nga Gjergj Nika
Kur Vlora frymëzonte me energjinë e saj pozitive, me turistë nga e gjithë bota dhe me investime që më në fund po jepnin fryte, të gjithë ishin gati të merrnin meritat. Tituj, fjalime, foto e duartrokitje.
Por ja që kur shfaqen problemet — si mungesa e ujit, që është një plagë e vjetër mbi rrjetin e kalbur prej dekadash, apo zjarret që shpërthejnë nga pakujdesia apo janë edhe të qëllimshme dhe që prekin zona të tëra — fajin kërkojmë ta hedhim mbi një njeri të vetëm: Kryetarin e Bashkisë.
Le të jemi të sinqertë: Ermal Dredha nuk ka premtuar magji, por ka qenë aty — në terren, në komunikim me qytetarët, në përpjekje konkrete, ka kërkuar mbështetje nga institucionet qendrore dhe ka nisur një proces të vështirë reformash për të trajtuar rrënjët e problemit, jo thjesht simptomat. Nuk ka bërë propagandë. Ka punuar. Dhe po përballet me probleme që janë lënë pas dore prej shumë kohësh, jo të krijuara dje.
Në fund të fundit Ermali është i vetëm!
Ku janë deputetët, ku është administrata; ku janë institucionet e mjedisit, që nuk janë fare në Vlorë; ku është institucioni i Rruga- Urës që nuk është as ky në Vlorë?
Ku është Ujësjellësi që varet nga ministria?
Të gjitha institucionet kryesore të qytetit janë transferuar ne Fier , Lushnje apo Tiranë.
Ermali, si kryetar nuk ka asnjë kompetencë apo institucion në varësi: ka vetëm taksat, pastrimin dhe gjelbërimin.
Kjo nuk është luftë e një njeriu të vetëm. Dhe nuk është e drejtë të kërkojmë “fajtorë për sezonin” sa herë që një sfidë na del përpara.
Prandaj është e gabuar t’i kërkohet llogari e t’i lihet faji vetëm Ermal Dredhës, apo të bëhet ai “kokë turku”!
Kryeministri dhe qeveria t’i kërkojnë njëherë gabimet te vetja, që i kanë larguar të gjitha institucionet nga Vlora e i kanë çuar në Fier e Tiranë, duke filluar nga arsimi e më tej.
Askush nuk thotë që gjithçka është perfekte. Por kushdo që jeton në Vlorë e di: ndryshimi ka nisur. Ka rrugë për të bërë, por ka dhe vullnet të vërtetë.
Ndaj, le të mos harrojmë: kur ka sukses, të gjithë janë pjesë e fotos. Por kur ka krizë, nuk duhet të largohet askush nga përgjegjësia kolektive.
Ndaj le të mos jemi si ata që brohorasin vetëm në festë dhe akuzojnë në stuhi.
Mbështetja në kohë të vështira është ajo që e bën një qytet më të fortë. Dhe një kryetar bashkie më të vendosur.
