-Shkrimtari Ahmet Prençi në prozë të shkurtër, për t’u lexuar gjatë. Vështrim për librin “Në emër të gjakut”.
Ҁdo shkrimtar ka udhën e vet. Disa shpërthejnë në rini, për të “mos pushuar”, të tjerë bien në heshtje shpejt, duke u lënë vend zërave të rinj.Ka një takëm tjetër, që mendohen gjatë për t’u futur në letërsi, por kur “hedhin hapin”, nuk mund t’i ndalësh. Me këtë lloj shkrimtari më ngjason Ahmet Prençi që sapo është shfaqur librin e ri “Në emët të gjakut”.
Siç kam shënuar hershëm, Ahmet Prençi i mati me kujdes hapat. U mendua mirë,gërmoi me urtësi brënda vetes, u “përlesh” në heshtje me vetveten se ç’mund të sillte në letrat shqipe. Librin e parë “Udhë në Pasqyrë” e botoi kur thinjat po i shfaqeshin si relike dhe kujtesë. Ato kohë, shkrimtari Besnik Mustafai, një mentor vërtet besnik siç ka emrin, do ta krahsonte me Naim Frashërin që mbante ofiqe turke, ndërsa Prençi “ofiqe shiptare”. Ai vëllim poetik më erdhi në Minneapolis. “Udhë në pasqyrë” ishte një fillim serioz. Poeti Prençi kishte realizuar një ëndërr të bukur.Vargjet e tij për Drinat, për Korabin,vendlindjen, të shkuarën, dashurinë, lindjen,vdekjen dhe të ardhmen vinin si një zgjim “për të mbetur zgjuar”. I çiltëri nga Reçi, e kishte mbushur shpirtin me pjalm krijues dhe kur më vizitoi për herë të parë në Amerikë (2017) më tha “Le të bëjmë gjëra që dimë t’i bëjmë mirë”. Ishte si një “pickim blete” që të duket sikur largon reumatizmën.
Pas librit të parë me poezi, në kohën e mbylljes pandemike të Covid-19, do më sillte draftin e parë të romanit “Anja”. U befasova. “Nga poezia direkt tek romani ky djalë?”pyesja veten.Më dukej një “trihapsh letrar” i guximshëm. Ngela pa gjumë duke e lexuar dhe duke shënuar sugjerime kritike. “Ҁfarë kapërcim i bukur”, mendoja ndërsa jepnim e merrnim në mesnata kontinentale që “Anja” të nderonte autorin.Nuk kam ndjerë gëzim më të mbarë se sa “ringjallja” letrare që bartte Prençi, jo vetëm për vete, por edhe për mua, “ikanakun në Amerikë”.Fill pas suksesit të bukur të “Anjës”, ai do më dërgonte dorëshkrimin “Brenga e Prokurorit”. Një tjetër befasi tronditës që përmes një “nyje letrare” bashkëlidheshin romanet me një hark shpirtëror, ku lexuesi humb në një rrëfim-ujvarë me turbulenca shoqërore e befasi.
Ndërsa udhëtonim bashkë tetorin e shkuar(2024) në brigjet perëndimore të Amerikës, në Kaliforni dhe valët e Paqësorit përplaseshin duke u shkumëzuar para syve tanë me një ngarkesë ajrore oqeanike, mbi timon, por vigjilent, gati i bërtita Ahmet Prençit: “Duhet të shkruash romanin tjetër.Duhet të besh trilogji, sepse e ke mundësinë dhe po me bën xheloz, po ta them”. Ai qeshi “Kujdes shiko timonin se mos na gremisësh në Paqësor dhe bëhemi lajm i ditës në Shqipëri, se këtu nuk pyet kush, as për ty, as për mua”, ma ktheu duke qeshur.
