimet në rast rrezikimi të udhëheqjes Shqiptare si dhe mbrojtjen e saj me hedhjen e njësiteve jugosllave në Shqipëri”. Të dy këto marrëveshje, që, në fakt, ishin një e tërë, por me dy pjesë, që Nako Spiro “kërkoi” të mos i firmosë pa i parë Enver Hoxha, në fakt, zbulojnë plotësisht se cilat ishin synimet e vërteta të politikës jugosllave në raport me Shqipërinë. Ky refuzim i Nako Spirut, më pas nga Stalini u konsiderua edhe si “tentim i helmimit të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë”. Në fakt, dy marrëveshjet e mësipërme u nënshkruan nga vetë Enver Hoxha gjatë vizitës së tij në Beograd, ku ai siç lexojnë dokumentet dha edhe pëlqimin e plotë mbi propozimin e mendimin e vjetër dhe të ri të Titos për Federatën Ballkanike, ide që nuk ishte e panjohur për shumë njerëz me ide komuniste, që kishin dalë nga shkolla e Kominternit.

Me vizitën e parë në Beograd Enver Hoxha u dakordësua me Titon për krijimin e Federatës Ballkanike, që do të përfshinte Jugosllavinë (brenda saj edhe Shqipërinë), Bullgarinë dhe Greqinë. Ishte kjo një prej objektivave kryesore të politikës së jashtme të Jugosllavisë në periudhën e pasluftës, ku përmes saj Tito synonte të ishte në krye të Ballkanit. Në anën tjetër, kjo ishte edhe një karshillëk i Titos ndaj Stalinit, që më pas vetë Stalini e siluroi dhe e asgjësoi.

Që gjatë Luftës shkruajnë dokumentet, megjithëse Stalini ishte dakord që marrëdhëniet midis Moskës e Tiranës të realizoheshin nëpërmjet Beogradit, në forma të ndryshme ai nga nuhatja filloi të shfaqte edhe një farë interesimi për Shqipërinë. U shfaq ky “interesim” që në janarin e vitit 1944 kur Hebrangu jugosllav u takua me të. Stalini, jo vetëm ishte interesuar për Shqipërinë, por kishte dhënë porosi që angazhimet e përgjegjësitë që Jugosllavia kishte marrë përsipër për Shqipërinë, duhej t’i plotësonte. Fakti që Hebrangu e as ndonjë personalitet i lartë jugosllav nuk i kishte thënë asgjë Stalinit se në planet e veta, udhëheqja jugosllave kishte dhe përfshirjen e Shqipërisë në Federatën Jugosllave. Jo thjeshtë informacionet që merrte Stalini për planin e përfshirjes së Shqipërisë me Jugosllavinë e kishin bërë atë dyshues, por mënyra si vepronte Tito, mungesa e sinqeritetit dhe fshehja prej tij dhe udhëheqjes sovjetike e këtyre planeve. Nëse nga vizita e parë e Titos në Moskë më 1945-n për marrëdhëniet e tij me Stalinin shkruante Llavrentiev vërehej se “ata sikur kishin pakënaqësi ndaj njëri-tjetrit, por që secili përmbahej…”, ndërsa në prag të vizitës tjetër në Moskë, më 22 prill 1946, Tito e ftoi paraprakisht në një takim ambasadorin sovjetik dhe sipas materialit sekret të këtij të fundit, Tito i trajtoi disa probleme tepër të rëndësishme, që kishin të bënin kryesisht me Shqipërinë ku dilte ashiqare se sipas tij, në fund të fundit, Shqipëria duhej të përfshihej në përbërjen e Jugosllavisë…”. Pikërisht në kujtimet e tij edhe këto fakte ose i ka shtrembëruar Enver Hoxha ose i ka mohuar, siç ka mohuar po ai, vetë Enver Hoxha, që i kishte shkruar Titos më 17 mars të vitit 1948, ku urgjent i kërkonte Bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë.

Sipas biografit të Titos, Dedejer nga një bisedë të Titos po me ambasadorin sovjetik “ lidhur me planet e ndërtimit të Federatës Ballkanike, Tito, i cili deri në atë kohë kishte vepruar disi në fshehtësi, në atë takim ngriti dhe kërkoi me gjithë forcën e tij që ta përfshinte paraprakisht Shqipërinë brenda Jugosllavisë. Me këmbëngulje ai i theksoi ambasadorit sovjetik se “Vlora (Valona) në asnjë mënyrë nuk duhet t’i jepet Greqisë. Me të ne mund të eksportojmë dhe të importojmë të gjitha mallrat.”.141) Nga ana e tij ambasadori sovjetik, ndonëse e dëgjoi me vëmendje Titon, kuptoi se ai as që e llogariste shtet Shqipërinë, por vetëm njësi të bashkuar me Jugosllavinë”. Jemi në një periudhë që Moska e bazonte veprimtarinë e saj në Ballkan nëpërmjet Beogradit, por gjithnjë pa e lëshuar rolin e saj të arbitrit, pavarësisht se e konsideronte të panevojshëm kontaktin e drejtpërdrejtë me Partinë Komuniste Shqiptare dhe kështu kishte sanksionuar rolin e patronatin e Partisë Komuniste Jugosllave mbi atë shqiptare. Në Partinë Komuniste të Jugosllavisë, synimi për gllabërimin e Shqipërisë shpjegohej me atë që në Shqipëri, kushtet e brendshme politike ishin pjekur plotësisht për realizimin e Bashkimit me Jugosllavinë e pastaj bashkimi i madh të bëhej në Federatën Ballkanike dhe kjo “ishte çështje e Jugosllavisë”. Planet për Federatën Ballkanike kishin nisur që gjatë Luftës së Dytë Botërore, që me idenë e Shtabit Ballkanik etj dhe u evidentuan në gjysmën e dytë të shtatorit të vitit 1944.

