HomeTe tjera“Bomba” mbi intelektualët më 1951, njëri prej tyre qëlloi me grusht Mehmet...

“Bomba” mbi intelektualët më 1951, njëri prej tyre qëlloi me grusht Mehmet Shehun. Ministri që refuzoi të firmosë dënimet

spot_imgspot_img

Masakra e 1951 ishte ekzekutimi pa gjyq i 22 intelektualëve dhe tregtarëve natën e 25-26 shkurtit të vitit 1951 në Republikën Popullore të Shqipërisë. Ekzekutimi u krye nga Sigurimi i Shtetit me vendim të Byrosë Politike të KQ të Partisë Komuniste të Shqipërisë.

Preteksti për aksionin ishte një shpërthim në territorin e ambasadës sovjetike, i organizuar nga punonjës të nëndheshëm antikomunistë. Si rezultat, figurat me ndikim të aftë për të konsoliduar opozitën ndaj regjimit u eliminuan fizikisht. Bomba në Ambasadën Sovjetike dhe justifikimi për të çuar para togës së pushkatimit 22 intelektualë të Tiranës. Konsideroheshin nga regjimi si antikomunistë që ishin të shkolluar jashtë vendit dhe vinin nga familje të pasura. Ai urdhër i lëshuar nga Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu për pushkatimin e 22 personave si të “akuzuar” për terrorizëm, nuk vrau vetëm ata njerëz, fati i të cilëve ishte i destinuar të fundosej nga armët e regjimit. Sistemi nuk u mori vetëm jetën atyre, por goditi dijen, sulmoi intektualizmin dhe rrënoi klasën e pasur. U gjet si shkak hedhja e një bombe në ish-ambasadën e Bashkimit Sovjetik për të nisur spastrimin e njerëzve të ditur specialistë në fusha të ndryshme, që dyshoheshin si kundërshtarë të sistemit komunist.

Më 19 shkurt 1951, në orën 18:00, autoritetet raportuan shpërthimin e një bombe artizanale të hedhur në oborrin e ambasadës sovjetike. Ato ditë kishte mbërritur në Tiranë një delegacion kulturor sovjetik, për të marrë pjesë në manifestimet që do të organizoheshin me rastin e 33-vjetorit të krijimit të Ushtrisë së Kuqe. Pikërisht, më 19 shkurt të vitit 1951, ditën që ndodhi hedhja e bombës, ambasada sovjetike do të jepte një pritje për delegacionin e ardhur nga Moska. Shpërthimi nuk kishte shkaktuar asnjë të plagosur, ndërkohë që raportohej se bomba ishte ndërtuar me vajguri të presuar dhe ishte llogaritur të shpërthente në kohën e një takimi mes kreut të partisë Enver Hoxha dhe disa këshilltarëve të paspecifikuar sovjetikë. Duke analizuar se çfarë personifikonin të pushkatuarit 26 shkurtit 1951, u kuptua qartë se që të gjithë ishin rrethuar nga lapsi i kuq dhe pritej vetëm momenti që t’u dorëzoheshin për pushkatim agjentëve të Sigurimit të Shtetit. Formimi profesional i shumë prej të pushkatuarve tregoi se nuk ishte vetëm një krim i zakonshëm nga dosja e zezë e komunizmit, por plumbat e derdhur mbi trupin e 22 personave synonin të vrisnin frymën antikomuniste. Në vendimin e Byrosë politike, përveç pushkatimeve e burgimeve pa gjyq, u vendos që të bëhej një operacion masiv spastrimi, të persekutoheshin e të internoheshin persona e familje “reaksionare” në tërë hapësirën shqiptare.

