- Bajram Hyseni, gazetari ushtarak që u burgos për fjalën e lirë
- -Gazetari ushtarak që përcolli direkt kronikat e luftimeve në provokacionet e gushtit 1949
- -Gazetari që ia tha të vërtetat në sy Enver Hoxhës
- -Poeti që vuajti në burg së bashku me poetët Jorgo Bllaci dhe Pano Taçi.
Nga Sakip Cam
Lindur më 29 janar 1929 në fshatin Laçej, Çidhën, Dibër. Mbaruar Internatin e Kastriotit të Dibrës me mësues të gjuhës dhe të letërsisë shqipe shkrimtarin partizan Qamil Guranjaku. Ishte ai që zbuloi talentin letrar të Bajramit, ishte ai që e rradhiti Bajramin në rreshtat partizane që në moshën 15 vjeç.

Në Konferencën e Tiranës në vitin 1956, pas diskutimeve kur u erdhi rradha pyetjeve, u ngrit ish partizani, ushtaraku dhe gazetari Bajram Hyseni dhe i drejtoi dy pyetje Enver Hoxhës:
“A është e drejtë që të akuzohet familja e Murat Kaloshit për vënie në shërbim të Ballit Kombëtar dhe që i paska sjellë dëme të mëdha luftës në Dibër?
Si shpjegohet që të akuzohet për këtë gjë Murat Kaloshi, kur ai në atë kohë nuk ka qenë fare në Shqipëri pasi ka qenë larguar që në 1939-ën së bashku me Mbretin Zog, e nuk është kthyer më kurrë?”
Duke qenë një nga familjet më të njohura të asaj zone, babanë e Bajramit, Hysen Kovaçin, për 14-vjet me rradhë fshati e kishte zgjedhur si kryeplak.
Nga viti 1943 së bashku me Zenel Zhukën e Elmaz Përgjegjën formuan organizatën e Rinisë Antifashiste të rrethit të Dibrës.
Më pas u inkuadrua në Batalionin partizan Dibër-Martanesh që komandohej nga Qemal Beluli, me të cilin mori pjesë në luftimet për çlirimin e Tiranës.
Më 2 shkurtin e vitit 1945 u pranua si antar i Partisë Komuniste dhe u caktua si oficer në repartin e Ndërlidhjes ku kryente detyrën e Përgjegjësit të Rinisë.
Bajrami shërbeu si ushtarak dhe si korespondent shtypi nga fronti i luftimeve gjatë Provokacioneve të Gushtit 1949.
Pasi punoi për disa kohë në repartin e ndërlidhjes, Bajram Hysenin e transferuan për në Divizionin e Korçës duke e caktuar si radist personal të Beqir Ballukut, komandantit të atij divizioni.
Filloi të shkruante poezi, tregime e reportazhe, të cilat i dërgonte me postë dhe me korrier ushtarak nga Korça dhe i botonte në gazetën “Luftëtari”, ku kryeredaktor ishte ish-mësuesi i tij, Qamil Guranjaku.
Shkrimet e Bajramit u pritën mirë dhe që nga ajo kohë ai u bë korrespodent i rregullt i asaj gazete.
Aty nga vera e vitit 1949 kur filluan Provokacionet e Gushtit në kufirin me Greqinë, Bajrami u dërgua në frontin e luftës, ku përveç shërbimit që bënte si radist, mbante shënime në bllok për atë çfarë ndodhte aty.
Ato shënime me anë të korrierit i dërgonte në Tiranë dhe ato botoheshin jo vetëm nga gazeta “Luftëtari”, por edhe nga “Zëri i Popullit”, “Bashkimi” etj.
Kështu ai ishte gazetari i vetëm që përcolli në shtyp të gjitha ngjarjet e betejat që u zhvilluan ndërmjet forcave të ushtrisë sonë dhe atyre greke.
Në vitin 1952 transferohet në Tiranë dhe emërohet në redaksinë e gazetës ” Luftëtari” , ku punoi deri në vitin 1956, kur ndodhën ngjarjet e Konferencës së Partisë së Tiranës, ku ai mori pjesë si gazetar.
Në atë kohë Bajrami kishte botuar shumë libra, ndër ta edhe novelën e famshme “”Sllavjanka”, e cila u botua në 14 gjuhë të botës. Kjo novelë u quajt nga specialistët e partisë në letërsi dhe në ushtri si nostalgji për vajzat ruse dhe për Rusinë , me të cilën Partia e Punës së Shqipërisë dhe Enver Hoxha tashmë ishin ndarë përfundimisht.
