Nga Prof.Pal Nikolli
Universiteti i Tiranës është themeluar me Vendim të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Nr. 207, datë 30.05.1957, me emrin “Universiteti Shtetëror i Tiranës”.
Në vitin 1991, nga UT-ja (në atë kohë me 11 fakultete) u shkëputën fakultetet inxhinierike dhe u krijua Universiteti Politeknik i Tiranës me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.215, date 15.07.1991. Në janar të vitit 2013 Fakulteti i Mjekësisë dhe Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike (ish- Fakulteti i Infermierisë) u shkëputën nga Universiteti i Tiranës për të krijuar Universitetin e Mjekësisë.
Në kontekstin e një vendi të vogël si Shqipëria, ku burimet për arsimin e lartë janë të kufizuara dhe shumë dege luftojnë për mbijetesë, bashkimi i universiteteve të dala nga UT, ndoshta edhe te tjera, në një universitet të vetëm të fuqishëm mund të ketë përfitime të konsiderueshme.
Ka shumë raste në botë ku disa universitete janë bashkuar për të formuar një institucion më të madh dhe më të fuqishëm. Përmendim:
– Sorbonne Université (Francë) (një nga universitetet më prestigjioze në Francë, me fokus të fortë në shkencat humane dhe shkencat e sakta), rezultat i bashkimit më 2018 i Universitetit Paris-Sorbonne (Paris IV) dhe Universitetit Pierre dhe Marie Curie (Paris VI)
– Aalto University (Finlandë), një universitet inovativ ndërdisiplinor me fokus në teknologji, biznes dhe dizajn, rezultat i bashkimit më 2010 i Universitetit Teknologjik të Helsinkit, Shkollës Ekonomike të Helsinkit dhe Universitetit të Arteve dhe Dizajnit të Helsinkit.
– University of Manchester (Angli), një nga universitetet më të mëdha në Britani, me një reputacion të fortë në kërkim shkencor, rezultat i bashkimit më 2004 i Victoria University of Manchester dhe UMIST (Universiteti i Mançesterit për Shkencë dhe Teknologji).
– Karlsruhe Institute of Technology (KIT, Gjermani), kombinim i arsimit universitar me kërkimin e aplikuar (modeli “Universitet i Ekselencës” në Gjermani), rezultat i bashkimit më 2009 i Universitetit të Karlsruhes dhe Qendrës së Kërkimit të Karlsruhes (Forschungszentrum Karlsruhe).
Ndër përfitimet e bashkimit të disa universiteteve në nje universitet të vetëm përmendim:
1. Optimizimi i burimeve dhe financimit.
Një universitet i konsoliduar mund të reduktojë shpenzimet e tepërta administrative duke centralizuar shërbime si administrata, teknologjia e informacionit dhe bibliotekat. Studimet tregojnë se universitetet e mëdha kanë më shumë fuqi negociuese për grante kërkimore, veçanërisht në programe si Horizon Europe (European Commission, 2021).
2. Përmirësimi i cilësisë së arsimit përmes interdisiplinaritetit.
Bashkimi mund të nxisë kërkime inovative nëpërmjet bashkëpunimit ndërfakultativ. P.sh., integrimi i Universitetit të Mjekësisë me atë të Inxhinierisë mund të çojë në zhvillimin e programeve të reja, si bioinxhinieria ose informatika mjekësore.
3. Rritja e prestigjit dhe konkurrencës ndërkombëtare.
Universitetet e mëdha zakonisht renditen më lart në listat globale për shkak të prodhimit të lartë kërkimor dhe diversitetit të programeve. Një universitet i vetëm dhe më i madh ka më shumë gjasa të tërheqë studentë dhe kërkues të huaj dhe të marrë pjesë në projekte ndërkombëtare. P.sh., Universiteti i Paris-Saclay u formua në 2019 nga bashkimi i 14 institucioneve dhe tani është ndër 20 universitetet më të mira në botë (QS Rankings, 2024).
4. Shërbime studentore të përmirësuara.
Një universitet i vetëm mund të ofrojë infrastrukturë më të mirë, si laboratore të avancuara, qendra sportive dhe mundësi më të gjera për bursa. Gjithashtu, rrjeti i alumni-ve bëhet më i fuqishëm, duke lehtësuar punësimin e studentëve.
Bashkimi i universiteteve të specializuara mund të jetë një strategji efektive për rritjen e konkurrencës globale, veçanërisht në vendet me burime të kufizuara. Megjithatë, ai kërkon planifikim të kujdesshëm për të shmangur humbjen e identitetit dhe rritjen e burokracisë.