Rasti i fundit në Elbasan, ku tre punonjës policie u arrestuan pasi lejuan arratisjen e një personi të ndaluar, nuk është një ngjarje e izoluar. Shifrat zyrtare tregojnë një situatë shqetësuese brenda Policisë së Shtetit.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), në vetëm pesë muajt e parë të vitit 2025, janë referuar për ndjekje penale 131 efektivë policie, duke shënuar një rritje prej 40% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. 56 prej tyre janë arrestuar, kryesisht për shpërdorim detyre, korrupsion dhe veprime të paligjshme.
Hetime të tjera, të ndihmuara nga dekriptimi i komunikimeve të enkriptuara, kanë zbuluar lidhje të drejtpërdrejta mes punonjësve të policisë dhe grupeve kriminale. Në një nga operacionet e fundit u zbuluan dy punonjës policie të përfshirë në rrjete kriminale. Edhe më herët, në muajin mars, katër efektivë të tjerë u vunë nën hetim, përfshirë drejtues policie në Himarë, Sarandë dhe Lushnjë, të dyshuar për kultivim dhe trafikim të lëndëve narkotike apo ushtrim ndikimi të paligjshëm.
Raporti konfidencial i Komisionit Europian për sundimin e ligjit në Shqipëri ka evidentuar këtë fenomen, duke theksuar rritjen e aktivitetit hetimor të AMP. Vetëm vitin e kaluar janë trajtuar mbi 1,700 ankesa nga qytetarët dhe janë marrë më shumë se 3,300 denoncime, që kanë çuar në ndjekje penale 463 punonjës policie.