ARRESTIMET

Arrestimet që u bënë menjëherë sipas vendimit të Byrosë Politike më datën 20- 23 shkurt 1951, ishin të paligjshme, sepse u kryen pa ndonjë urdhërarresti të prokurorit dhe pa ndonjë vendim gjykate. (Vetëm më vonë u plotësuan urdhërrreshtimet dhe procesverbalet e “gjykimit”). Arrestimet e intelektualëve properëndimorë u bënë mbi listat e vdekjes, të parapërgatitura nga Sigurimi i Shtetit në Ministrinë e Brendshme. Sipas historianit Uran Butka lista e parë, e përgatitur nga sektori i parë i Drejtorisë së Sigurimit, me kryetar Pilo Shanton, mban titullin tronditës: Personat e arrestuar që propozohen për t’u ….(pika…pika). Mbi pikat titullarët mund të shkruanin ç’të dëshironin: për t’u pushkatuar, për t’u burgosur etj. Nga kjo listë e gjatë, krerët e Ministrisë së Brendshme zgjodhën dhe kryqëzuan emrat e Tefik Shehut, Hekuran Trokës, Lluka Rashkoviç, Haki Kodrës, Thoma Katundit, Mehmet Ali Shkupit, Gjon Temalit, Fadil Dizdarit dhe Pandeli Novës. Lista e dytë, e përgatitur në sektorin e dytë të Sigurimit nga drejtori, kapiteni i parë Rasim Dedja, përmbante tetë propozime, nga të cilat u përzgjodhën për t’u pushkatuar, duke u shënjuar me nga një kryq përbri emrit: Ali Qora liu, Zyhdi Herri, Gafurr Jegeni, Petro Konomi, Jonuz Kaceli dhe Sabiha Kasimati, intelektualja dhe demokratja e shquar, shkencëtarja e parë shqiptare. Lista e tretë e parapërgatitur në sektorin III të Sigurimit nga major Edip Çuçi, ka titullin vrasës: Lista e elementit që propozohet për t’u dënuar me vdekje. Sipas Butkës, kryetari i Sektorit III të Sigurimit mund të arrestonte dhe t’i propozonte prokurorisë e gjykatës t’i gjykonte e dënonte sipas fajeve që duhet të provoheshin, por jo ta vendoste vetë dënimin me vdekje. Sigurimi i shtetit ishte vendosur mbi organet e drejtësisë, të cilat kishin mbetur formale dhe zbatonin verbërisht urdhrat e vendimet e Ministrisë së Brendshme. Një shtet policor, më kriminali në gjithë vendet komuniste të Lindjes. Nga lista e tretë, e hartuar më 22.2. 1951, u përzgjodhën për t’u pushkatuar: Pjerin Guraziu, Qemal Kasaruho, Anton Delhysa, Niko Lezo, Myftar Jegeni, Manush Peshkëpia. Emrat e Sabiha Kasimatit, Reiz Selfos, Qemal Kasoruhos dhe Manush Peshkëpisë u shënjuan nga vetë Enver Hoxha, që i njihte dhe e njihnin personalisht, se ishin nga treva e Gjirokastrës, kështu lante hesapet me ta. Është për t’u theksuar se përzgjedhjet u bënë nga gjithë trevat shqiptare: intelektualë e qytetarë nga Prizreni, Gjakova, Shkupi, Shkodra, Dibra, Tirana e deri në Delvinë, Gjirokastër e Korçë, në mënyrë që terrori të godiste e të nënshtronte gjithë Shqipërinë. Akuza e Prokurorit ushtarak Siri Çarçani, mban datën 25.2.1951 dhe përmban absurditete: “Janë vënë në shërbim të spiunazheve të huaja imperialiste; janë bërë anëtarë të një organizate terroriste. Kanë propoganduar rrëzimin me dhunë të pushtetit popullor dhe kanë hedhur parulla pro shpërthimit të një lufte të re nga ana e imperialistëve amerikano – anglezë e satelitëve të tyre”.

AKUZA

Është një akuzë kolektive për terrorizëm, e pa mbështetur në asnjë provë. Sipas dëshmive të siguruara nga historian Uran Butka të akuzuarit, nuk kishin asnjë lidhje apo bashkëpunim me njëri tjetrin; nuk ishin pjesëtarë të ndonjë organizate politike apo terroriste të cilësuar, asnjërit nuk i përmendet në akuzë pjesëmarrja në hedhjen e bombës në Ambasadën Sovjetike – për shkak të së cilës ata u arrestuan! Siç dihet botërisht, ata persona që hodhën dinamitin, si Qazim Laçi, Hysen Lulla etj., anëtarë të organizatës “Bashkimi Kombëtar”, u arrestuan po ato ditë, u mbajtën fshehtas në hetuesi për tetë muaj dhe u dënuan për hedhjen e dinamitit në ambasadën sovjetike me vdekje dhe burgime të rënda. Pra, ishin të tjerë ata që e hodhën dinamitin si një akt antisovjetik, antistalinist.