Ndërsa prisja që Ahmet Prençi të mbyllte aventurën e prozës së gjatë me “trologjinë” ku e kisha cytur (Që e bën atë të veçantë), pa pritur, krejt befasisht në pranverën e prilltë 2025, ai kishte shpërthyer në prozën e shkurtër dhe më shkruante: “Nuk mbahem dot. Po shkruaj pa pushim si i marrë e si detyrim ndaj heroizmit të heshtur shqiptar.Lexoji dhe më jep mendim. Nuk po ndalem dot, besomë….”
Unë “shfletoja” në qelq prozën e shkurtër të Ahmet Preçit, dhe sillja në kujtësë “kohën që iku”, kohën e “plumbave rrëke” nga qielli i çmendurisë shqiptare. Deri vonë do qerrosja sytë nëpër ekran duke u rrokullisur me kujtimet që kisha marrë me vete. “…Unë dëshmoj bashkë me ty. Rrëfen bukur në prozën e shkurtër”-i shkruaja. Në fakt libri ishte i kryer. Tregimet, novelat, përkushtimi i spikatur,të gjitha ishin gati. Kisha dëshirë të korigjoja ndonjë fjali, por jo. Ҁdo gjë ishte qëndisur në shpirtin e autorit, që qartësisht rrëfente vetveten, dëshmonte triumfin e heshtur, nderonte “ushtarët e paemër”, sinqeritetin atdhetar të shqiptarit të vërtetë, ligjzbatuesit që merrnin shërbimet me “ vaktin me vete”, por magjishëm nderonin përkushtimin solemn ndaj Atdheut dhe Kushtetutës.Ndaj askujt tjetër.
“Në emër të gjakut” është një rrëfim shpirtëror disadimensionsh, një shjtellim letrar i arrirrë,ku shpaloset një kohë dramatike,duke ngritur në art “të padukshmen” e vitit ’97-të. Në krye, vet autori e thotë qartë “ …çdo përqasje me personazhe dhe ngjarje të vërteta nuk është rastësi” dhe ndërsa e deklaron këtë me guxim, ai nuk bën kujdes për të qënë “politikisht korrekt”, si dëshmitari real i rrëfimeve të veta, të skalitura me daltën e shkrimtarit, sikur lutet dhe bërtet me dhimbje dhe dashuri “Lexojeni këtë libër për të mos harruar kurrë dhimbjen…që ta mbani mend. Sepse harresa është fillimi i përsëritjes”. Në këtë plan, besoj se Prençi ka futur njëhërësh në “magjen krijuese”, letërsinë dokumentare, faktet e njohura, me pasionin e rrëfimit të figurshëm artistik.
I gjithë libri është një “akt-akuzë letrare” me një vetëdije të qartë: mos harroni. Mos bini tek “e njëjta grackë”. Me sa duket ky është “marazi historik” që ka jetuar gjatë me fantazinë e autorit. Ai ka flakur “sjelljen diplomatike” dhe rrëfen shqeto,bukur,plot gjallëri. Mbetet i qartë. Tërë nerv dhe emocion, nga “Ditari i marsit të zi”, “Pallati presidencial që nuk ra” deri tek “Liria për të mos vrarë” apo “Masakra e romëve” me fuqinë e fjalës së vet të zgjedhur artistikisht dhe latuar në netët pa gjumë, na sjell panorama e trishta të kohës që jetuam… “Qytetet ishin kthyer në arna të zeza pa rend, ku krimi, pasiguria dhe paniku mbretëronin si fantazmat e një bote që kishte pushuar së qeni. Rrugët ishin bosh, jo nga mungesa njerëzish, por nga frika që zinte vend në çdo hap”.Lexon dhe nuk të shkon mendja të shohësh “film tjetër”.Fjala “përkthen” në celuliodin e trurit skenat e harruara, me kuje, ankth e “harta gjaku” në subkoshiencën e lexuesit pa nevojë të verbohet në ekrane. Kjo është meritë.Libri në fjalë mbetet “dritare e hapur”, ku vështrohet emocionalisht një e shkuar për të mos u përsëritur kurrë.
