Pas amnistisë së vitit ‘82 dhe pas vrasjes së Rexhep Gecit, gjendja u rëndua më shumë në burgun e Spaçit, ku policia nisi të shtrëngojë masat e regjimit të brendshëm me oraret, radhët e ushqimit e zgjatjen e kohës së pritjes në tarracë për apel. Në fund-janarin e vitit ‘83, na njoftojnë se një pjesë e burgut të Spaçit, do të transferohej. Ishte hapur një burg i ri pranë malit Munellë të Pukës dhe duheshin krahë pune, për shfrytëzim. Punëtorët e fortë dhe problematikët, u futën në listën që do të nisej për në minierën e Pukës. Transferimi i rreth 200 të burgosurve, ishte mundim i madh për ta, pasi duhej të bëheshin dorëzimet e batanijeve, çarçafëve, dyshekëve dhe enëve, si; tas, lugë e pagure, duhej të merrje sendet e tua personale nga depot e, t’i bëje gati për kontroll.
Të gjitha këto, duke pritur në radhë shoqëruar me “lehje” policësh. Pothuaj se ishim bërë gati, kur papritur një erë e fortë solli një reshje të dendur dëbore, e cila në një kohë shumë të shkurtër, arriti në një metër trashësi. Për atë ditë ishte e pamundur të lëvizje dhe një anomali e krijuar nga gjendja në të cilën ndodheshim, bëri që natën ta kalonim me të keq, pasi gjithçka ishte dorëzuar.
Të nesërmen në mëngjes, në një ambient të mbuluar tërësisht nga dëbora, na nxjerrin tek fusha e zezë dhe policët e burgut të Spaçit, së bashku me ata të shoqërimit të ardhur nga Tirana, pasi na kontrollojnë, na lidhin me zinxhirë dy nga dy, dhe me sendet personale nëpër duar, ashtu duke u zvarritur, na hipin në makina të mbuluara me mushama. Rruga ishte e mundimshme por edhe e rrezikshme, pasi dëbora e kishte bërë terrenin të rrëshqitshëm.
Autokolona ndalet në Fushë-Arrëz, pasi trashësia e dëborës atje kishte kaluar një metër lartësi dhe rrugët po hapeshin me traktorë. Kasem Kaçi, zyrtarë i lartë i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Dhimitër Kristafi, drejtor i Zbatimit të Vendimeve Penale (drejtor i përgjithshëm i burgjeve), të cilët drejtonin këtë operacion, kontrollonin direkt rrethimin provizor, si dhe punën për hapjen e rrugës, e cila ishte pastruar përgjatë natës, por reshjet e mëngjesit e kishin rimbushur.
Ky ishte prezantimi i parë, me klimën e ftohtë të burgut ku po na transferonin. Makinat nisen sërish dhe trupat tanë të bërë kërcu, ngjeshur pas njeri-tjetrit, ashtu kruspulluar nën tronditjen e gropave të rrugës, prisnin mbërritjen në rrethin tjetër të ferrit.
Pas disa orësh udhëtimi, me në fund ato ndalojnë. Kur zbresim, shikojmë se kishim mbërritur në një oborr të rrethuar me tela e ushtarë, ku makinat merrnin mineralin e nxjerrë nga miniera dhe në anë të sajë tre godina, që ishin brenda një rrethimi tjetër. Ky ishte burgu i Qaf-Barit. Një tufë policësh drejtuar nga një polic i ri në moshë, që ishte në mes të tyre, na u afruan dhe filluan të na kontrollojnë edhe një herë e, pastaj na drejtonin për të hyrë në ambientet e këtij burgu, i cili ishte shumë më i mbledhur sesa burgu i Spaçit, por sërish në formë hinke, rrahur nga tre gryka malesh.
Të dërmuar nga rruga e të mbledhur nga të ftohtit, me ato pak sende që dispononim, çapitemi mundimshëm drejtë asaj dere të vogël, që do të na fuste në shpellën e madhe. Të burgosur nga burgu i Ballshit (burg me klimë shfarosëse, i cili mbas amnistisë së vitit ’82, ishte shkrirë duke u ndarë në dy pjesë, njëra transferuar në Zejmen të Lezhës, dhe tjetra këtu në Qaf-Bari) dualën të na ndihmonin, se kush të njohurin a mikun e tij, shoqëruar gjithnjë nga policët dhe shefi i tyre, polici me moshë të re. Sistemohemi në dhomat e paracaktuara për ne.
