Nga Uran Kalakulla
Nazizmi dhe komunizmi
Nazizmi zgjati 12 vjet, ndërsa stalinizmi 2 herë më shumë. Krahas shumë karakteristikave të përbashkëta, në mes tyre ka shumë ndryshime. Hipokrizia dhe demagogjia e stalinizmit, ishte e një natyre më të sterhollë, e cila nuk mbështetej në një program që ishte sheshit barbar, si ai i Hitlerit, por mbi një ideologji socialiste, përparimtare, shkencore e popullore, në syë e punonjësve; një ideologji që ishte si një perde e volitshme dhe komode për të gënjyer klasën punëtore, për të përgjumur mprehtësinë e intelektualëve dhe të rivalëve në luftën për pushtet.
Një nga pasojat e kësaj veçantie të stalinizmit, është ajo që mbarë populli sovjetik, përfaqësuesit e tij më të mirë, të aftë, punëtorë e të ndershëm, pësuan goditjen më të tmerrshme. Së paku 10-15 milionë sovjetikë, humbën jetën në dhomat e torturave të KGB-së, të martirizuar apo të ekzekutuar, si dhe në kampet e gulakëve e të të tjerëve si ata, kampe ku ishte e ndaluar të korrespondoje (në fakt ato ishin prototipe të kampeve naziste të vdekjes); në minierat nëpër akujt e Norilskut dhe të Vorkutes, ku njerëzit vdisnin nga e ftohta, nga uria, nga puna dërrmuese nëpër kantieret e panumërt, në shfrytëzimin e pyjeve, në hapjen e kanaleve dhe gjatë transportimit nëpër vagonë të plumbosur, apo në hambarët e përmbytur të anijeve të vdekjes.
Kultura ime mbi burgun
Në vazhdën e gjatë të leximeve të mia, nuk mbeti jashtë edhe ajo qe mund ta quaja jo letërsi e burgut, por letërsi mbi burgun, ku hyn tashmë edhe ky libri im. Dëshira për ta njohur sa më shumë botën, më shtyu, që në moshë të re, të ndjek edhe librat që flasin për vuajtjet njerëzore në burg, gjatë gjithë historisë së njerëzimit. Dhe arrita të mësoj diçka. Por është krejt tjetër gjë ta njohësh një dukuri shoqërore ndër libra apo ndër filma, qofshin këta edhe serioze, dhe tjetër gjë ta provosh jetën në burg në kurrizin tënd, sidomos burgun komunist.
Duke ndjekur hap pas hapi historinë e vuajtjeve njerëzore ndër shekuj, para se ta provoja vetë një gjë të tillë, jam përpjekur të mos më shpëtojë libër pa lexuar, kur kjo vuajtje delte me qartë në pah, si në historinë e mirëfilltë, në memorialistikë, qoftë edhe në letërsinë artistike me temë të kësaj natyre. Kështu mësova mjaft gjëra për burgun e Sokratit, burg që dukej si një shtëpi e zakonshme, dera e të cilit ishte e mbyllur me një shul nga jashtë e, ku dishepujt e tij shkonin e rrinin me orë e me ditë të tëra me mjeshtrin e tyre, për t’i mbushur mendjen që të mos e pinte kupën e helmit, me të cilën e kishte dënuar gjyqi athiniot i Agorasë.
Po kështu burgun famëkeq të katakombeve romake, ku ishin mbyllur kristianët e parë, me Pjetrin në krye, burgun e Kampanelës, atë të Tomas Morit, të Eskurialit spanjoll, të Sant-Anxhelos romane e papale, të Bastijës së Parisit, burgun milanez të Silvio Pelikos, si dhe atë të Spielbergut austriak të Habsburgëve, Petropavlovkun e Cernishevskit apo “Shtëpinë e të varrosurve të gjalle”, të Dostojevskit, burgun e Barit të Antonio Gramshit, Moabitin berlinez të Dimitrovit dhe, së fundi, atë amerikan të Juxhin Denisit, sekretarit të përgjithshëm të Partisë Komuniste Amerikane, të cilin kundërspiunazhi e kishte kapur me presh në duar, si agjent të KGB-së sovjetike.
Po kisha lexuar pastaj edhe “Burgun” e Haki Stërmillit e kisha dijeni edhe për burgimin e Qemal Stafës e internimin e tij në Paftal të Beratit, ashtu si dhe mbi burgjet fashiste dhe internimet në ishullin e Ventotenes, ku ishin mbyllur si antifashistët italianë, ashtu dhe ata shqiptarë. Por sot, pas përvojës sime dhe të shokëve të mi bashkëvuajtës mbi burgun komunist, që na ra neve në pjesë, nuk mund të rri pa përmendur disa raste tipike mes këtyre burgjeve të mësipërm, duke i krahasuar ato me burgun tim e, të shokëve të mi, pra mes burgut para-komunist dhe atij komunist, në mënyrë që lexuesi ynë të nxjerrë vetë përfundimet e duhura.
Në veprën e tij mbi burgun, me titull “Burgjet e mia”, Silvio Peliko, që në faqet e para, kur ai ishte ende në hetuesi, në Milano, tregon se si në qelinë ku e kishin mbyllur (dhe ajo s’ishte aspak një qeli, por një dhomë e rregullt, me komoditetet e duhura), tregon se si gardiani jo vetëm që i sillte gjithë të mirat që kërkonte i arrestuari (qoftë edhe me paratë e tij), por rrinte me orë të tëra për t’i bërë shoqëri që të mos mërzitej, duke iu drejtuar me emrin “zotëri”, madje duke e porositur që të mos komunikonte me të burgosurit e tjerë të atij burgu, se ishin ordinerë dhe nuk i kishte hije aspak të merrej me ta…! Dhe, pra, Silvio Peliko ishte anëtar i një organizate revolucionare dhe luftarake, si ajo e Mazinit, që kishte marrë përsipër luftën e armatosur kundër zaptuesit austriak, në kohën e Risorxhimentos, për çlirimin dhe pavarësinë e Italisë, siç ndodhi në fakt.
Lenini, në birucën e tij në fortesën e Petropavllovskit, merrte me porosi shporta të tëra me libra nga familja e miqtë e vet, kishte një shtrat si në shtëpinë e tij, me dyshek, çarçafë, tryezë shkrimi dhe i çonin ushqime sa të donte. Dhe për veprimtarinë e tij revolucionare, gjykata cariste e dënoi vetëm me 14 muaj izolim dhe me tre vjet internim në Siberi, ku ai jetonte në një shtëpi të mirë, ku mori me vete edhe të shoqen, Krupskajën; ku kishte libra boll e, ku shkruajti atje edhe një nga veprat e tij të njohura; kishte të drejtë të bridhte ne gjithë guvernatorin e vendit, pa i hyrë ferrë në këmbë. Madje, kishte çifte e qen gjahu, e kështu me radhë. Dhe kur erdhi vetë në pushtet, dihet se si i trajtoi pastaj kundërshtarët e tij. Dhe këtë s’e them unë, por vetë biografitë e tij zyrtare komuniste.
Antonio Gramshi, themeluesi dhe kryetari i Partisë Komuniste Italiane, në burgun fashist të Barit, i shkruante një shokut të vet të dikurshëm, e që atë kohë punonte si diplomat në ambasadën italiane të Musolinit, në Berlinin nazist, dhe i kërkonte libra origjinalë të Marksit, sepse nuk i pëlqenin ato që botoheshin në Moskë, se duket kishte parë “rregullime” në to. Dhe shoku i tij ia dërgonte nga Berlini drejt e në burg dhe policët e burgut ia dorëzonin, pa ia hapur.
Studentin universitar të Padovas, shqiptarin Muzafer Pipa, qeveria fashiste e Musolinit e arrestoi në prill te 1939-ës, sepse ky, bashkë me shokët e tij studentë bashkëkombës, në shenjë proteste ndaj zaptimit të Atdheut tonë, ia nisi, në një kafe mu në qendër të qytetit, këngës patriotike, me plot zërin: “Vlora, Vlora …/ bjeri më të lumtë dora”! Dhe më pas e syrgjynosën në ishullin famëkeq të Ventotenës, por ama e lejuan të kthehet në universitet për të dhënë provimet e fundit e, për të marrë diplomën për jurisprudencë. Dhe kur i diplomuari u kthye në Atdhe, e emëruan gjykatës, pavarësisht se Muzaferi nuk pranoi dhe u bë vetëm avokat. Qemal Stafën, që ndodhej ende në burgun politik të Tiranës (burgu i vjetër), kur i vdiq i vëllai, Veliu, qeveria e Mbretit Zog e lejoi të dalë nga burgu e të shkojë disa ditë në shtëpinë e tij për të bërë zakonet e duhura.
Ndërsa mua, qe kisha dalë ndërkohë nga burgu dhe ndodhesha në internim me gjithë familje, në një fshat të humbur të Kavajës, brenda gjashtë muajve më vdiqën në Tiranë nëna e motra dhe nuk më lanë fare të shkoja në varrimin e tyre, megjithëse në rregulloren e Ministrisë së Brendshme, shprehej qartë se në raste të tilla, i internuari kishte të drejtë të vente me leje të posaçme.
Motrën time më të madhe se unë, policia fashiste e kapi me presh në duar, tek shpërndante trakte kundër fashizmit, në një rrugë të Tiranës. Shoferi italian i makinës që e përcillte për në burg, ia fshehu traktet dhe kështu asaj në kontroll nuk i gjetën gjë në trup. Dhe gjyqi ushtarak e dënoi me tre muaj arrest shtëpie, që të mos delte në qendër. Kurse ajo, pas një jave, doli përsëri, sikur s’kishte ndodhur gjë!
Ali Kelmendin, të dërguarin e Kominternit në Shqipëri, xhandarmëria e Mbretit Zog e kapi me fakte, por nuk e burgosi dhe e izoloi vetëm në Gjirokastër, ku i jepte çdo ditë një frangë ari, kur punëtori me kazëm nuk di a i merrte atëhere 3 lekë në ditë (1 frangë ishte 5 lekë). Pastaj, kur u sëmur, e lejoi të ikte në Francë ku edhe vdiq.
Po kështu dy anëtarë aktivë të Grupit Komunist të Korçës, Koçi Xoxen dhe Pandi Kriston, qeveria e Zogut “i internoi” në Peshkopi dhe u jepte edhe atyre nga 1 frange ari në ditë. Dhe ata bënin pallë gjithë ditën, madje duke sharë qeverinë e duke bërë propagande komuniste. Besoj se s’ka nevojë të zgjatem më për të sjellë fakte të tjera.
Shteti-burg i partisë-shtet
Shteti dhe burgu historikisht janë të pandarë, si një fatalitet, si një simbiozë e pashmangshme e gjithë historisë njerëzore.
Shteti është padroni, burgu është polici që e ruan këtë padron, siç ruan qeni të zotin e shtëpisë. Sigurisht bashkë me policin hyn edhe spiuni e xhelati. Dihet që spiuni “vigjilon”, ruan fort e më thelle se polici, pastaj është ky i fundit që vete dhe e rrëmben fajtorin a kundërshtarin dhe ia dorëzon xhelatit që, e thënë me eufemizëm, mund të quhet hetues apo gjykatës. Dhe janë bishtat e këtyre që i japin fund më pas dramës, domethënë xhelatët që e ekzekutojnë vendimin, ose që i marrin shpirtin dalëngadalë të dënuarit.
Kur shteti quhet demokraci dhe njeriu nuk përgjohet e dënohet për mendimet e tij, për protestat e tij paqësore, shteti fle disi më i qetë dhe burgu bluan vetëm disa koka të egra, me tru të thartuar e me shpirt kafshëror, të cilat kanë prirje të kafshojnë si shtetin nga pak, por më shume qytetarë të ndryshëm, për t’i grabitur a për t’i vrarë, si xhelatë, nën pagën e tjetër kujt, a si përdhunues të grave e fëmijëve. Dhe atëherë dhuna e shtetit mbi këto egërsira me fytyrë njeriu, është jo vetëm e drejtë, por e domosdoshme, si një higjienë publike.
Por ama kur shteti quhet diktaturë e, veçanërisht diktaturë komuniste, atëhere është shteti në rolin e kriminelit dhe polici, hetuesi, gjykatësi, xhelati, nuk janë veçse ingranazhe që kanë detyrë të bluajnë mishrat, kokallat e të shtrydhin gjakun e të dënuarve, për t’ia servirur si ushqim përbindëshit që quhet diktator dhe atyre që i rrinë afër, në shërbim të drejtpërdrejtë të tij, gjithnjë të bindur e servilë, detyra e parë e të cilëve është të glorifikojnë kanibalizmin.
Kështu nën diktaturë e sidomos atë komuniste burgu kthehet në një lloj mulliri të stërmadh, që e bluan një pjesë të mirë të popullit të kthyer në skllav dhe që shërben, për pjesën tjetër, si një gogol, që t’i kallë tmerrin edhe natën në gjumë. Në shekullin tonë, ndër më të përgjakshmit e historisë njerëzore, si nga thellësia e ferrit, dolën mbi sipërfaqe të tokës tre përbindësha, sa të shëmtuar e të stërmëdhenj, aq edhe të rrezikshëm e gjakësorë. Dhe shi në trevën evropiane, pra në zemrën e botës, në vatrën e kulturës që nga lashtësia e këtej, asaj që vërtetë me dhimbje arriti të ngrejë, me në fund, bazat e demokracisë dhe të humanizmit.
Njëri nga këta përbindësha që fashizmi italian, i cili mundohej të shpërbënte shqipen e lashtë, por ama më tepër si karikaturë, si farsë, se sa si një mendësi, edhe pse kishte oreksin e ulkonjës. Një oreks i madh, por takat-vogël. Përbindëshi i dytë doli nga mugëtira e pyllit të zi, si një fantazmë e skutave tribale teutonike, me brirë demi të egër mbi kokë, i veshur i tëri në çelik, me dhembët e mprehtë e gjithnjë të kërveshur si të panterës, me ethen e madhe të gjakpirjes në zemrën e tij kafshërore. E ky përbindësh ishte nazizmi gjerman!
Por edhe më herët se dy të parat, doli nga thellësia e tajgave siberiane, me gjak të përzier rusi e kalmuku, skllav i kohës së Herodotit, qimekuq e morra-ngrënës, me kryet mbuluar me kaftan e mjekër deri në brez, si një pop i shqeve, armatosur në njërën dorë me draprin therës dhe tjetrin çekanin dërrmues kafkash, si për të thithur gjakun e viktimave të tij, ashtu edhe për të rrufitur trutë. Dhe ky përbindësh ishte bolshevizmi rus!
O Zot i madh, çfarë shëmtirash dhe egërsirash na nxori në shesh ky shekulli ynë i njëzetë! Dhe pa shih, ky fat i kobshëm i takoi edhe Shqipërisë sonë të vogël dhe aq të shumëvuajtur, pikërisht kur sapo kishte nisur të ngrejë disi kokën në dritën e diellit, të shërojë plagët e së kaluarës dymijë vjeçare e të ecte në udhën e paqes e të përparimit me dritën e flamurit të Skënderbeut në sy. Dhe më gjatë, më thellë, më rrënjësisht e dëmtuar, Shqipëria e vogël, mbajti mbi kurriz bolshevizmin me një emër edhe më qesharak e të shëmtuar, me emrin; “enverizëm”. Ja, ky ishte, në thelb, shteti-burg i partisë-shtet.
E qeshura e hidhur!
Në faqet e këtij libri lexuesi do të ndeshë edhe pikëllime të humorit, të të qeshurës. Ato duken si një kundërshti flagrante me realitetin, me mjedisin, me jetën e burgut. Por mos u ngutni. Edhe në burg kishte një lloj jete, që më shumë se e tillë, ishte, në fakt, një vegjetimi, një lloj mbijetese, sa kohë që njerëzit fatkeq aty arrinin ende të merrnin frymë. Një dijetar ka thënë se; e qeshura është mbijetesë, është shëndet i trupit dhe i shpirtit. Por ama ka të qeshur e të qeshur.
