Në ambientet e Pallatit të Sportit “Fahrie Hoti” nisi dje procesi i rinumërimit të votave për katër qarqe. Fillimisht u hapën 97 kuti në bashkitë e Gramshit dhe Peqinit.
Hapja u bë vetëm për materiale zgjedhore dhe jo për efekt rezultati. Kjo, për të vërtetuar fletët e votimit, pasi Partia Demokratike pretendon për aplikimin e skemës së “trenit bullgar”. Bledi Himçi nga Partia Demokratike kundërshtoi rezultatin me pretendimin se në njërën prej kutive të para të hapura u konstatuan 2 fletë votimi pa vulë. “Kjo kuti të dalë e pavlefshme. E kemi konstatuar nga pamjet filmike dhe po e shikojmë edhe këtu, është një situatë skandaloze. Ka vetëm një vulë dhe vazhdojnë e konstatojnë si të vlefshme. Kjo s’ka vulë fare, është quajtur e vlefshme. Duhet bërë edhe korrigjimi i tabelës dhe konstatimi për pavlefshmëri të kësaj kutie. Futet një fletë bosh që ka krijuar trenin bullgar, është që kjo kuti të dalë e gjithë e pavlefshme”, – deklaroi Himçi.
Kurse përfaqësuesi i KAS u shpreh: “Ne nuk shkojmë tek rinumërimi, se kjo që thua ti është rinumërim. Jemi duke rivlerësuar provat për efekt të pavlefshmërisë. Shkojmë në konstatimin e tyre që janë me mangësi formale dhe evidentimin tyre në procesverbal. Pastaj për efekt ligji, KAS ku ka numrin e fletëve të votimit, të konstatojnë të parregullta në raport me numrin e fletëve të votimit të dala në kuti, vlerësojmë nëse kjo kuti ka elemente për t’u shpallur e pavlefshme. Jo rinumërim. Numëruesi nuk e ka autoritetin me thënë që kjo është votë e parregullt, atë e vlerëson KAS, numëruesi thotë kjo fletë votimi nuk kishte këtë elementë, ishte konstatuar e rregullt, por mungojnë vulat”.
Menjëherë pas përfundimit të rishikimit për Elbasanin, do të vijojë puna për 1284 kutitë e Tiranës, pasi rinumërimi do të zhvillohet për subjektin politik dhe për kandidatët. E njëjta procedurë do të ndiqet edhe për të gjithë qarkun e Fierit, ndërsa për Durrësin do të rinumërohen 360 kuti, përfshirë 85 nga diaspora. Procesi do të shtrihet për rreth 1 muaj dhe po realizohet me 24 grupe pune dhe 63 punonjës të administratës zgjedhore, ku nuk do të përjashtohen vëzhguesit e 3 subjekteve politike që kanë ankimuar vendimin. Me rinumërim të votave, mundësia për ndryshim të emrave kandidat fitues është relativisht e ulët, mundësia ekziston për 2-3 raste ku mandat i deputetit është fituar me më pak se 500 vota, si Olta Xhaçës përball Blerian Gjylametit apo Ornaldo Rakipit përball Qemal Xhefalisë në Tiranë, ndërsa në Fier Adriatik Lapaj kërkon mandatin e humbur me diferencë 500 vota për kandidatin Azmer Duleviç.
Vendimi për rinumërimin e votave u mor nga dy anëtarët e Komisionit të Ankimimeve dhe sanksioneve pas ankimimeve të subjekteve politike për parregullsi në proces. Tashmë nis numërimi i votave për efekt rezultati në dy qarqet që kanë numrin më të madh të mandateve në vend, Tiranë e Fier. Në Tiranë, Partia Demokratike kërkon që të rifitojë një mandat që iu mor me një diferencë të ngushtë nga Partia Mundësia e Agron Shehajt. Ndërkohë në Partinë Socialiste janë disa kandidatë që shpresojnë për vota më shumë, duke qenë se janë ndarë në një rezultat të ngushtë nga kolegët e tyre në zgjedhjet e 11 majit. Si në Tiranë dhe në Fier rinumërimi i votave do të bëhet i plotë, si për subjektet politike ashtu edhe për kandidatë. Një tjetër qark i rëndësishëm është edhe ai i Durrësi. Atje ka pretendime që më së shumti janë mes PD-së.