VENDIMI

Vendimi për të realizuar këtë masakër u mor jo në sallën e gjyqit, por në Byronë Politike e PPSH saktësisht në mbledhjen e datës 20.02.1951, me pretekstin e hedhjes të një sasie të vogël dinamiti në oborrin e ish- ambasadës sovjetike, që theu vetëm disa xhama në mbrëmjen e datës 19.02.1951, ora 19:15. Sipas historianit të njohur Uran Butka pikërisht në ditën kur zhvillohej plenumi i KQ të PPSH, që i kushtohej forcimit të miqësisë me Rusinë sovjetike dhe Stalinin e Madh, pra, vijës staliniste të PPSH. “Politika staliniste do të jetë fari që do të ndriçojë rrugën tonë”, deklaroi Enver Hoxha.

Viti 1951 mund të quhet viti i bombës mbi intelektualët opozitarë, kundërshtarë të regjimit kriminal të Enver Hoxhës. Bomba ra edhe mbi rrethin familjar dhe familjet e tyre, që i internuan dhe i persekutuan për 50 vjet nëpër kampet e internimit e të përqendrimit. Në mbledhjen e Byrosë Politike të KQ të PPSH të 20 shkurtit 1951, ministri i Brendshëm, M. Shehu, propozoi: “Kjo masë do të procedohet edhe me një masë tjetër spastrimi nga Tirana të familjeve reaksionare brenda një muaji”. (Të gjithë anëtarët e Byrosë: Jemi dakord me këto masa!). Kemi të bëjmëme një gjenocid për motive politike në përmasa të mëdha mbi qindra njerëz dhe familje të pafajshme. I ngarkuan dhunshëm nëpër kamionë të mbyllur dhe i degdisën nga Tirana familjet Kaceli, Shehu, Peshkëpia, Herri, Lezo, Kasoruho, Jegeni, Delhysa, Konomi, Temali, Shkupi, Nova dhe mjaft familje të tjera qytetare. Kalvari i vuajtjeve të tyre është i papërfytyrueshëm dhe i pafund. Butka përmend vendimin e ish-Kryeministrisë datë 2.03.1951 për internimin nëpër kampe pune skllavëruese në kampet e Tepelenës, Lushnjës, Vlorës, Beratit, Skraparit, Kavajës etj. “T’u gjendet ndonjë punë sa për të siguruar bukën e gojës”.

Në kampe pune dhe përqendrimi, ata provuan poshtërimin, punët më të rënda sa për të nxjerrë bukën e gojës, gjallimin nëpër baranga dërrase disa familje bashkë në një kthinë, zakonisht nëpër depo e magazine, izolimin e plotë të tyre, moslejimin e shkollimit të fëmijëve, të lëvizjes së lire, punët më të vështira dhe dënimet më të rënda për një gjest apo fjalë goje. Përveç këtyre, viktimave dhe familjeve të tyre, iu sekuestruan shtëpitë, pronat, pasuritë e luajtshme, madje edhe librat. Zonjën e Tofik Shehut, nga Gjakova, që kishte kryer studimet për skulpturë, dhe ishte shtatzënë, nuk e lejuan të lindte në maternitet, po lindi në shkallët e maternitetit të Vlorës, Hysenin, një viktimë e gjallë e atij sistemi kriminal.

