HomePolitikeSamiti SEECP në Tiranë, Begaj pret liderët: Të nxisim stabilitetin përmes bashkëpunimit...

Samiti SEECP në Tiranë, Begaj pret liderët: Të nxisim stabilitetin përmes bashkëpunimit rajonal dhe integrimit në BE! Shqipëria e shqetësuar për tensionet në Lindjen e Mesme

spot_imgspot_img

Nën kryesimin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, zhvillohet në Tiranë Samiti i SEECP-së me pjesëmarrjen e liderëve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore.
Presidenti Begaj mikëpriti Presidenten e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar; Presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatovic; Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani; Kryetaren e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Željka Cvijanović; Presidenten e Maqedonisë, Gordana Siljanovska Davkova dhe Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev. Ky i fundit do të marrë kryesimin e radhës së SEECP-së për vitin e ardhshëm.
Kreu i Shtetit u uroi, gjithashtu, mirëseardhjen në samit Kryeministrit të Serbisë, Đuro Macut, si dhe Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Moldavisë, Mihai Popşoi, Ministrit të Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan, Ministrit të Punëve të Jashtme të Rumanisë Emilian Horatiu Hurezeanu, Zëvendësministres greke të Punëve të Jashtme, Alexandra Papadopoulou, dhe Sekretarit të Shtetit për Çështjet Politike të Kroacisë, Frano Matušić. Në samit morën pjesë dhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), z. Amer Kapetanović, dhe Shefi i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Sh. T. Z. Silvio Gonzato, të cilëve Presidenti Begaj u uroi mirëseardhjen.
Samiti me temë: “Nxitja e Stabilitetit dhe Prosperitetit përmes Bashkëpunimit Rajonal dhe Integrimit në BE” synon që anëtarët aspirantë të BE-së, vendet e BE-së dhe partnerët të bashkëpunojnë duke reflektuar mbi progresin e kësaj platforme për të ecur përpara në të njëjtin drejtim në përballimin e sfidave të përbashkëta.
Shqipëria mori për herë të tretë kryesimin e SEECP-së në vitin 2024 dhe kjo Presidencë vjen në vazhdën e aksioneve të tjera të rëndësishme diplomatike, që nga kryesimi i Procesit të Berlinit në vitin 2023, tek Iniciativa e Evropës Qendrore, Bashkëpunimi Ekonomik i Detit të Zi në vitin 2024 dhe MARRI (Iniciativa Rajonale për Migrim, Azil dhe Refugjatët) në vitet 2024–2025.
Gjatë Kryesisë së radhës, Shqipëria u përqendrua në bashkëpunim dhe politika përmes lidhjeve më të forta ndër-rajonale, në rritjen ekonomike, sigurinë, në thellimin e bashkëpunimit në shumë sektorë, si: shëndetësi, kulturë, turizëm dhe arsim. Shqipëria u angazhua fort për të siguruar që procesi të mbetej gjithëpërfshirës, konstruktiv dhe me vizion.
Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore ka dëshmuar se është një platformë e vlefshme për dialog, për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe mbajtjen gjallë të vrullit të integrimit evropian.
Prioritetet kryesore të SEECP-së mbeten stabiliteti, zhvillimi ekonomik dhe reformat për bashkimin me unionin evropian.

Në mbyllje të samitit të SEECP-së , Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, iu përgjigj interesit të gazetarëve mbi deklaratën e përbashkët që ky samit miratoi

Gazetarët: Serbia ka refuzuar të nënshkruajë deklaratën e përbashkët?
Presidenti i Republikës – Përshëndetje! Faleminderit shumë për gjithë këtë pritje dhe për prezantimin si duhet të një samiti, i cili ka vlerë të madhe për të gjitha vendet e Evropës Juglindore jo vetëm për faktin e një procesi anëtarësimi në Bashkimin Evropian, por edhe të bashkëpunimit rajonal. Bashkëpunimi rajonal për ne është i rëndësishëm, sepse çdo zgjidhje në mënyrë paqësore dhe bashkëpunuese nëpërmjet dialogut do të sjellë zhvillim, do të sjellë prosperitet, do të sjellë stabilitet dhe paqe për të gjithë rajonin tonë.
Gazetarët – Cili ka qenë qëndrimi i Serbisë?
Presidenti i Republikës – Në fakt, ne sot patëm një qëndrim, ishte deklaratë e Tiranës.
Patjetër që u votua nga shumica e vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore. U refuzua nga Serbia dhe Bosnjë dhe Hercegovina, të cilët kanë të drejtën e tyre për të mos e miratuar deklaratën e përbashkët. Ne ramë dakord që çështja e sanksioneve të vendosura ndaj Kosovës, një çështje që unë e kam deklaruar në të gjitha daljet e mia publike, është një çështje e padrejtë, një çështje që duhej zgjidhur shumë kohë më parë, dhe nesër është shumë vonë, sepse sanksionet nuk janë vendosur për politikanët kosovarë, sanksionet janë vendosur për qytetarët e Kosovës, për të pasur shërbime të mira publike.

Gazetarët – Pjesa e sanksioneve do të jetë pjesë e deklaratës së përbashkët?
Presidenti i Republikës – Është një deklaratë shtesë, që është e shënuar në protokoll, që bëhet bazuar në të gjitha ligjet ndërkombëtare, e bërë nga Prishtina.

Gazetarët – Po pretendimet e Serbisë ishin për çështjen Gaza dhe për luftën në Ukrainë?
Presidenti i Republikës – Beogradi dhe Sarajeva kishin pretendimet e tyre për çështje të lidhura me sigurinë, por unë mendoj se siguria nuk është vetëm brenda shtëpisë sonë, siguria është një term dhe definicion më i përhapur, më i gjerë, dhe çfarëdo ndodh sot në botë është një rrezik për stabilitetin jo vetëm atje ku ndodh, por për të gjitha vendet e botës. Ne e kemi kuptuar shumë mirë se çfarë ndodhi me agresionin e pajustifikuar rus ndaj Ukrainës, që solli, mbi të gjitha, probleme jo vetëm për vendet e përfshira në konflikt, por po ashtu edhe për vende të tjera në prishjen e zinxhirit të furnizimeve.
Gazetarët – Në takimet me dyer të mbyllura keni patur diskutime apo qëndrime mbi konfliktin e nisur mes Izraelit dhe Iranit? Ka pasur qëndrime të përbashkëta apo të kundërta, nisur nga fakti që prezent ka qenë Ministri i Jashtëm i Turqisë?
Presidenti i Republikës – Patjetër, unë thashë që deklarata e Tiranës zyrtare u miratua nga shumica e vendeve pjesëmarrëse, kështu që kur them u miratua nga shumica, përveç Beogradit dhe Sarajevës, të tjerët nuk kishin asnjë lloj pretendimi. Ajo çfarë ne thamë, është qëndrimi zyrtar i Shqipërisë. Politika e jashtme e Shqipërisë është 100% e linjëzuar me atë të Bashkimit Evropian. Kemi hapur edhe kapitullin përkatës për këtë gjë dhe besoj se është gjëja e duhur që ne kemi bërë.
Faleminderit!

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular