Një aeroplan me 242 pasagjerë në bord, është rrëzuar në një zonë të banuar pranë aeroportit në Ahmedabad të Indisë.
Gazeta “Times of India” raporton se një avion Boeing 787 Dreamliner i Air India, me destinacion Londrën, u rrëzua menjëherë pas ngritjes nga aeroporti ndërkombëtar Sardar Vallabhbhai Patel.
Pas aksidentit, një re e dendur tymi u pa duke dalë nga zona e aeroportit, ndërsa ekipet e emergjencës janë nisur menjëherë drejt vendit të ngjarjes.

Uebsajti i gjurmimit të fluturimeve, Flight Radar, thotë në X: “Ne po ndjekim raportet për një rrëzim të fluturimit #AI171 të Air India. Ne morëm sinjalin e fundit nga avioni në orën 08:08:51 UTC, vetëm disa sekonda pas ngritjes.
Ministri i Brendshëm i Indisë, Amit Shah, ka zhvilluar biseda urgjente me Kryeministrin e Gujarat-it, Ministrin e Brendshëm të shtetit dhe Komisionerin e Policisë, duke u informuar për situatën dhe duke garantuar ndihmë të menjëhershme nga qeveria qendrore.
Autoritetet janë duke hetuar shkakun e aksidentit, ndërsa deri tani nuk ka të dhëna të konfirmuara për numrin e viktimave apo të lënduarve.