Partia Demokratike po bëhet gati për zgjedhjet lokale të Tiranës, pas atyre parlamentare të 11 majit. Arrestimi i Erion Veliajt, ndonëse ende nuk ka një vendim gjykate, pritet të çojë në shkarkimin e tij çka do t’i hapte rrugë në shtator zgjedhjes së një kryebashkiaku të ri.
Jorida Tabaku dhe Ilir Alimehmeti, dy kandidaturat më të votuara nga opozita në zgjedhjet e fundit, shihen si më ideale për t’i rikthyer buzëqeshjen e munguar opozitës. Nëse do të pranojë propozimin dhe do të jetë Jorida kandidate, siç edhe është mësuar nga Liberale plani i opozitës, mandati i deputetit do t’i shkojë mjekut Alimehmeti.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, sakaq është shprehur pro idesë për një kandidat të përbashkët të opozitës për kryetar të Bashkinë e Tiranës, por ka theksuar se ai nuk duhet të jetë një figurë jopolitike. Sipas tij, një kryetar bashkie në kryeqytet duhet të ketë një program të qartë dhe politik për të përballuar situatën aktuale, të cilën e quan rezultat i një “narkoshteti”.
“Për të dalë partitë opozitare më një kandidat, këtë e mbështes plotësisht. Por që të pretendohet të zgjidhet kryetari i bashkisë së kryeqytetit, një njeri jopolitik, një gjë të tillë nuk e kam dëgjuar ndonjëherë. Sepse ai të paktën duhet të ketë një program, në të cilin çmonton të gjithë batërdinë bazuar në politikën e narkoshtetit në Tiranë. Nuk di se ç’nënkuptohet me kandidat apolitik, nuk e kam të qartë, por për një kandidat të përbashkët, plotësisht e drejtë është si sugjerim”, tha Berisha. liberale.al