E qeshura e fëmijës është si lulja që shpërthen, si cicërima e zogut në pranverë, që i gëzohet stinës së ngrohtë, pas acarit dimëror. E qeshura e nënës është vijim i së qeshurës së fëmijës kur ajo i gëzohet lindjes, rritjes dhe lulëzimit të tij. E qeshura e burrit të pjekur, ka në vetvete talljen ndaj vesit dhe karikaturës së jetës. E qeshura e plakut, përkundrazi, ka në vetvete një lloj qortimi, një lloj ironie, hera-herës cinike për shëmtirat e kotësitë e shoqërisë dhe të vetë natyrës njerëzore. Po e qeshura e burgut? Ajo është afër asaj të plakut, por më e thellë, më cinike, më afër sarkazëm, në mos qoftë vetë sarkazma. Dhe e dinë të gjithë që sarkazma është e qeshura e hidhur, shafran. Kush ka dëshirë të shtyhet fort tek e qeshura, po desh le të lexojë librin me të njëjtin titull të filozofit frëng, Henri Bergson.
E qeshura në burg i ngjan një tragjikomedie. Dhe nëse komedinë e krahasojmë me ngjyrën e bardhë, dhe tragjedinë me të zezën, dihet që përzierja e tyre jep të murrmen, atë gri që ka nuancat e trishtimit dhe të pesimizmit të shpirtit. Janë të kësaj teme “poetët e mallkuar” francezë, si Pol Vërleni, Artur Remboja etj. Por e qeshura e burgut ia kalon, në trishtimin e vet, edhe trishtimit të këtyre poetëve të mallkuar. Sepse ajo lind në një vend njëmijë herë më të trishtuar se jeta bohemiane e poetëve të përmendur. Ajo lind në qelitë e burgut, në galeritë e minierave, në kaushët e burgut të Burrelit, nën çizmen e policit dhe nën syrin prej gjarpri të operativit. Ajo lind në terrin e zymtë, si terri i ferrit, i diktaturës komuniste.
Ç’është e vërteta, të qeshesh në trishtim, të qeshësh në vaj, për mua nuk është aspak dobësi, as marrëzi, përkundrazi është burrëri. Ka pasur burra që edhe kur i kanë marrë për t’i varur apo pushkatuar, kanë vënë buzën në gaz dhe i kanë thënë vdekjes; plaç. Se çfarë lloj gazi është ky, lexuesi le ta gjejë vetë, ndaj mos u çudisni aspak nëse, në faqet e librit tim mbi botën e trishtimit, të zisë dhe të tmerrit, do të gjeni, hera-herës, ndonjë rreze drite, ndonjë tingull të së qeshurës, ndonjë njollë gëzimi. Dhe e qeshura në burg ndillej nga karikatura që kishin vetëm siluetën njerëzore, qofshin këta të burgosur apo policë të rangjeve a gradave të ndryshme.
Fataliteti historik
Lindja e komunizmit qe, pa dyshim, një fatalitet historik, sidomos Revolucioni Bolshevik i Tetorit 1917, që solli në pushtet variantin më të skajshëm dhe më mizor të kësaj teorie, variant që, siç u provua në skenën botërore, në vend që t’i çonte masat e gjera dhe të varfra të popujve drejt lirisë dhe mirëqenies së premtuar, i zhyti ato edhe më keq në mjerim, në skamje, në një skllavëri të vërtetë, në ligjërimin e krimit masiv, shtetëror.
Ka një ndryshim thelbësor mes marksizmit klasik dhe bolshevizmit. Shteti i marksizmit, nuk do të ishte aspak Rusia muzhike, por Anglia, Gjermania, Franca, ku dihej se kishte një klasë punëtore shumë më të zhvilluar, madje edhe numerikisht, dhe liderët evropianë nuk kishin aspak shpirtin cinik dhe kriminal të bolshevikëve rusë. Është thënë e stërthënë se bolshevizmi rus, megjithëse si teori bazohej në mendimin evropian, pra marksist, si praktike ai kishte shpirtin aziatik. Yryshin kafshëror të stepës ruse si dhe torturën e stërholluar dhe djallëzore aziatike, kinezo-mongole.