Hyrja në banesë dhe kontakti me të njohurit, na gjallëruan disi, duke na ç’tendosur, por vetëm për pak kohë, se dang-dangu që bëri të lëviznin paraardhësit tanë e, pas tyre edhe ne, ishte shenjë urdhëruese. “Çfarë është kjo” -, pyes Fatmirin, mikun tim, shokun e hekurave të bashk-idealit, i cili kishte ardhur nga burgu i Ballshit, një muaj më parë. – “Çanga, këtu të gjitha veprimet bëhen me dang-ding” – më thotë duke qeshur dhe vazhdojmë pas të tjerëve.
Me të mbërritur buzë shkallëve ku zbritëm në një fushë të shtruar me beton, përballë së cilës ishin disa çezme uji dhe në cep të tyre, djathtas, një shtyllë e betonuar hekuri, ku varej një predhë 200 m/m., të përshëndeste çanga që do të zëvendësonte zërin e tellallit Grigor Xarxalli, të Spaçit. Duke nxituar pas të tjerëve, hyjmë në një sallë me stola e tavolina të gjata, që kuptohej lehtë se ishte menca.
Nuk vonoj shumë dhe ballina e mensës ku na kishin ulur, u mbush me gardianët e burgut dhe në qendër të tyre dy oficerë, një i moshuar me veshje ushtarake, Riza Musollari, i cili ishte komandanti i burgut dhe tjetri që dukej si fëmija i tij në moshë, me veshje policie, Edmond Caja, ishte shefi i policisë së burgut.
Ata kërkuan të vihej qetësi se kishte komunikim. Policët me benevrekë nëpër duar, filluan të lëviznin nëpër sallë, duke u skërmitur kërcënueshëm. Efektivi i policisë së këtij burgu, përbëhej prej dibranësh, të mbetur nga të burgosurit ordinerë që ishin transferuar më parë nga burgu i Bulqizës. Ata nuk kishin nevojë të skërmiteshin, pasi fytyrat e tyre ishin vetiu të deformuara çuditshëm.
Kryepolici që quhej Myzafer, ishte natyrshëm i shpërfytyruar, një neandertal në kohën tonë, sinonim i kryepolicit të Spaçit, Pjetër Koka. Prezantimi i ambientit dhe personelit, po bëhej natyrshëm, referatet do të retushonin peizazhin.
Komandanti na njoftoj zyrtarisht, se ndodhemi në burgun e Qaf-Barit, ku kërkohej rregull dhe disiplinë e, mbi të gjitha norma e punës, nuk duhej të diskutohej. “Ata që do të thyejnë rregulloren dhe nuk do të bëjnë normën e punës në galeri, do të ndëshkohen”, e mbyll fjalën e tij Komandant Rizai, me katër klasë shkollë. Nën lodhjen e rrugës, të ftohtin therës dhe kërcënimet e komandantit të burgut, do të kalonte nata e parë në “varrin e ri”.
Mëngjesi i ditës së re do të na gjente të ndarë në brigadat e punës dhe për këtë na nxjerrin të gjithë forcat e punës, që të pajisemi me mjetet e nevojshme, si; lopata, kazma, kandil, çizme e kapele. Në turnin e parë punonin tre brigada nën tokë, prodhimi, avancimi dhe armatorët.
Nxjerrja e mineralit, përveç proceseve gjeologjike, kishte edhe disa procese të tjera, si avancimi me hapje galerie, deri sa të arrihej në damarin e mineralit, shtrirje shinash për vagonët dhe tuba ajrimi, veshja me trupa (armatim), të galerisë e, më pas punohej për nxjerrjen e mineralit. Unë isha caktuar me Nazim Saitin dhe Lukën, në avancim. Galeria ishte shumë afër fjetoreve. Pasi ndërrohemi në dhomat e zhveshjes, hyjmë brenda sajë.
