4 grup-kapituj në 9 muaj për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, ambasadori gjerman, Karl Bergner, i ka cilësuar një rekord për Shqipërinë. “Me hapjen e 4 nga 6 grup kapitujt e negociatave, Shqipëria ka bërë përparim rekord. Ekipi negociator po bën një punë të shkëlqyer dhe jam i bindur se edhe dy grup-kapitujt e mbetur do të hapen deri në fund të vitit”, tha ai.
Megjithatë, sipas kryediplomatit gjerman ndonëse në një moment kyç, procesi integrimit në këtë fazë përballet edhe me sfida.
Gjermania shpreh mbështetjen e plotë ndaj vendit tonë, ndërsa afati i hapjes së të gjithë grup-kapitujve, sipas ambasadorit, do të përfundojë në fund të vitit.
“Duhet ta përgëzoj Shqipërinë dhe qeverinë shqiptare për hapjen e katër prej këtyre gjashtë grup-kapitujve në 8-9 muajt e fundit, që nga tetori i vitit të kaluar. Ekipi negociator po bën një punë shumë të mirë, sepse hapja e katër kapitujve në nëntë muaj është një rekord. Jam i bindur se me këtë kapacitet të ekipit të tryezës, pjesa tjetër e grup-kapitujve do të hapet deri në fund të vitit”.
Ambasadori Bergner garanton mbështetjen e Gjermanisë për Shqipërinë në shumë fusha, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.
“Ne do të përqendrohemi shumë në çështje si sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit, që ngrihen në raportin e fundit të progresit të vitit të kaluar. Dhe jam shumë i lumtur që e ndajmë këtë fokus me qeverinë, ata janë zotuar ta bëjnë këtë, për të trajtuar këto çështje që shqetësojnë shqiptarët. Jam shumë i bindur se Shqipëria mund të arrijë mjaft nga objektivat që i ka vënë vetes. Dhe ne do ta shoqërojmë Shqipërinë në këtë rrugëtim”.
Sipas ambasadori Bergner, Gjermania do të ndihmojë vendin të përmbushë kërkesat e BE-së për sektorë të ndryshëm, edhe nëpërmjet projekteve të financuara.