Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) konfirmuan se Irani ka lëshuar më pak se 100 raketa drejt territorit izraelit në dy valë të ndara, në kuadër të një operacioni të koduar nga Teherani si “True Promise 3”.
Zëdhënësi i IDF, Avichay Adraee, tha në një deklaratë zyrtare se: “Shumica e raketave u kapën në ajër ose nuk arritën objektivat e tyre.”
Sipas tij, disa ndërtesa janë dëmtuar, por në pjesën më të madhe si pasojë e copëzave të raketave të shkatërruara nga sistemet mbrojtëse ajrore, jo nga goditje direkte.
“Ka një numër të kufizuar ndërtesash të dëmtuara. Disa janë prekur nga copëzat gjatë ndërhyrjes ajrore për ndalimin e raketave,” shtoi Adraee në postimin e tij në platformën X.
Pamjet në terren tregojnë disa ndërtesa me dëme të konsiderueshme, ndërsa autoritetet izraelite janë ende duke vlerësuar situatën në disa zona të prekura.