Ka shkuar në 200 numri i kutive të hapura dhe të rinumëruara të qarkut të Tiranës nga 1282 që janë gjithsej. Rinumërimi ka nxjerrë disa parregullsi.
Kështu PS rezulton të ketë marrë padrejtësisht në 11 maj 96 vota më shumë nga sa i takonin. Edhe PD-së i janë hequr nga rinuëmrimi 66 vota që i ka marrë më shumë në numërimin e parë pas zgjedhjeve. “Lëvizja Bashkë” ka marrë 11 vota më shumë, koalicioni “Shqipëria Bëhet” 10 vota dhe PSD ka 4 vota më shumë nga sa i takojnë.
Nga ata që “u është ngrënë haku” deri tani zbulohet se “Koalicionit Euroatlantik” të Lulzim Bashës i janë hequr 8 vota dhe koalicionit “Djathtas për zhvillim” të Dash Shehit dhe Enkelejd Alibeajt me 3 vota.
Sa i takon garës mes kandidatëve brenda partive duket se tek të dy kampet ka lëvizje të votash që deri tani nuk i lëkundin mandatet. Ilir Alimehmeti që kërkoi t’i hapen kutitë rezulton se i janë dhënë padrejtësisht 19 vota më shumë ndërsa “rivales” së tij Jorida Tabaku po ashtu i janë dhënë 2 vota më tepër.
Lëvizje ka edhe në kampin e socialistëve. Diferenca mes Olta Xhaçka dhe Blerina Gjylametit mbetet pak a shumë e njëjtë. Nga rinumërimi shihet se Xhaçka ka marrë në 11 maj ka marrë 12 vota më shumë ndërsa Gjylametit i janë hequr padrejtësisht 4 vota
Kujtojmë se procesi i rinumërimit po zhvillohet në Pallatin e Sportit “Fahrie Hoti”. Për qarkun më të madh në vend, atë të Tiranës do të rihapen në total 1282 kuti votimi për subjektet politike dhe kandidatët.
Procesi në kryeqytet pritet të zgjasë rreth 10 ditë. Pas përfundimit të kësaj faze, do të fillojë rinumërimi në qarkun e Fierit me 587 kuti, e më pas në Durrës, ku do të shqyrtohen 360 kuti votimi, përfshirë 85 kuti që vijnë nga diaspora.