Në një debat të zhvilluar në emisionin “N’xhiro me Syçin” të gazetarit Ilir Demalia, analisti dhe aktivisti Aulon Kalaja u shpreh me tone të forta kritike ndaj Partisë Demokratike, ndërsa theksoi se suksesi elektoral i disa kandidatëve të Partisë Socialiste tregon dobësinë e opozitës dhe paaftësinë e saj për të ofruar një alternativë reale.
Kalaja vërejti se PD-ja nuk po arrin të kuptojë realitetin politik dhe është e mbyllur në iluzione.
“Janë 300 mijë vota diferencë, nuk janë 30 mijë. Nuk mund të thuash se të janë vjedhur kaq shumë vota. Le të themi që janë vjedhur 40 apo 50 mijë, por 300 mijë nuk vjedhen. PD refuzon të kuptojë gjendjen ku ndodhet,” u shpreh ai.
Ai solli shembullin e një kandidati të PS-së në Durrës që kaloi nga 2.500 vota në 2021 në mbi 21.000 vota në zgjedhjet e fundit, duke lënë pas edhe vetë Edi Ramën në numër votash. Për Kalajën, kjo nuk është domosdoshmërisht një tregues manipulimi, por mungesë konkurrencë nga opozita.
Ai kritikoi faktin që shumë figura në qeveri nuk janë të njohur publikisht, por këtë e lidhi me mungesën e një sistemi vlerash në shoqëri dhe në politikë.
“S’kemi sistem vlerash. Dikush që vjen nga hiçi nuk mund të bëhet lider. Kudo në botë, duhet të tregosh vlera përpara se të marrësh pushtet,” tha Kalaja, duke theksuar se ky fenomen nuk është vetëm problem i mazhorancës, por rrjedhojë e një opozite të paaftë.
Kalaja iu rikthye edhe çështjes së faljes së gjobave para zgjedhjeve, duke thënë se kjo praktikë ishte e gabuar dhe e dënueshme, por ai theksoi gjithashtu se nuk është SPAK që duhet të marrë përsipër korrigjimin e zgjedhjeve, por vetë qytetarët dhe partitë.
“Problemi është që ne nuk dimë të respektojmë shtetin dhe ligjin. Shteti te ne u vra më 1997 dhe kjo pasojë do të na ndjekë gjatë,” shtoi ai.