Nëna e 14 vjeçarit të ndjerë Martin Cani, Florina ka reaguar për herë të parë pas publikimit të pamjeve ku duke djali i saj para dhe pas plagosjes.
Florina foli sonte në “Opinion” teksa theksoi se nuk ka mundur ta shohë dhe se është shumë e tronditur.
“Me thënë të drejtën, po mundohemi ta marrim pak veten dhe ta kthejmë dhimbjen në forcë.
Dhimbja çdo ditë shtohet, por ne duam që Martinin mos ta humbim me kujtimet e tij.
Gjithsesi u trondita jashtë mase shumë, tronditje e madhe psikologjike.
Ne kemi falenderuar mediat që na kanë qëndruar pranë, por ishte tronditëse!
Unë nuk e dija që videoja ishte e publikuar, nuk munda që ta shikoj,” tha ajo.
Nëna e 14-vjeçari shprehet se autoritetet mund të kishin bërë diçka më shumë për zbardhjen e plotë të ngjarjes tragjike.
Ajo shtoi se po i ndjek hap pas hapi seancat gjyqësore teksa theksoi se ka manipulime në të gjitha drejtimet.
“Ne po ndjekim hap pas hapi seancat gjyqësore, unë u bë disa raste që nuk kam shkuar se nuk po e përballoj si nënë.
Policia e shteti duhet ta kishin zbuluar këtë. Autori është para gjykatës, por akoma nuk ka marrë një dënim.
Unë kam thënë që do ndjek procedurat e gjykatës, por jemi në pritje. Pikëpyetjet janë të mëdha, unë vetë si nënë po. Ka manipulime në të gjitha drejtimet!
Nuk ishin banda kriminelësh, ishin fëmijë. Nuk ka pasur tjetër njeri, është e qartë se kush e goditi,” shtoi ajo.
Nëna shtoi se pavarësisht qëllimit që ka pasur personi i parë që ka publikuar ato pamje, mund të ishte shmangur, pasi ka forma të tjera për sensibilizim.
“Ne jetojmë me dhimbje dhe unë nuk dua që kjo pjesë të shfaqet herë pas here.
Nëse kalon vijën e kuqe, duhet çdo njeri të marrë atë që meriton. Ka forma të ndryshme nëse do të ngresh zërin, jo duke shfaqur videon tepër të rëndë. Ka momente që qajmë të dy bashkë, ka momente që dalim.
Po e kthejmë në forcë, nuk dua që plaga ime të shfaqet…,” u shpreh nëna e Martinit.