Nga Eda Vela/Botuese e Shtepise Botuese MEDIAPRINT
Do të doja të të uroja për çmimin e merituar, por edhe të të falënderoja që i dhe dritë disa ngjarjeve jo të izoluara si një misionar i historisë që ndoshta ndonjëherë edhe pse gri, duhet treguar. Libri me tregime “Në emër të gjakut” më mbajti mbërthyer për t’i lexuar me një frymë tregimet, për të njohur më shumë për Tanën, Bukurien apo për mësuesin që nuk e mori dot gjakun e të vëllait. Teksa lexoja jam ndalur në plot çaste, për shkak të dramës së thellë që përmbajnë këto tregime, jo vetëm u pikëllova, por edhe u trondita se sa forcë dhe durim mund të ketë njeriu…. Vetvetiu, si lexues përjeton katarsis nga ky libër, i cili shpeshherë, të bën të ndalesh dhe të reflektosh me vete. Tek tregimi “Në emër të gjakut”, po mendoja: “Ahmeti ka ‘përligjur hakmarrjen’?!”, por menjëherë më ra poshtë teza, kur lexova tregimin “Liria për mos të vrarë”. Përveç rrëfimit të ngjarjes me vertetësi dhe sinqeritet njerëzor, çdo tregim ka një ariktekturë të gjallë mendimi dhe analizë që plotësohen kaq mirë me shprehjet që po i citoj më poshtë:
“Dikur, burrat tanë i vrisnin në luftë. Tani, vrasjet bëhen në rrugë, dhe plagët mbeten ndër gra…”
“Një komb që vështroi veten në pasqyrën e ferrit dhe nuk e njohu më.”
“Ky ditar nuk është vetëm për të kaluarën. Është për të ardhmen. Për çdo brez që vjen pas, që duhet ta dijë se çfarë ndodh kur ligji hesht, kur frika bëhet normë, dhe kur banditët marrin pushtet.”
“Tana ekziston. Si kujtim. Si dëshmi. Si zë. Dhe mbi të gjitha, si forcë. Forca e një dashurie që nuk kërkoi kthim, por vetëm kuptim.”
“Vetëm atëherë, kur t’i lëmë pas njollat e errëta të së shkuarës, mund të ecim drejt një shoqërie të lirë, ku jeta të mos ketë më frikë nga drejtësia dhe ku drejtësia të mos matet më me hakmarrje, por me njerëzi.”
Këto shprehje dhe ky libër mendoj se janë një testament për rininë shqiptare, që i njeh fare pak dramat e mëdha të historisë sonë. Si viti i mbrapshtë ‘97, prishja e marrëdhënieve me lindjen në vitet ‘60-‘70 dhe dramat sociale që solli kjo dukuri, personazhi i Llazit më kujtoi Dritëroin e madh kur takoi të birin në Rusi…
“Bab a më ke parë në ëndërr…
Sa prekëse, letërsia shqiptare i ka kaluar hendeqet e shumë viteve të tranzicionit dhe libri yt është dëshmi e gjallë e saj.

