Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan-Korçë) ka zbatuar urdhërin e Prokurorisë për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka caktuar masën e sigurisë të karakterit ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj tre punonjësve të policisë në Komisariatin e Policisë Elbasan, të dyshuar për “Shpërdorim i detyrës”, pasi në datën 3 qershor nuk kanë marrë masat e nevojshme për trajtimin dhe sigurimin e personave të ndaluar në ambientet e policisë, duke sjellë si pasojë arratisjen e shtetasit B. Z., i cili ishte arrestuar në flagrancë, si person i dyshuar për një vepër penale.
Njoftim
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan-Korçë) ka zbatuar urdhërin e Prokurorisë për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka caktuar masën e sigurisë të karakterit ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj tre punonjësve të policisë në Komisariatin e Policisë Elbasan, të dyshuar për “Shpërdorim i detyrës”, e konkretisht;
1- Nënkomisar Alfred Feridum Zhupani, 35 vjeç, me detyrë Specialist për Rendin, në Komisariatin e Policisë Elbasan;
2- Inspektor Përparim Xhaferr Ballolli, 54 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist Informacioni, në Komisariatin e Policisë Elbasan;
3- Inspektor Jonuz Rifat Gjika, 60 vjeç, me detyrë Ndihmës specialist për ruajtjen e dhomave të sigurisë, në Komisariatin e Policisë Elbasan.
Caktimi i masave të sigurisë për punonjësit e policisë të sipërcituar është bërë i mundur, pasi nga hetimet e zhvilluara lidhur me ngjarjen e datës 03.06.2025, janë administruar prova dhe fakte se këta punonjës policie, me anë të mosveprimit dhe në shkelje të dispozitave të parashikuara në aktet ligjore e nënligjore që normojnë punën në Policinë e Shtetit, nuk kanë marrë masat e nevojshme për trajtimin dhe sigurimin e personave të ndaluar/shoqëruar në ambientet e policisë, duke sjellë si pasojë arratisjen e shtetasit B. Z., i cili ishte arrestuar në flagrancë, si person i dyshuar për një vepër penale.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën [email protected].