Mbas takimit me Titon në Moskë, më 27 shtator 1944, shkruante Dimitrovi në kujtimet e tij, ata janë marrë vesh për “krijimin e Aleancës midis Bullgarisë dhe Jugosllavisë deri në Federatën e Sllavëve të Jugut” (që do të përbëhej nga serbët, bullgarët, maqedonasit, kroatët, boshnjakët, malazezët dhe sllovenët) shqiptarët as u zunë në gojë fare se e ardhmja e tyre konsiderohej çështje e Jugosllavisë. Në prag të Konferencës së Jaltës Andrija Hebrang, njëri nga drejtuesit kryesorë të P.K.J, i ngarkuar nga Tito me plotfuqishmëri speciale, shkoi në Moskë, ku u prit në një takim të posaçëm nga Stalini. Takimi me Hebrangun ishte i një rëndësie të veçantë, mbasi aty për herë të parë PK Jugosllave parashtroi para udhëheqjes sovjetike pretendimet territoriale që ajo kishte ndaj Greqisë, Rumanisë, Hungarisë, Austrisë, Italisë e pa folur për Shqipërinë që pretendonte ta përfshinte, siç ishte edhe mendimi i Stalinit brenda Federatës Jugosllave. Hebrangu kishte shkuar i përgatitur në Moskë dhe me të filluar bisedimet, nxori para Stalinit hartën e Jugosllavisë dhe të disa rajoneve e krahinave të vendeve fqinje, që sipas jugosllavëve duhej të përfshiheshin brenda Jugosllavisë. Në këtë rast jugosllavët kërkonin nga Bashkimi Sovjetik mbështetje e ndihmë për realizimin e ëndrrave të tyre, që tani ia kalonin edhe atyre të parashtruara në Naçertanien e Graçaninit.

Situatat e mësipërme tregojnë se përveç hedhjes “në sulm” nga Tito për krijimin e Federatës Ballkanike, vera e vitit 1947 ishte e ngarkuar për të, pasi Stalini direkt me urdhër e kishte ngarkuar atë edhe për organizimin e Informbyrosë (Byroja Informative Komuniste). Në fakt pas konstituimit të Informbyrosë, marrëdhëniet sovjeto – jugosllave po keqësoheshin. Shkak ishin planet për Federatën Ballkanike. Stalini e stopoi Federatën dhe këtu nis e tatëpjeta e Titos. “Hijen” e tij dhe krijimin e imazhit të madhështisë për Titon, nuk e honepste Stalini., ndaj e përjashtoi Titon nga Informbyroja.

Kur Stalini e thirri Enver Hoxhën në Moskë, ky i fundit me profanizimin apo djallëzinë e tij, shkruante se “Stalini nuk dinte asgjë lidhur me Shqipërinë dhe bashkimin e saj në të gjitha fushat me Jugosllavinë”. Ne fakt kjo që “nuk dinte asgjë”, ishte loja e Stalinit. Jemi në momentet e para që Tito e kish ngrënë “drunë” nga Stalini. Enver Hoxha as që e dinte këtë ndaj më 30 mars të vitit 1948 e informon Byronë Politike se lidhur me Federatën nga Titoja i kishte ardhur përgjigja se “nuk shihej e kohës, ndërsa për çështjen e Komandës Unike përsëri ishte përgjigja se është e parakohëshme”.150)

Të gjitha këto vinin ngaqë jugosllavët dhe personalisht Tito ishte vënë nga Stalini në gijotinë. Ishte koha kur kishte ndodhur çarja përfundimtare në marrëdhëniet sovjeto-jugosllave dhe Shqipëria tashmë kishte mbetur plotësisht nën kontrollin e Moskës dhe e kishte shpëtuar nga Federata rastësia sepse karshillëku që Tito synoi ti bënte Stalinit e “varrosi” çështjen e Federatës dhe me të edhe atë të bashkimit të Shqipërisë me Jugosllavinë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular