Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka pohuar se Irani ka prodhuar uranium të pasuruar mjaftueshëm për nëntë armë bërthamore. Por Teherani ka këmbëngulur vazhdimisht se nuk po ndërton një bombë.
Pra, sa i saktë është pretendimi i udhëheqësit izraelit?
Nuk është e qartë se sa afër mund të jetë Irani me ndërtimin e një bombe bërthamore, sakaq vendi bërë përparim të konsiderueshëm në prodhimin e elementëve kryesorë: uraniumi i pasuruar në nivel të lartë, shkruan CNN.
Në një raport të dërguar shteteve anëtare më 31 maj, organi mbikëqyrës bërthamor i OKB-së, IAEA, kishte thënë se Irani zotëronte një sasi uraniumi të pasuruar në pastërti 60% – ende jo të përshtatshme për armë, por të mjaftueshme për të prodhuar përfundimisht nëntë armë bërthamore nëse pasurohet më tej në 90%.
“Irani mund të prodhojë një armë bërthamore në një kohë shumë të shkurtër. Mund të jetë një vit. Mund të jetë brenda pak muajsh”, tha Netanyahu të premten kur njoftoi operacionin e guximshëm “Rising Lion”.
“Ky është një rrezik i qartë dhe i pranishëm për mbijetesën e Izraelit”, shtoi ai.
Irani ka rritur ndjeshëm programin e pasurimit të uraniumit që kur Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore në vitin 2018. Filloi me rreth 150 kg uranium të pasuruar në 3.6% – që është e mjaftueshme për reaktorët bërthamorë dhe një program bërthamor paqësor – dhe tani ka 50 herë nivelin e vitit 2018.
Në vitin 2023, IAEA tha se grimcat e uraniumit të pasuruara në pastërti 83.7% – afër niveleve të gradës për bomba – u gjetën në një strukturë bërthamore iraniane.
Stoku i saj i uraniumit të pasuruar deri në 60% ishte rritur gjithashtu në 128.3 kilogramë, niveli më i lartë i dokumentuar atëherë.
IAEA ka akuzuar prej kohësh Iranin për shkelje të detyrimeve për mospërhapje, por të enjten – për herë të parë në pothuajse 20 vjet – bordi i saj miratoi një rezolutë duke deklaruar zyrtarisht se Irani ka shkelur këto detyrime.
Ndërkohë Irani nga ana e tij premtoi të përgjigjej duke përshkallëzuar aktivitetet e tij bërthamore.