Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka njoftuar se katër qytetarë të tjerë janë evakuuar me sukses nga Izraeli.
Në një postim në Facebook, Hasani shprehet se, dy prej prej tyre janë evakuuar përmes Jordanisë dhe dy të tjerë përmes Egjiptit. Qytetarët ndodheshin në Izrael për arsye familjare dhe profesionale, të cilët përmes ndihmës nga autoritetet Izraelite, Jordaneze, Egjiptiane dhe Ambasada Austriake në Tel Aviv arritën të ktheheshin në vendin tonë.
“4 qytetarë të tjerë shqiptarë janë evakuuar me sukses nga Izraeli – dy përmes Jordanisë dhe dy përmes Egjiptit – të cilët gjendeshin atje për arsye profesionale dhe familjare. Falënderojme autoritetet Izraelite, Jordaneze, Egjiptiane dhe Ambasadën Austriake në Tel Aviv për koordinimin e ngushtë me ambasadat shqiptare në Tel Aviv dhe Kajro. Vijojmë të ndjekim me përparësi çdo rast të qytetarëve shqiptarë të prekur, të cilët kërkojnë asistencë nga institucionet tona”, shkruan Hasani
Ndërkohë më herët janë evakuuar edhe pesë shqiptarë të tjerë nga ky vend. Për largimin e tyre kanë ndihmuar autoritetet izraelite, Ambasada Greke dhe ajo Bullgare në Tel Aviv, autoritetet egjiptiane, si dhe Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Liban.
Qytetarët shqiptarë të evakuuar mbetën të bllokuar në Izrael pas nisjes së sulmeve të raketave me Iranin.