Unë kam bindjen sikur të vazhdonin të jetonin Marksi dhe Engelsi në republikën sovjetike të Leninit e, sidomos të Stalinit, ata patjetër do të kishin përfunduar të pushkatuar nga skuadrat e Çekes së Xherxhinskit, si armiq të revolucionit bolshevik. Pse, a nuk vdiq i izoluar dhe i indinjuar Plehanovi, babai i marksizmit rus, më 1919, pasi pa tmerrin me sytë e vet dhe tha atë shprehjen e famshme se; “Lenini është i çmendur”? Po sikur të kishte vazhduar të jetonte edhe nën Stalinin, çdo ta kishte gjetur vallë? A nuk do ta kishte pësuar si Zinovievi, Kamenievi, Trocki, Buharini e shokët e tyre?
Jo, nuk ishte as Kautcki dhe as Libnehti, e madje as Roza Luksemburgu, revizionistët e vërtetë të marksizmit klasik, por ishte bash vetë Lenini, i pari, dhe me pas Stalini, gjoja ky “nxënës besnik” i Leninit. E kështu me radhë, nga këta tek dishepujt e tyre, edhe në vendet e tjera ku triumfoi kjo farë e keqe: maoizmi, hoshiminizmi, kimersenizmi, polpotizmi, kastrizmi, çausheskizmi, deri tek titizmi dhe së fundi tek enverizmi!
Kush të dojë të sqarohet më tej teorikisht, le të lexojë, po të dojë, vetëm një libër të Karl Kautckit, me titull “Komunizëm dhe terrorizëm”, që të shohë se si i trajton marksisti klasik gjerman, si terrorizmin jakobin, ashtu dhe terrorizmin bolshevik, duke e denigruar edhe më keq këtë të fundit. Tash së fundi, është përhapur në Evropën Perëndimore e, në mos gaboj edhe ne SH.B.A.-ës, një libër, mjaft voluminoz, me titullin domethënës “Libri i zi i komunizmit”, me nja gjashtë autorë: francezë, polakë, hungareze. Me fakte, me dokumente, me statistika, me foto, ai libër i bën analizën, historikun, duke i nxjerrë zorrët në shesh murtajës komuniste, që nga Bashkimi Sovjetik e, deri aty ku u bë sistem shtetëror kjo farë e keqe, në Evropë, në Azi, në Afrikë dhe Amerikën Latine.
Madje në atë libër është edhe Shqipëria e kohës së Hoxhës, e njohur, për fatin e keq, pak dhe jo saktë, për mungese informacioni; tjetër harresë dhe diskriminim fatkeq ky për vendin tonë të shumëvuajtur…! Unë që flas kështu, nuk kam qenë kurrë marksist. Jam dhe do të vdes, përkundrazi, antimarksist, për shumë arsye. Por dua të theksoj se po të shkruaja një komedi hyjnore sipas shembullit të fjorentinit të madh, Marksin do ta lija në pragun e ferrit, në mos në purgator, si dijetarët e lashtësisë klasike, që ishin paganë (meqë Dantja, dihet, ishte katolik i bindur), kurse bolshevizmin e çdo lloj varianti të tij komunist, do ta kisha futur në ferr, përtej rrethit të nënte, te gropa e Luçiferrit, në mos edhe më thellë!
Në këtë plan, unë kam bindjen se, sikur Revolucioni Bolshevik të mos kishte triumfuar në Rusi më 1917, jo vetëm që do të ishin kursyer milionat e viktimave atje, që nga ai vit e deri më 1990, por Rusia do të ishte zhvilluar në rrugën e demokracisë si vendet e Evropës Perëndimore, e pse jo edhe si Amerika. Po kështu, sikur në Shqipërinë tonë të vogël e tepër fatkeqe, të mos kishte ardhur në pushtet hoxhizmi, vendi ynë sot do të ishte prej kohësh në Evropen e Bashkuar, edhe më parë se Greqia dhe do t’u jepte kredi e ndihma vendeve të Ballkanit, duke u dhënë njëkohësisht normat e demokracisë perëndimore, dhe pa asnjë synim shovinist në kuadrin e “panortodoksizmit integral”, kur dihet fare mirë, tashmë edhe nga të huaj, se ne shqiptarët kemi qenë historikisht e vazhdojmë të jemi për liberalizimin e plotë të feve, për harmoninë mes tyre e pa asnjë prirje nacionalizmi të sëmurë, që degjeneron në shovinizëm të tipit serb! Memorie.al