Sabiha Kasimatit, përveçse i morën jetën në lulen e rinisë, i sekuestruan edhe librin në dorëshkrim “Peshqit në Shqipëri” dhe e botuan me emrin e një rusi, Anatoli Koljakov, dhe të një shqiptari të paemër, Ndoc Rakaj… Ndërsa bibliotekat e pasura të të gjithë këtyre intelektualëve i morën pushtetmbajtësit, duke filluar nga prokurori Siri Çarçani, që mori gjithë bibliotekën e pasur të Manush Peshkëpisë. Në vitin 1991, të vdekurit u shpallën zyrtarisht të pafajshëm, në 2008 u dhanë pas vdekjes Urdhri i Nderit të Kombit.. Mes viktimave 21 ishin meshkuj dhe një femër.

EMRAT E 22 INTELEKTUALËVE TË PUSHKATUAR

Sabiha Kasimati, 38 vjeçe. E lindur në Edërne të Turqisë, e diplomuar në Itali. Megjithëse iu ofrua një vend pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ajo vendosi të kthehej në atdhe. Punoi në Institutin e Shkencave, duke qenë i njohur kontributi i saj në këtë fushë.

Tefik Shehu, 39 vjeç, i lindur në Gjakovë. I diplomuar në Zagreb për Ekonomi, Financë dhe Drejtësi. Në vitin 1939 u vendos e punoi në Tiranë. Pas pushtimit të Shqipërisë u kthye në Gjakovë. Atje u arrestua nga serbët, por mundi të shpëtonte me ndihmën e nacionalistëve shqiptarë. Më 1945, u arrestua nga komunistët shqiptarë në Tiranë, por me ndihmën e avokatit Koço Dilo, shpëtoi nga pushkatimi. Më 26 shkurt 1951, ishte urdhër i prerë për t’u pushkatuar.

Pjerin Guraziu, 45 vjeç, i lindur në Shkodër. Doktor i Shkencave Ekonomike, sportist me rezultate të nivelit ndërkombëtar. Pedagog në shkollën Tregtare të Vlorës. Drejtor i Doganës së Tiranës më 1938. Pas luftës, shef Finance në Ministrinë e Financave dhe në Ministrinë e Bujqësisë. Anëtar i komisionit për organizimin e garave atletike në Ballkaniadën e vitit 1946.

Jonuz Kaceli 43 vjeç, u lind në Tiranë, në familjen e madhe patriote të Kacelëve, e njohur për shërbime në dobi të atdheut, në ekonomi, kulturë, art etj. Ai u dërgua në gropën e vdekjes, pasi ishte vrarë më parë nga torturat.

Anton Delhysa, 47 vjeç. U lind në Prizren, specialist ndërtimi, kreu me përfundime të shkëlqyera Shkollën Teknike të Fulcit. Njihet si drejtues i punimeve për ndërtimin e Shkollës Amerikane në Golem të Kavajës, të Shkollës Teknike të Fulcit dhe të ambasadës amerikane në Tiranë. Pas luftës, drejtoi punimet për ndërtimin e fabrikës së sheqerit në Maliq, për Spitalin në Gjirokastër, për fabrikën e tullave në Vorë etj.

Haki Kodra, 30 vjeç. U lind në Dibër të Madhe. Pasi u diplomua për Ekonomi në Universitetin e Zagrebit, u kthye në Dibër, ku ngriti një biznes të madh, por u luftua nga serbët, ndaj u largua dhe u vendos më 1940 në Tiranë. Pas luftës punoi në sektorin ekonomik deri në vitin 1951 kur u pushkatua.

Gafur Jegeni, 41 vjeç. U lind në Dibër. Kreu studimet e larta në Akademinë Ushtarake në Itali. Nga viti 1935-1937, komandant i kufirit bregdetar në Shqipëri. Në ditët e prillit 1939 në Vlorë, me gradën kapiten, kreu detyrën si patriot për mbrojtjen e atdheut. U arrestua dhe gjyqi ushtarak e dënoi me vdekje, më pas u internua në Ventotene. U lirua nga anglo-amerikanët më 1943. Pas kësaj u tërhoq nga ushtria.

Myftar Jegeni, 36 vjeç. U lind në Dibër. Kreu Akademinë Ushtarake më 1937 në Itali. Me gradën kapiten më 7 prill 1939, luftoi në Durrës për mbrojtjen e atdheut, më pas edhe kundër ushtrisë gjermane. Kundërshtoi masakrat jugosllave, ndaj serbët. pasi e arrestuan e dërguan në duart e komunistëve në Shqipëri. Pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, punoi si llogaritar në një ndërmarrje ndërtimi në Tiranë.