Përgjatë të gjithë rrugës, kur sipër në sipërfaqe kishte shtresë dëbore ose reshje shiu, brenda galerisë pikonte shumë, aq sa kur mbërrije në frontin e punës, ishe i bërë qullë. Nga hyrja deri tek plani i pjerrët, ishte rreth dy km. largësi e cila, në kushtet e këqija të rrugës, të nxituar nga policët dhe koha e nevojshme për të bërë normën, bëhej për gjysëm ore.
Plani i pjerrët ishte 45 gradë dhe kishte në njërën anë, një vagon të mbushur me hekurishte, i cili ishte më i lehtë se karatrukja me vagon plot, ç’ka e mundësonte uljen e komanduar nga lart dhe ishte më i rëndë se karatrukja me vagon bosh, që lejonte ngritjen e sajë të komanduar. Në planin e pjerrët, ishin katër horizonte (galeri), nga ku nxirrej minerali dhe i pesti që ndodhej lart, afër arganellës, ishte horizonti i avancimit.
Prej aty do të bënim edhe 1500 m., për të arritur në frontin e punës. Detyra jonë ishte të hiqej materiali i përfituar nga plasja e minave e më pas, të bëheshin një palë bira, për plasjen tjetër. Nga plasja e minave, nën gurë kishin mbetur dhe gjysma kallëp dinamitesh pa plasur, të cilat e helmonin ambientin, por koha nuk priste.
Pasi mbushej vagoni i parë, trupi i kontaminuar provokonte për nxjerrje ushqimi dhe sytë e skuqur, ishin të mbushur me lot. Unë duhej të merrja vagonin dhe ta dërgoja 1500 m. larg, deri tek plani i pjerrët dhe më pas të merrja vagonin bosh dhe ta sillja në të njëjtën rrugë. Ndonjë herë brigadieri Bashkim Allmuça, vinte dhe na jepte nga një dorë, por prapë puna bëhej jashtë mundësive.
Mbasi mbaronim, na duhej të bënim edhe një orë rrugë në këmbë, për të dalë nga galeria, ku të tjerët ishin rreshtuar për t’u kthyer në fjetore. Ndërroheshim nxitimthi dhe ashtu të pluhurosur, në rresht për dy, hynim në oborrin e burgut, ku fillimisht na duhej të hidhnim disa grushte ujë fytyrës, për t’u pastruar disi, e më pas të shkonim në mencë.
Ushqimi ishte shumë i dobët dhe i pa mjaftueshëm, për të përballuar energjinë e harxhuar në nxjerrjen e mineralit, kjo mungesë treste çdo ditë trupat e strapacuar të cilët, hiqeshin zvarrë nën kërcënimin e kërbaçit të policëve dhe si të mos mjaftonte kjo, në ushqim hidheshin medikamente me veprim të ngadaltë.
Çdo veprim drejtohej nga shefi i policisë, Edmond Caja i cili, sa herë që hynte furishëm në ambientet e burgut, do të komunikonte një masë të re shtrënguese a rënduese. E diela filloi të bëhej, nën drejtimin e tij, më e rëndë se ditët e tjera të punës, pasi duhej të realizohej mbi 150 përqind e normës së caktuar. Për trupat e tej lodhur, kjo u bë më e vështirë, pasi të dielat që shërbenin për të shplodhur sadopak kockat, u kthyen në ditë aksioni!!
Policët e urdhëruar e survejuar nga shefi i tyre, bëheshin çdo ditë e më të ashpër dhe mbas çdo shtrëngimi, do të futej me eskortë policësh ai, i cili ishte “shtrirë” si ferrë, në çdo qelizë të jetës së atij burgu. I ardhur nga Shkolla e Policisë dhe i rritur në mes të Tiranës, ky njeri, nuk do të demonstronte vetëm kohën, por edhe edukatën ekstermisht komuniste të familjes së tij, me anë të së cilës do të rëndonte në maksimum jetën e këtyre njerëzve të ndëshkuar nga politika, sepse nuk i përkisnin asaj.
Të shumtë ishin ata që dualën të paaftë për të punuar në minierë, nga sëmundjet e përfituara prej punës së rëndë dhe kushteve ç’njerëzore e, kjo shtroje nevojën e ngritjes së një kapanoni të gjatë, ndërtuar me dërrasë, i cili u bë fjetore e këtyre njerëzve.
