Nga Bislim AHMETAJ
Duhet të jem ndër të parët lexues të vëllimit me tregime “Në emër të gjakut” të shkrimtarit Ahmet Prençi.
Por jam i sigurtë që jam krejt i pari që këto tregime i kam lexuar mbi re, pra në avion.
Kjo ndodhi pasi ditën që doli libri i printuar, unë me Ahmetin, kishim planifikuar një udhëtim drejt Zvicrës, ku do të takonim dy shkrimtar nga më të shquarit e brezit tonë, Agron Tufën dhe vëllain tim Arbër Ahmetajn.
Që të dy të arratisur, apo të ndjekur prej Atdheut, pikërisht nga pasojat dramatike që la pas viti i mbrapshtë 1997.
Vit prej të cilit janë marrë shumica e subjekteve të tregimeve të vëllimit “Në emër të gjakut”, të cilin po e promovojmë sot në këtë prani të zgjedhur shkrimtarësh, artistësh dhe miqsh të autorit.
Pas dy romaneve të suksesshme “Anja” dhe “Brenga e Prokurori” në mënyrë të beftë dhe pak si “paradoksale” autori i vjen lexuesit me një vëllim me tregime, çka nuk ndodh rëndom me shkrimtarët.
E kundërta na ka ndodhur shumicës prej nesh, nga tregimi kanë kaluar tek romani.
Megjithëse tregimi është një sprovë sfiduese që kur ja del, siç ka dëshmuar Ahmeti me këtë vëllim, ja ke dalë ta meritosh plotësisht titullin shkrimtar profesionist. Edhe pse Ahmeti asnjiherë se ka pas dhe nuk e ka qëllim në vetvetë “fitimin” e këtij titulli.
Brezi ynë i cili e ka ndarë gjysmëm e jetës në mijëvjeçarin e shkuar dhe gjysmën tjetër në këtë mijëvjeçar sa ç’është brez me fat ka edhe përgjegjësinë e madhe për ta thënë të vërtetën e kohëve të errta nën diktaturë, të kohës së ndryshimeve të mëdha të viteve 90, por edhe atyre të vitin të zi 1997.
Ahmeti e ka dëshmuar që nuk i shmanget marrjes së përgjegjësive, as të vërtetës edhe kur ajo është e dhimbshme dhe mund të sjellë pasoja.
E vërteta që vjen përmes letërsisë për mua është shumëfish më e logjikshme dhe më e pranuar nga publiku, se sa ajo që vjen nga politika dhe faqet e gazetave.
Në të tetë rrëfimet e këtij vëllimi lexuesi do të lexoj ngjarje reale edhe pse krejt të panatyrshme dhe me përsonazhe atipik.
Megjithëse stili i rrëfimit është i shtruar dhe i qetë sic është karakteri i autorit në çdo paragraf ndihet nervi, drama dhe shpesh tragjedia e përzier me komedinë.
Absurdi përplaset pamëshirshëm me greteskun, mungesa e idealeve, injoranca dhe dehumanizimi janë tipare të shumë personazheve që fali zot se s’dinë çka bajnë.
Ju që e keni përjetuar 97-ën do tu rrëqethet mishi kur ti lexoni tregimet e këtij vëllimi, ne na duket sikur i njohim të gjithë përsonazhet e atyre ngjarjeve dramatike. Secili mund tu vëj emrat e të fortëve të lagjeve apo rretheve të veta, secili prej nesh mund të gjendet në pozitën e viktimës.
Unë kam vecuar dy prej tregimeve të këtij vëllimi që më lanë shenjë të fortë dhe pa pikën e drojës mund ti quaj tregime antologjike, të cilat mund dhe duhet ti lexosh në çdo përmbledhje të shkrimtarëve dinjitoz të letërsisë bashkëkohore.
Ata janë “Masakra e Romëve” dhe “Liria për të mos vrarë”, pikërisht rreth tyre do të mundohem të flasë pak me gjate.
Romët, gabelët apo magjupët siç i thërrasin në vendin tonë herë me të keq e herë pa të keq, kanë bashkëjetuar me shekuj me shqiptarët, aq sa në shumë qytete janë autoktonët e vetëm.
Interesant është fakti që ky minoritet e ruan dhe e trashëgon gjuhën e vet të pashkruar, përveç kësaj ata kanë norma dhe sjellje krejtësisht unike në raport me popullsinë shumicë.
E megjithatë shumë pak shkrimtarë shqiptarë i kanë përfshirë në letërsinë e tyre, përjashtim bën Besnik Mustafa me skenarin e filmit “Mao Ce Dun” me regji të Besnik Bishës ku spikat loja e aktorit të humorit te ndjerit Fadil Hasa.