Në një mbledhje sqaruese për Konferencën e Tiranës, në Shkollën e Lartë të Partisë në Tiranë, ku merrte pjesë edhe Enver Hoxha me Rita Markon, kur u erdhi rradha e pyetjeve, u ngrit dhe i tha Enver Hoxhës:
”A është e drejtë të akuzohet familja e Murat Kaloshit, për vënie në shërbim të Ballit Kombëtar dhe që i paska sjellë dëme të mëdha luftës në Dibër ?
Si është e mundur të akuzohet për këtë gjë Murat Kaloshi, kur ai në atë kohë nuk ka qenë fare në Shqipëri pasi ka qenë larguar që në 1939-ën së bashku me Zogun e nuk është kthyer më kurrë?
Si shpjegohet që për shkak të luftës me forcat e Halil Alisë u dogjën katërqind shtëpi në Çidhën dhe u pushkatuan me gjyq e pa gjyq rreth 100 persona dhe familjet e tyre edhe sot konsiderohen si armiq ?
Pas pyetjeve të tij, Enver Hoxha u përgjigj: “Për Kaloshët m’i kanë dhënë faktet gabim, prandaj të korigjohet.
Përsa i përket shtëpive të djegura e të vrarëve në Çidhën do të pyes Haxhi Lleshin se sa është shifra e vërtetë, por sido që të jetë kemi urdhëruar që fshtatarëve të mos u regjistrohet armiqësi në biografinë e tyre”.
Servilët e Enver Hoxhës dhe sigurimsat e regjistruan Bajram Hysenin si armik të pushtetit popullor, për këto pyetje që bëri.
Pasi punoi disa kohë në Gjirokastër, Bajramin e transferuan përsëri për në Tiranë dhe i dhanë një apartament ngjitur me bllokun e udhëheqjes. Në atë kohë ai filloi të botonte shumë artikuj, tregime dhe poezi në të gjithë organet e shtypit duke u bërë një emër mjaft i njohur. Krahas punës Bajrami mbaroi edhe fakultetin Histori-Filologji e botoi edhe dy libra artistikë.
Por ajo karrierë e shkëlqyer që kishte nisur, nuk ishte thënë të vazhdonte gjatë, sepse në vitin 1962 kur ai nuk ishte më shumë se 33-vjeç, u nxuarr në lirim.
Mbas dy vjetësh kur punoja si Sekretar Kolegjumi në revistën “Në shërbim të popullit”, natën e vitit të ri 1963, shefi i kuadrit të Ministrisë e njoftoi Bajramin se kishte dalë në lirim, pa i thënë asnjë lloj motivacioni.
Pas kësaj Bajramin e çuan si përgjegjës tek konviktet e Institutit të Arteve ku nuk punoi më shumë se gjashtë muaj.
Më 22 gusht të vitit 1964 ndërsa ishte duke kaluar afër Korpusit Qëndror të Universitetit, arrestohet. Pas 11 muaj hetuesie ku e akuzonin se kishte shkruar poezi kundër realizmit socialist e dënuan me 5-vjet burg së bashku me dy poetët Jorgo Bllaci dhe Pano Taçi.
Pasi u lirua nga burgu më 17 nëntor të vitit 1968, Bajram Hysenin e sistemuan në punë si përgjegjës të puntorëve të Parkut Kombëtar të Tiranës.
Ndërsa nuk kishin kaluar më shumë se tre vjet nga dita e lirimit, më 10 qershor 1971 Bajrami u arrestua përsëri.
Një ditë më parë, sapo kishte mbaruar së shkruari romanin “Notarët e lumejve të nëndheshëm” dhe arrestimi dukej se ishte i planifikuar që të bëhej sa të mbaronte atë libër.
Pak kohë më parë kishin arrestuar dhe vëllanë e tij, Isufin, që kishte qenë kapiten i parë i aviacionit. Po kështu ishin dënuar edhe xhaxhai Osman Kovaçi dhe djali i xhaxhait tjetër Mahmut Staf Kovaçi që vuajtën të dy 20 vjet burg politik.
Pas arrestimit sigurimsat i bastisën shtëpinë duke i sekuestruar të gjithë bibliotekën, shumë e pasur që kishte. Ndërkaq gruan me tre fëmijët, ia internuan në fshatin Vrap të Malësisë së Tiranës.
Gjatë hetuesisë i kërkonin të pranonte se nëpërmjet një nëndetëseje që kishte ardhur në Vaun e Dejës, ai kishte marrë udhëzime sekrete nga agjenturat e huaja, për t’ia dhënë Gjeneral Dali Ndreut. Bajrami i tha hetuesit se ajo akuzë ishte krejt qesharake, pasi nëndetësja nuk futej dot nëpër Drin dhe se Dali Ndreu ishte pushkatuar që në vitin 1957. Hetuesi i tha se ajo gjë nuk ishte fort problem, se datat rregulloheshin, por kryesorja ishte që të pranonte akuzat që i bëheshin, për të ndihmuar partinë.