Shkodrani Mark Prendi, do ta quante “MAUNE” dhe ashtu i mbeti. Ajo fjetore që ishte si një frigorifer në dimër dhe si saç në verë, do të menaxhohej djallëzish prej shefit Edmon Caja, i cili urdhëron të mbyllet kjo fjetore, nga ora 06 e mëngjesit, deri në orën 19.00 të mbrëmjes. I ftohti i Qaf-Barit, arrinte -18, deri – 20 gradë.
Pleqtë e të sëmurët, mundoheshin të gjenin ndonjë cep, për t’u mbrojtur nga erërat dhe ngrica, shirat i lagnin trupat e tyre të uritur, të cilët për të shpëtuar sadopak, hynin në ambientin e tualetit dhe kur ai i gjente në korridore, ju bërtiste të dilnin jashtë e, policit i tërhiqte vërejtje, duke e dërguar si dënim, në vendin më të vështirë të shërbimit. Ndërsa në zhegun e vapës, shpesh herë pleqtë dhe të sëmurët, asfiksoheshin nga mungesa e ajrit dhe rrëzoheshin të alivanosur.
Këto masa dhanë efektin e tyre, duke detyruar disa të sëmurë, që të kërkonin të ktheheshin sërish në punë. Mundoheshim t’i shpëtonim përballjes me të, sa herë që hynte brenda burgut, pasi në 90 përqind të rasteve, do të përfundojë tek Zyra Teknike, ku kërbaçët nuk pyesnin se ku qëllonin, ose në birucë. Një ditë i humbur në mendime, dal në sheshin e betonuar ku ishte çanga dhe nuk e shoh që ai po vinte për inspektim në fjetore, ishte vonë, nuk munda të kthehesha pas.
Unë e kisha fytyrën me push, se ende nuk i kisha shkuar brisk dhe e pastroja një herë në muaj, kur qetheshim. Ai më thërret, duke më thënë:- “Hë more Tufa, pse nuk rruhesh ti”? – “Unë nuk rruhem – i them”, jo për ta kundërshtuar, por për t’i thënë të vërtetën. I prekur në sedër, pasi e mori përgjigjen time, si kundërshtim para policëve, i urdhërojë ata të më kapnin dhe zvarrë më dërguan në berberhane që ishte aty pranë e, pasi me ulin në karrige, urdhëroj berberin, të më rruante përpara tij, pa shkumë. Për herë të parë, brisku në fytyrën time, ka kaluar dhunshëm, urdhëruar nga shefi Edmond Caja, pa u shkumuar.
Komanda e burgut fillojë të bënte kursime në ushqime dhe në kulmin e të ftohtit, punëtorëve ju shpërndante, jo 800 gr., por 600 gr. Bukë, të kompensuara me dy kokrra të vogla patate, shpesh jeshile, ndërsa për të papunët, nga 600 gr., shpërndahej 450 gr. Bukë, kompensuar me dy kokrrat e patateve, për të cilat duhej të mbanin radhë tre herë në ditë, në dëborën që shpesh e kalonte gjatësinë e trupave të tyre të mpakur, dhe ato duar të ngrira të cilat, mbanin tasin e aluminit të shtrira për lëtyrë shpirt – mbajtëse, formonin figurën e persekutimit ekstrem.
Ushqim që shpesh përdorej sa për të ngrohur pakëz duart e, më pas derdhej, (pasi vetëm era e tij të bukoste), përbëhej nga qepë dhe spinaq 10 vjeçar, të mykur, nxjerr skarco, nga magazinat e rezervave të shtetit. Ne që nuk kishin asnjë ndihmë, dalloheshin lehtë nga fytyrat e zgavëruara.
