Sporti profesionist në Itali, e veçanërisht futbolli, është në prag të një revolucioni ligjor që pritet të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si trajtohen marrëdhëniet kontraktuale mes klubeve dhe sportistëve. Një dekret i ri i miratuar nga Këshilli i Ministrave ka sjellë një ndryshim të rëndësishëm në legjislacionin për marrëdhëniet e punës në sportin profesionist.
Në mënyrë specifike, neni 11 i këtij dekreti parashikon që kontratat profesionale mund të zgjasin deri në 8 vite, në vend të kufirit të mëparshëm prej 5 sezonesh që ka qenë në fuqi për afro 45 vite. Një ndryshim me ndikim të madh për mënyrën e funksionimit të klubeve.
Kjo risi u jep mundësinë klubeve që t’i trajtojnë lojtarët si asete afatgjata. Klubet do të kenë më shumë kohë për të përfituar nga investimet e tyre, pasi shpenzimet për kartonin e lojtarëve mund të amortizohen në 8 vite dhe jo më vetëm në 5, duke e bërë më të lehtë menaxhimin financiar.