Manush Peshkëpia, 39 vjeç, poet, patriot, me origjinë nga Gjirokastra, u lind në Vlorë. Analistët e letërsisë e rendisin krahas me Fishtën, Poradecin, Koliqin, Kutelin etj.

Reiz Selfo, u lind në Gjirokastër. U shqua si një nga sipërmarrësit e aftë në tregti dhe në ndërtim. Disa nga veprat, si Firma “Selfo” në Vlorë, Ura e famshme e Dragotit mbi lumin Vjosë, Ura e Bënçës në Tepelenë, disa shkolla, ndër to, Gjimnazi në Gjirokastër dhe shumë të tjera.

Qemal Kasaruho, 49 vjeç. U lind në Gjirokastër. Ekonomist, zotërues i disa gjuhëve të huaja, Në vitet ‘20-‘40 punoi si kryeinspektor në doganën e Sarandës, më pas drejtor i përgjithshëm i Monopoleve dhe i Tatimeve në Ministrinë e Financave, ndër kohë mori pjesë në luftën kundër pushtuesve italo-gjerman. Pas luftës nuk u pranua të punonte si ekonomist në Tiranë, por jashtë saj, në minierën e Rubikut.

Zyhdi Herri, 35 vjeç. U lind në Tiranë. Studioi në Liceun e Korçës dhe në Gjimnazin e Tiranës, më pas vazhdoi studimet për drejtësi. Gjatë luftës bashkëpunoi me Frontin N.Ç. Pas luftës, kryeredaktor i gazetës “Bashkimi” në Tiranë.

Gjon Temali, 47 vjeç. U lind në Shkodër. Në vitet ‘40 studioi për Farmaci në Universitetin e Firences. Nga viti 1946 deri në shkurt të vitit 1951, farmacist në Spitalin e Tiranës.

Petro Konomi, 30 vjeç. U lind në Kajro. Kreu studimet e larta në Turqi, në Robert Kolezh, mandej në Akademinë Ushtarake në Itali. Gjatë luftës përkrahu Frontin N.Ç. Pas luftës u emërua në ATSH.

Niko Lezo, 50 vjeç. U lind në Delvinë. Kimist. Zotërues i disa gjuhëve të huaja. Ka kryer Universitetin e Tuluzës në vitin 1921. Më 1923, ngriti të parin laborator kimik në Tiranë. Po atë vit, zgjidhet deputet i Delvinës. Më 1940, arrestohet e internohet në Ventotene. Pas luftës punon sërish kimist në laboratorin, tashmë nën vartësinë e Ministrisë së Shëndetësisë.

Pandeli Nova, 59 vjeç. U lind në Opar, në një familje të pasur. Ekonomist. Zotërues i disa gjuhëve të huaja. Deri në vitin 1944, u mor me tregti dhe njëkohësisht ndihmoi Frontin N.Ç. Pas luftës punoi në një shoqëri tregtare çeko-shqiptare.

Thoma Katundi 64 vjeç. U lind në Katund të Korçës. Ish- ”Vatran” në SHBA. Mehmet Shkupi, 58 vjeç. U lind në Shkup dhe banoi në Tiranë. Ish-pronar, me arsim të mesëm dhe me profesion nëpunës kaloriferi. Dyshohej si “agjent” i legatës franceze dhe se zhvillonte veprimtari terroriste.

Ali Qoraliu, 61 vjeç. U lind në Tiranë. Tiranas i pasur. Jurist. Kreu studimet e larta në Kolegjin Juridik të Selanikut. Në kohën e luftës, ka përkrahur Ballin Kombëtar, ndaj u burgos nga regjimi komunist.

Fadil Dizdari, me origjinë nga Shkodra, u lind në Kavajë. Në kohën e Zogut kishte punuar si sekretar prefekture. U arrestua dhe u pushkatua pa gjyq, i dyshuar si “terrorist”, apo “armik i Pushtetit Popullor”.

