Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e fundit Aktin Normativ për disa ndryshime në Buxhetin e vitit 2025.
Rishikimi vjen si nevojë për të garantuar përdorimin sa më efikas të fondeve publike që erdhi pas një analizë të kujdesshme që u bë në lidhje me performancën 5-mujore të ecurisë së zbatimit të projekteve, si dhe të vlerësimit të pritshmërive për realizimin e mëtejshëm të tyre.
Volumi i fondeve të përgjithshme që parashikohen të alokohen apo të rialokohen llogaritet në rreth 11.8 milardë lekë dhe fokusi do të jetë në mbështetjen e sektorëve prioritarë, por edhe në nxitjen e mëtejshme të investimeve publike.
Më konkretisht, përmes këtij Akti Normativ parashikohet:
Rialokim të kursimeve të evidentuara në masën 5.6 miliardë lekë me qëllim për të siguruar forcimin e sigurisë digjitale dhe mbështetjen e rritjes ekonomike të qëndrueshme, përmes përmirësimit të infrastrukturës kombëtare.
Miratimin e një skeme të re të Garancie Sovrane për sektorin e Bujqësisë, me një vlerë rreth 3 miliardë lekë, me qëllim rritjen e aksesit në financë kryesisht për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme, por edhe krijimin e kushteve për rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe konkurrueshmërisë.
Rishpëndarjen e disa fondeve të brendshme, në kuadër të përmirësimeve në teknologjinë e informacionit në administratën publike.
Pavarësisht këtij rishikimi, një element i rëndësishëm për t’u theksuar është se deficiti buxhetor mbetet i pandryshueshëm, në nivelin rreth 68.1 miliardë lekë dhe si rrjedhim edhe borxhi publik nuk ndryshon.
Ministria e Financave do të vijojë të sigurojë konsolidimin fiskal, qëndrueshmërinë e financave publike, si dhe stabilitetin makroekonomik në tërësi.
Buxheti 2025, rialokohen 11.8 miliardë lekë në mbështetje të sektorëve prioritarë
RELATED ARTICLES