Ardi Stefa
Në çdo qytet, veçanërisht në ato me rëndësi strategjike turistike dhe ekonomike si Vlora, është e natyrshme që problematikat e përditshme të ngjallin reagime të forta. Në muajt e fundit, qyteti i Vlorës është përballur me dy- tre çështje që kanë prekur ndjeshëm jetën e qytetarëve: ndërprerjet e furnizimit me ujë të pijshëm dhe fenomeni i djegieve të mbeturinave në disa zona dhe rrugët e hapura për shkak të investimit në rrjetin e ujit të pijshëm, apo ndërtimin e Bulevardit të Agrumeve.
Për një qytet që pret mijëra turistë çdo sezon dhe që aspiron të jetë një pikë moderne zhvillimi urban, këto janë sigurisht sfida serioze. Por më e rrezikshme se vetë problemet është mënyra si shpesh kërkohet faji — pa analizë, pa kontekst, dhe mbi të gjitha pa ndershmëri.
Në këtë valë emocionale e reagimesh spontane, emri i kryetarit të bashkisë, Ermal Dredha, është përmendur shpesh si adresë e pakënaqësive. Por pyetja që duhet të shtrojmë si qytetarë, analistë apo aktorë publikë është e thjeshtë: A janë këto probleme rezultat i paaftësisë së administratës aktuale apo janë pasojë e një trashëgimie të gjatë, të thellë dhe të neglizhuar?
Dhe është e rëndësishme që të bëjmë dallimin mes përgjegjësisë aktuale dhe trashëgimisë së një sistemi që për dekada ka vuajtur nga neglizhenca, abuzimi dhe mungesa e investimeve afatgjata.
Ermal Dredha mori drejtimin e Bashkisë së Vlorës në një moment ku sfidat infrastrukturore të qytetit ishin të mëdha dhe të thelluara nga vitet e mëparshme. Sistemi i ujësjellës-kanalizimeve është një rrjet i vjetëruar, që ka nevojë për rindërtim të plotë, jo për arna të përkohshme. Po kështu, menaxhimi i mbetjeve dhe infrastruktura e depozitimit të tyre është një plagë që daton shumë përpara mandatit të Dredhës. Të fajësosh atë për problematika që rrjedhin nga dekada të tëra keqmenaxhimi është të kërkosh një fajtor të lehtë, në vend që të adresosh thelbin e problemit.
Për më tepër, është e rëndësishme të kuptohet se menaxhimi i mbetjeve, përmirësimi i infrastrukturës rrugore në qytet apo rrjeti i furnizimit me ujë nuk janë ekskluzivisht në kompetencën e bashkisë. Ato janë pjesë e një rrjeti më të gjerë institucional dhe ndërmarrjesh publike në varësi të Tiranës, që shpesh kanë qenë të paafta për të ofruar shërbime cilësore, pavarësisht drejtuesve vendorë.
Le t’i marrim me radhë:
a. Mungesa e ujit të pijshëm në Vlorë nuk është fenomen i ri. Është një problem që daton dekada më parë dhe që është rrënjosur në infrastrukturën e vjetëruar të qytetit. Rrjeti i ujësjellësit, ndërtuar në një kohë tjetër dhe për një popullsi shumë më të vogël, nuk i përgjigjet më as nevojave të banorëve e aq më pak fluksit turistik të verës. Këto janë sfida që nuk zgjidhen me një vendim të vetëm nga bashkia apo me premtime boshe. Janë çështje që kërkojnë financime shumë më të mëdha se mundësitë e një bashkie dhe ndërhyrje të koordinuara në nivel qendror. Aq më tepër që pavarësisht se bashkia është aksionere te UKV, varësia direkte është nga Tirana.
b. Rrugët e shqyera, për të cilat akuzohet. Në fakt problemi është bërë i padurueshëm dhe trafiku e smogu shumë shqetësues. Por a është gjithçka investim i bashkisë? Apo ka firma të tjera, të cilat punojnë për llogari të institucioneve në varësi të Tiranës? A është përgjegjëse bashkia për gjithçka?
c. Çështja e djegies së mbeturinave është pjesë e një sistemi të dështuar menaxhimi mjedisor, ku për vite me radhë nuk është investuar në impiante të përpunimit, logjistikë të mbledhjes apo në ndërtimin e një kulture të përgjegjshme qytetare. Në shumë raste, djegiet “spontane” janë rezultat i grumbullimeve të paorganizuara, mungesës së mbikëqyrjes në zona të caktuara, por edhe e neglizhencës dhe papërgjegjshmërisë së vetë qytetarëve.
Fillimi i funksionimit të Landfillit të Sherishtës në muajin prill duket se ka zgjidhur një pjesë të problemit, por, jo të gjithin. Në Sherishtë nuk pranohen mbeturinat inerte, të cilat nuk përpunonen dot.
Në të gjithë këtë panoramë ku bashkia dhe pushteti vendor kanë në varësi vetëm taksat, pastrimin dhe gjelbërimin, ndërsa Ujësjellës- Kanalizimet dhe Rruga- Ura varen nga Tirana apo qytete të tjera ç’faj ka Ermal Dredha?
Ai ka pjesën e tij të fajit, por jo të gjithë fajin. Apo duhet një “kokë turku”?
Duhet një “kokë turku” për një administratë të mykur e inefiçente që përton të dalë nga kondicioneri i zyrave në terren?
Duhet një “kokë turku” pse kryetari është më qytetar e tolerant se ç’duhet? Po qytetaria dhe toleranca janë vlera e jo dobësi!
Dhe në këtë panoramë sfiduese, ndërkohë që njerëz të painformuar, kundërshtarë politikë apo edhe “miq partiakë” të tij fërkonin duart nga kënaqësia nga “masakrimi” që i bëhej Dredhës nga portalet që amplifikonin një kritikë të kryeministrit, kryebashkiaku ka zgjedhur një qasje të sinqertë dhe larg populizmit. Ai nuk ka kërkuar të shmangë përgjegjësinë morale, por ka sqaruar me transparencë kufijtë e kompetencave të bashkisë e të tijat, duke treguar vullnet të qartë për të bashkëpunuar me institucionet qendrore për zgjidhje reale. Nën drejtimin e tij, Bashkia e Vlorës ka nisur investime në sistemin rrugor, në rehabilitimin e hapësirave publike, si dhe në rritjen e kapaciteteve institucionale. Dredha po përpiqet që Vlorën ta administrojë jo thjesht si menaxher i përditshëm i një qyteti të zakonshëm, por si menaxher afatgjatë të punojë për një Vlorë moderne, miqësore, të jetueshme dhe qytetare.
Dredha është një administrator realist, që po përpiqet të ndërtojë një themel të qëndrueshëm për një qytet që për shumë kohë ka pasur më shumë marketing sesa menaxhim real. Puna e tij nuk ka qenë gjithmonë e dukshme, sepse shpesh investimet e qëndrueshme nuk prodhojnë efektin e menjëhershëm që kërkojnë titujt mediatikë — por janë pikërisht ato që i duhen Vlorës sot.
Sot, Vlora nuk ka nevojë për një shpëtimtar, por për një drejtues që punon çdo ditë, me këmbë në tokë dhe vizion në horizont.
Në vend që të kërkojmë me ngut fajtorë për probleme që kanë vite që thellohen, le të tregojmë durim, mbështetje dhe realizëm ndaj një kryetari që ka treguar se nuk i shmang sfidat, por përballet me to.
Dhe kjo, në kohët që jetojmë, është ndoshta virtyti më i madh që mund të ketë një drejtues publik.