Tregimi “Masakra e romëve” i Ahmet Preçit është një histori reale e vitit 1997, kur ky komunitet në mungesë të shtetit dhe institucioneve ligjzbatuese, ashtu ne habitatin e vet kishte ngritur shtetin e vet të përsosur në mbrojtje të pasurisë, jetës dhe dinjitetit.
Ata përballen me njërën prej bandave rebele më të zëshme të “zonës së I-rë operative” të cilët kishin për qëllim ti grabisin, ti çnderojnë dhe pa dyshim edhe ti vrasin në rast rezistence.
Por falë strategjisë, organizimit, besimit dhe unitetit të përsosur mes njëri tjetrit romët jo vetëm që ja dalin të mbrohen, por edhe ta asgjësojnë plotësisht këtë bandë të rrezikshme.
S’jam shumë dakort me titullin e këtij tregimi, pasi ajo ngjarje nuk mund të quhet “masakra e romëve” por një betej mes një bande të armatosur dhe një grupi etnik që jo vetëm nuk mposhtet, por me dinjitet ja del ti poshtëroj dhe asgjesoj agresorët.
Ngjarja ka ndodhur realisht në Marsin e vitit 1997, të gjithë bashkë moshatarët tanë e dinë dhe e kanë dëgjuar me dhjetra herë, askund se kam lexuar përveçse nga shkrimtari Ahmet Prençi.
Kur ta lexoni do ju kujtohen detajet rrënqethëse të asaj ngjarje sa tragjike, aq edhe heroike.
Ngjarje që tregon se romët mbijetojnë në çdo rrethanë dhe në çdo pikprerje të historisë.
Ky tregim antologjik na mëson se romët shqiptar, meritojnë të përfshihen më shumë dhe
më dendur në letërsinë dhe kulturën shqipe.
Tregimi tjetër që kam shenjuar për të folur rreth tij titullohet “Liria për të mos vrarë” dhe është po aq i veçantë dhe atipik.
Përsonazhi kryesor i këtij tregimi shkon krejtësisht kundra rrjedhës, s’ka asnjë tipar të përbashkët me trashëgiminë historike dhe kulturore të bashkëvendasve të tij.
Një mësuesi letërsie në Shkoder, që gjithmonë mban një libër nën sqetull, befas i vritet vëllai nga një bandë gjobëvësish. Pa asnjë shkak thjeshtë nuk paguan gjobën.
Atij mësuesit të letërsisë, as që i shkon mendja ta marrë gjakun e vëllait, edhe pse dhimbja ja ka këput shpirtin Troket nëpër cdo derë të mundshme për të gjetur drejtësi, të gjitha i përplasen në fytyre. Ai nuk do të vrasë, nuk mund të vrasë. Ka lindur për të mos vrarë.
Dhe … gjendet i lëçitur, i turpëruar, i ç’burrërruar nga të gjithë, duke filluar nga nëna e tij. Në këto rrethana merr rrugët e botës jo nga trimëria por nga turpi. Atje, në një shtet të BE-së kërkon azil politik, por me një arësyetim krejt atipik dhe të ndryshëm nga bashkëatdhetarët e tij.
Ai nuk është në gjak, ai s’donë ta marrë gjakun. Oficerët e emigracionit të vendit ku ai gjendet, megjithëse e mirëkuptojnë dhe e vlerësojnë sjelljen e tij, nuk mund ti japin azil. Pasi asnjëherë nuk kanë pasur një praktikë të tillë.
Në këtë situatë absurdi që edhe Kamynë dhe Kunderën do ti trondiste përsonazhi I tregimit që nuk do të vrasë, që nuk do të hakmerret, vendosë të zhduket në askund, të shndërrohet në asgjë, në harresë.
Për mbyllje letërsia përveçse art, është edhe dëshmi.
Misioni i shkrimtarit nuk është thjeshtë stili, trilleri apo trashësia e librit, por edhe dokumentimi i historisë.
Ahmet Prençi përditë bind që po e përmbush misionin e tij si shkrimtar, si humanist dhe si njeri që si trembet të vërtetës por e le atë të shkruar, bile shumë bukur.
Faleminderit.
Tirane me 19 Qershor 2025.
*Fjala ime rreth vëllimit me tregime “Në emër të gjakut” të shkrimtarit Ahmet Prençi, mbajtur në promovimin e librit te Ahmert Prencit Akademinë e Shkencave.