Ngaqë nuk i duroi torturat, më 10 korrik 1971 tentoi të bënte vetëvrasje duke i rënë një hekuri me kokë, por pa shkaktuar vdekjen.
Gjyqi u bë në qytetin e Peshkopisë dhe zgjati pesë ditë me rradhë. Edhe pse nuk pranoi asnjë akuzë, u dënua me 25-vjet burg, ndërsa vëllai i tij, Isufi, u dënua me 18 vjet.
Ndërsa Bajrami me gjithë të vëllanë Isufin, vuanin dënimin në burgjet e regjimit komunist, bashkëshortja e tij, Ifete Krasniqi, me tre fëmijët, Dashamirin, Arbenin e Teutën punonin në punët më të rënda në koperativën bujqësore të fshatit Vrap të Tiranës, nën survejimin e vazhdueshëm të Sigurimit.
Katër vjet pas dënimit të Bajramit, Sigurimi i shtetit në vitin 1975 arrestoi edhe djalin e tij të madh, Dashamirin, i cili vazhdonte vitin e katërt të Liceut Artistik për pikturë. Gjatë hetuesisë atë e torturuan barbarisht dhe i kërkonin të pranonte se kishte dashur të hidhte në erë Komitetin Qëndror, në shenjë hakmarrje për dënimin e babait. Gjykata i dha dënim 20 vjet burg.
Bajrami me vëllanë e tij Isufin dhe djalin Dashamirin, qëndruan në burgjet e Burrelit, Spaçit, Shën-Vasisë etj deri në prillin e vitit 1991 kur u liruan me kontigjentin e fundit të dënuarve politikë.
Pas vitit 1991 Bajrami militoi në OBVL (Organizatën e Bashkuar të Veteranëve të Luftës së Popullit Shqiptar) dhe bashkëpunoi me gazetat “Veterani”, “Ushtria dhe Koha”, “Liria” “Rilindja Demokratike”, “Kosova”, “Dibra” etj.
Krijimet e tij në poezi, prozë dhe publicistikë i përmblodhi në librin “Vepra letrare” (kolanë).
Botime të hershme të tij para vitit 1960 janë libri “Flaka” dhe novela “Kodra e Kuqe”.
Nga botimet e pas vitit 1991 vecojmë: “Ky duhan i shkretë” botuar te Gazeta “Liria” kushtuar shokëve të burgut, Hodo Sokolit; Pjetër Arbnorit; Pal Mark Dedës; Uran Kalakullës; Kurt Kolës; Dom Nikoll Mazrekut; Luan Burimit, Irfan Vrionit dhe të gjithë shokëve të tjerë.
“Mirdita, karrakoll i trimërisë”, “Nusja e Flamurit”, baladë kushtuar studentëve të Kosovës të vitit 1981, botuar te Gazeta “Kosova”, Gurra e Lotëve”, 12 nuset e Kosovës”, “Kanga e cucave”, “ 1000 duvakët e kuq”, “Ujvara e mallit, “Vrasja e Kosovës” etj.
Shkolla 9 vjeçare e vendlindjes së tij, fshatit Laçe mban emrin e tij dhe ka në bibliotekën e saj të gjithë krijimtarinë e Bajram Hysenit. .
Jetëshkrimi;
Ushtarak, gazetar dhe shkrimtar,
I dënuar me 24 vjet heqje lirie nga diktatura komuniste.
1945-1949 oficer në Korçë
Gazetar te gazeta “Luftëtari” 1949-1956
Sekretar Kolegjumi te Revista “Në shërbim të Popullit” 1956
Burimet:
1. Intervista të Bajram Hysenit dhënë gazetarëve Dashnor Kaloci, Shaqir Skarra, Dukagjin Hata, Aida Malaj botuar në gazetat periodike , “Gazeta Shqiptare”, “Panorama”, “Ballkan”, Dita” .
2. Fatos Daci, Gazeta Dibra, prill 2000, “Penda “rebele” e disidentit Bajram Hyseni “
3. “ 20 vjet OBVL “ 2014, faqe 263
4. Rrahman Parllaku “Kujtime për shokët”
5. Mexhit Prenci, Zhvarroset tregimi i Bajram Hysenit : Nga arkivat e zeza të diktaturës
Gazeta 55 “Nr. 252, 21 tetor, 2002, f.18
6. Fondi i Bibliotekës Kombëtare (Hyseni Bajram)
6. Shtypi ushtarak 1949-1956
7. Azem Teta, piktor, muzikant, nipi i Bajramit, tregime gojore