Kulmi i vetrrëfimit të ish-kryepolicit shqiptar, natyrisht mbetet “ngjarja e jetuar” ku atij i ranë tragjikisht në kurthin e pabesisë “policët që komandonte” drejt misionit në emër të ligjit.Ky rrëfim është një vulosje letrare e përlotur dhe lapidar kujtese për të gjithë ata intelektualë të rinj, si vetë autori, që besuan, se pabesia, intriga,dhuna e shtetërore dhe gjaku pafajshëm ishin “fenomene të dikataturës” jo të demokracisë që po i shërbenin. Tregimet e Ahmet Prençit të rrëmbejnë dhe befasojnë si ato të O’henrit amerikan. I kthellët, emocional, i vërtetë e po aq i befshëm e njerëzor, ai rrëfen shkurt, duke bërë “tradhëtinë” e parë letrare me “një hap prapa” drejt prozës së shkurtër, për të rrëfyer e për t’u lexuar në kohët që do vijnë. Një ditë njerëzit do të pyesin “Ҁfarë ishte viti 97-të”? dhe jam i sigurt, duke sjellë instiktivisht “Viti ‘93” to Viktor Hygoit, pa mëdyshje do thuhet: “Lexoni një libër të Ahmet Prençit titulluar “Në emër të gjakut”…, ose shkurt: Viti 97-të.
Besoj se “një hap pas” nga dy romanet e njohura , është e përkohshme, thjesht një shpërthim fantazie ose një amanet që duhej kryer. Prençi do dijë të përmbyllë trilogjinë e vet që ka filluar me “Anjën” e “…Prokurorin” sepse edhe aty ka “borxhe të papaguara”…
Ndihem me fat që të “rikuperoja” miqësinë me Ahmet Prençin. Për këtë merita është “e imja” që nën një çadër verore në Amerikë, vështroja një “çadër në bulevard” të Tiranës, ku befas ishte duke folur Ahmet Prençi. “Po ky, akoma nën çadër?” dhe telefonova. Ajo “kohë çadre” na bëri miq përsëri e krejt të veçantë, që edhe po patëm “qejfmbejte”, do mbetemi dy shkrimtarë që kemi shëtitur Amerikën si asnjë tjetër nga Shqipëria.
Kthehemi përsëri tek libri-jehonë “Në emër të gjakur”. Mua më përzuri nga Atdheu kaosi dramatik i vitit 1997.Nuk desha të ikja.Kisha qënë dy herë në Amerikë dhe e pashë se ishte e madhe , por po aq e “e vogël” sa apartamenti im në Allias. Isha kthyer me ëndërrimin të “bëhej Shqipëria Amerikë” por viti 97-të varrosi dëshirat e mia.Ndaj ky libër i mikut tim është “shkruar edhe për mua”, për ikjen time, për atë çast-vendimi kur diku pranë Dajtit e buzë Lanës, duke pirë kafe me dashurën time Alma, një plumb qorr ra mbi tavolinë.U trembëm, por patëm fat. Të shokuar ne nuk folëm. Pamë njëri tjetrin në sy dhe thamë “Duhet ikur…Duhet ikur”.E mora me vete atë plumb të shtrembëruar nga rikosheta, që sikur përcëlloi duart e mia, e mbështolla në një copë letër dhe e ruaj ende në Amerikë si “dëshmi e fatit të ikjes”.Ishte një plumb “mëshirues”. Nuk na vrau, nuk na plagosi. Ra mes filaxhanëve të kafesë. Me plumbin-rikoshetë në dorë sërish mendoj për këtë libër me titull të trishtë, “Në emër të gjakut”, e vijnë në mendje fjalët e Ҁurçillit: “Për veten time jam një optimist se nuk ja vlen të jesh asgjë tjetër”. Këtë ndjenjë të ngjall libri pasi e ke lexuar “dhimbjet e mpiksura”.Është një mission i realizuar me dashuri.
Shefqet Meko
Minneapolis, 19 Qershor 2025