Përgjatë pasdites së 12 qershorit besimtarë të shumtë nga i gjithë vendi i janë drejtuar kishës së “Shna Ndout” në Laç, në vigjilje të ditës së Shën Antonit të Padovës, që njihet si shenjtori i mrekullive.

Në përfundim të 13 të martave të pelegrinazhit, kremtimet për këtë ditë kulmojnë më 12 qershor, ku besimtarët me urimin “Na ndihmoftë” ngjisin më këmbë malin e shenjtë drejt kishës së “Shna Ndout” në Laç dhe qëndrojnë përgjatë gjithë natës, raporton gazetari Elidon Ndreka.

Me qirinj në duar pelegrinët të ardhur nga i gjithë vendi e më gjerë luten për ditë më të paqta, harmoni e shpëtim. Mandej kremtimet përmbyllen më 13 Qershor që njihet ndryshe si “dita e madhe”, datë kur Shën Antoni i Padovës kaloi në amshim.