Fronti i punës sonë u ndërpre dhe ne na kalojnë në brigadë prodhimi. Një herë po punoja me Lush Bushgjokën. I mbushim vagonët e normës dhe bëjmë të dalim jashtë, polic Beqir Vrenozi na sheh dhe thotë: – “Pse keni dal 20 minuta para kohe nga galeria”?! – “Mbaruam punë dhe dolëm” – i themi. Ai raporton ke porta dhe Lushi përfundon në birucë, mua po më vriste ndërgjegjja dhe nuk mundë ta pranoja, që të ndëshkohej shoku im dhe unë të qëndroja i pa prekur. Në mbrëmje, kur turni i tretë bëhej gati për punë, unë kundërshtoj daljen në punë dhe përfundoj në birucë.
Në minierën e Qafë-Barit nxirrej mineral piriti dhe bakër blister, që ishin shumë të rënda dhe për të nxjerrë atë, punohej me vagonë fikse. Pesha mesatare e një vagoni, arrinte në 2.5 ton. Norma, nga katër vagonë, do të shkonte pesë vagonë, ose 12.5 ton për njeri. Më pas më kalojnë në prodhim, ku bashkohem në grup me Dilaver Hysin dhe Ylmi Çoçkën, të dy njerëz të shkëlqyer. Me shumë mundim, mundoheshim të bënim normën, për të mos u përplasur me policinë, por shpesh ishte problem, se nuk gjenim mineral në front dhe për këtë duhej të gërmonin në vende të rrezikshme për jetën. Përplasja me policinë, duhej evituar me çdo kusht.
Arroganca e policëve, ishte bërë e padurueshme. Nuk pyesnin nëse ishe i ri a, i moshuar, kur të kalonin ata, duhej të ngriheshe në këmbë dhe të hiqje kapelën, për t’i nderuar. Kush nuk bindej, ndëshkohej. Kjo kishte bërë që shumë të rinj edhe pse bënte ftohët, nuk mbanim kapele. Një herë tek çezmat e çangës, Havzi Nela më thotë: – “Po pse nuk mban kapele mor djalë, është ftohtë i keq dhe të jep ndonjë sëmundje, duhet me e ruajt shëndetin”. Sytë e tij të bardhë, si të shqiponjës, dhe dhëmbët si rruaza, atë moment, më kanë mbetur gjatë në kujtesë.
Përveç lodhjes në punë, kur trupat tanë kishin nevojë për pak pushim, duhej të shkonim në sallë e, të dëgjonim lexim të detyruar. Shefi i policisë, që gradualisht kishte marrë frenat e burgut, vepronte me prepotencë, duke e trashur zërin gjithnjë e më shumë. Shpikja e tij, ishte KARANTINA. U improvizua një dhomë mbi banjat, ku ishte lavanteria dhe të gjithë të burgosurit e rinj, kalonin fillimisht në këtë ambient, ku tre herë në ditë, rriheshin nga policët, nën drejtimin e shefit, për dy javë rresht. Kur hynin në ambientet e burgut, ata ishin të terrorizuar.
Më pas më kalojnë të punoj tek plani i pjerrët, bashkë me Bashkim Harunin, duhej të fusnim vagonët plot e, të nxirrnim vagonët bosh, nga karatrukja. Unë isha dobësuar aq shumë, sa lopata me mineral, ishte më e rëndë se unë! Bashkimi i fuqishëm shtynte edhe për mua, megjithëse unë mundohesha me shpirt, të punoja sa mundja. Dikush më tha; “kërko të peshohesh, se rregullorja e minierës, nuk lejon të punojë nëntokë, një person që peshon nën 50 kg”.
Së bashku me Ahmetin dhe Fatmirin, shkojmë tek doktori, që lajmëroj oficerin e rojës e, më pas vjen shef Edmond Caja, i cili personalisht më vendos në kandarin e kuzhinës, ku rezultoi 47 kg. Dalja në papunësi, do të më qetësonte dhimbjet e trupit nga puna e sforcuar, por shpejt dy orë lexim i detyruar, qëndrimi tërë ditën përjashta në diell e dëborë, si dhe ushqimi i pakët e shumë i keq, do të bëheshin ekuivalentë të vagonëve, shoqëruar me presionin e policëve, të drejtuar nga shefi, në çdo hap. Masat shtrëngues, e kishin bërë tepër të rëndë vuajtjen e dënimit në burgun e Qaf-Barit, ku të dënuarit ishin tendosur tej limitit të durimit! Memorie.al Nga Skënder Tufa