David Beckham, një nga ikonat më të mëdha të futbollit anglez dhe ish-kapiten i Kombëtares së Anglisë, është nderuar zyrtarisht me titullin kalorës nga Mbreti Charles, si pjesë e listës së Nderimeve për Ditëlindjen e Mbretit.
Në moshën 50-vjeçare, Beckham mori titullin prestigjioz “Sir”, në vlerësim të kontributit të tij të jashtëzakonshëm në sport dhe bamirësi.
Ky nderim vjen më shumë se dy dekada pas karrierës së tij madhështore që përfshiu klube si Manchester United, Real Madrid dhe LA Galaxy, si dhe viteve në krye të përfaqësueses angleze.
“Ka qenë privilegji më i madh i karrierës sime të luaj dhe të jem kapiten i vendit tim – ishte një ëndërr fëmijërie që u bë realitet,” tha Beckham në reagimin e tij pas marrjes së titullit. “Jashtë fushës, kam pasur fatin të përfaqësoj Britaninë nëpër botë dhe të punoj me organizata të jashtëzakonshme që ndihmojnë komunitetet në nevojë dhe frymëzojnë brezat e rinj.”
Beckham është kujtuar nga tifozët jo vetëm për stilin dhe karrierën ndërkombëtare, por edhe për momentet ikonike si ai më 6 tetor 2001, kur shënoi një gol vendimtar nga goditja e dënimit ndaj Greqisë, duke kualifikuar Anglinë për Kupën e Botës 2002. Komentatori britanik në atë ndeshje lëshoi fjalët që u bënë legjendare: “Jepini këtij njeriu një titull kalorësie!”. Sot, ajo thirrje është bërë realitet.
Beckham bashkohet kështu me një grup të ngushtë sportistësh të mëdhenj britanikë që janë nderuar me titullin “Sir”, duke e forcuar më tej trashëgiminë e tij si një figurë frymëzuese në fushë dhe jashtë saj.