Hekuran Troka, 32 vjeç. U lind në Kuçovë dhe banoi në Tiranë, me profesion tregtar. Në listën e zezë është shënuar “tregtar i dyshimtë spekulant”, “agjent i shërbimeve të huaja” dhe “terrorist”.

Lluka Rashkoviç, 51 vjeç. U lind në Mal të Zi. Ka ardhur në Shqipëri me familjen në kohën e mbretërisë. Gjatë kohëve të ndryshme u mor me transport udhëtarësh, në Shqipëri e Ballkan, jashtë çdo rryme politike.

MANOL KONOMI, MINISTËR I DREJTËSISË QË NUK DONTE TË FIRMOSTE DËNIMET KAPITALE PA MIRATIM

Një prej intelektualëve të arrestuar, Jonuz Kaceli u vra më parë 25 shkurt nga Mehmet Shehu pasi Kaceli e grushtoi atë në fytyrë pas një bisede interroguese të gjatë ku Kaceli akuzohej për tradhti nga Shehu dhe Rasim Dedja. Kaceli u hodh nga dritarja por në fakt tek të tjerët u komunikua se kishte bërë vetëvrasje. Të 22 viktimat u ekzekutuan më 26 shkurt 1951, 6 ditë pas ishte bërë arrestimi i parë. Të gjitha viktimat u ekzekutuan bazuar mbi një dekret qeveritar të lëshuar nga Ministria e Brendshme në të njëjtën ditë kur u realizuan ekzekutimet. Ministri i Brendshëm që e lëshoi atë dekret ishte Omer Nishani. Manol Konomi, asokohe ministër i Drejtësisë, nuk donte të firmoste dënimet kapitale pa miratim. Viktimat e pafajshme, u pushkatuan në mesnatën e 26-27 shkurtit në breg të lumit Erzen, pranë fshatit Mënik dhe u hodhën në një gropë të madhe të përbashkët, të lidhur me njëri-tjetrin me tela me gjemba. Në mesnatë fshatarët e Mënikut dëgjuan krisma të pandërprera pushkësh, ndërsa në të gdhirë panë një skenë të llahtarshme: diku dilte një dorë, diku një këmbë, diku flokë të përgjakur.

QEMAL KASARUHO, EKONOMISTI QË ZOTËRONTE DISA GJUHË TË HUAJA U PUSHKATUA MË 26 SHKURT 1951

Qemal Kasoruho u lind në Gjirokastër më 1902. Ekonomist, zotërues i disa gjuhëve të huaja. Në vitet ‘20-‘40 punoi si kryeinspektor në doganën e Sarandës, më pas drejtor i përgjithshëm i Monopoleve dhe i Tatimeve në Ministrinë e Financave, ndër kohë mori pjesë në luftën kundër pushtuesve italo-gjermanë. Pas luftës, nuk u pranua të punonte si ekonomist në Tiranë, por jashtë saj, në minierën e Rubikut. Më 19 shkurt 1951ë ndodhi një shpërthim në ambasadën e ish-Bashkimit Sovjetik në Tiranë, ngjarje që njihet si “Bomba në ambasadën sovjetike”. Nga sulmi nuk kishte asnjë të plagosur, por autoritetet shqiptare të asaj kohe si fajtorë konsideruan një grup prej 22 intelektualësh të rinj që punonin asokohe në Tiranë, duke përfshirë 49- vjeçarin Qemal Kasoruho. Pavarësisht nga mungesa e çdo provë të fajit, ai u arrestua dhe u dënua me vdekje. Dënimi u ekzekutua natën e 26-27 shkurtit 1951 në afërsi të fshatit Mënik, disa kilometra në perëndim të Tiranës. Trupat u varrosën në një varr të cekët në fushën prapa. Ai ishte ekonomist, nëpunës i shtetit shqiptar dhe pas çlirimit ishte një ndër nga 22 të pushkatuarit e vitit 1951 me pretekstin e bombës në ambasadën sovjetike. I biri i tij Amik Kasoruho, i burgosur më 1950 u dënua me 10 vjet burg. Panorama

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular