HomeKulture"Kandidati për Kandidat" - Komedia e hidhur e një demokracie të deformuar

“Kandidati për Kandidat” – Komedia e hidhur e një demokracie të deformuar

Nga Ahmet Prençi
Pata kënaqësinë të lexoja në dorëshkrim një vepër të veçantë, një tekst që përmes finesës artistike dhe analizës së mprehtë, na përball me një nga realitetet më të ndjeshme të jetës politike shqiptare: farsën e përzgjedhjes së përfaqësuesve të popullit.

Arben Cejku është i njohur për publikun si gazetarë, diplomat dhe analist, si ambasador dhe drejtues projektesh ndërkombëtare, por gjithashtu, dhe kjo është thelbësore për ne sot, ai është shkrimtar.

Ai ka botuar vepra me përmbajtje politike dhe eseistike, ku spikat një analizë e thellë në librin mbi demokracinë e brishtë shqiptare, një libër studimor shumë të rëndësishëm për procesin e shtetformimit në Kosovë, një vëllim poetik, si dhe romanin “Dymbëdhjetë”, që u mirëprit për ndërtimin strukturor dhe ndjeshmërinë e lartë njerëzore.

Sot, ai na sjell romanin “Kandidati për Kandidat”, një tekst që për nga vëllimi, ngarkesa tematike dhe thellësia artistike, mund të konsiderohet lehtësisht një roman në përmasë me efekt të madh politik, shoqërorë e social.

Në romanin “Kandidati për Kandidat”, shkrimtari Arben Cejku sjell një tekst të jashtëzakonshëm në përmbajtje dhe formë, që lëviz me finesë mes satirës, groteskes dhe analizës së thellë politike. Me një gjuhë të pasur dhe një stil të përmbajtur por therës, autori ndriçon një nga pjesët më të errëta të jetës politike shqiptare: mekanizmin e brendshëm të përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë brenda një partie të madhe.

Personazhi kryesor i kësaj novele quhet thjesht “Kandidati për Kandidat”, një qenie pa emër të vetin, që përfaqëson të gjithë ata individë që ndodhen në fazën e përhershme të pritjes, të provimit, të miratimit nga lart.

Ky personazh është një avokat i njohur, me përvojë dhe integritet, që hyn në garën për të përfaqësuar njerëzit në Parlament, duke shpresuar në një proces të drejtë dhe meritokratik. Dhe në fakt, për një çast, duket se e fiton këtë betejë, votat e delegatëve e nxjerrin të parin, përballë rivalëve më të dobët por me lidhje të çuditshme brenda dhe jashtë kupolës së Partisë.

Por fitorja e tij është e përkohshme dhe e brishtë. Në fund, ai përjashtohet në mënyrë të heshtur, me një vendim që nuk mbart asnjë shpjegim logjik apo moral, por vjen si rezultat i presioneve, intrigave dhe pazareve që bëhen larg syve të garës. Kështu, “Kandidati për Kandidat” shndërrohet në simbolin e atyre që munden nga sistemi jo sepse nuk janë të aftë, por sepse janë të aftë në një sistem që përjashton gjithçka që është e drejtë dhe e pastër.

Një nga gjetjet më të rafinuara të autorit është loja me emrat e personazheve, që janë të gjithë figura arketipike me emra të zhdrejtë, ku përplasja mes emrit dhe mbiemrit shërben si metaforë për hipokrizinë e realitetit politik. Kështu kemi:

Pajtim Karari, që shpall paqe por sjell prishje; Qetsor Bubullima, një qetësi që fsheh rrëmuja; Mimoza Lastari, delikatesë që çon drejt zhdukjes; Shpejtim Ngadalsimi, progres i paralizuar; Trendafile Ferra, bukuri që ther; Qendrim Fluturaku, një qëndrim që s’ka qëndrueshmëri, por fluturon nga era.

Kjo përplasje mes emrit dhe funksionit është një teknikë e zgjuar letrare, që i jep tekstit thellësi satirike dhe e vendos në nivelin e alegorisë moderne.

Autori përdor një stil të përmbajtur, të rafinuar dhe të qartë, duke ecur në vijë të hollë mes satirës së mprehtë dhe rrëfimit me nuanca psikologjike. Nuk ka ulërima, por ka një ironi të ftohtë që shpon deri në palcë, dhe që i lejon lexuesit të shohin përtej rrëfimit: të ndjejnë mbytjen e një shoqërie ku dështimi i një kandidati me integritet është më i pritshmi fund.

Në thelb, romani “Kandidati për Kandidat” është një trazim i ndërgjegjes qytetare. Një sinjal alarmi për një demokraci që ruan formën por ka humbur përmbajtjen. Një proces që imiton zgjedhjen, por në fakt prodhon vetëm nënshtrim. Një sistem ku “fitorja” e vërtetë është të mbetesh i pastër, edhe kur humb.

Arben Cejku ka shkruar këtë roman që i tejkalon kufijtë e satirës klasike dhe hyn në territorin e një komedie tragjike politike, ku e qeshura zëvendësohet nga një buzëqeshje të trishtuar, dhe ironia përthith dhimbjen e heshtur të gjithë atyre që janë “kandidatë për të qenë”, por kurrë nuk bëhen pjesë e lojës. Një vepër brilante, që i flet jo vetëm Shqipërisë së sotme, por dhe gjithë shoqërive që përpiqen të bëjnë zgjedhje të lira brenda sistemeve të mbyllura. Një vepër që mbetet, si vetë kandidati, jashtë listës së fituesve zyrtarë, por që hyn në listën e gjatë të kujtesës së lexuesve.

“Kandidati për Kandidat” është një vepër që e lexon me buzëqeshje dhe e mbyll me dhimbje. Një tekst që të bën të mendosh se fitorja më e madhe në një sistem të korruptuar është të ruash nderin edhe kur nuk të japin postin.

Një roman që mbetet – si vetë kandidati – jashtë listës zyrtare të fituesve, por e ngulitur fort në kujtesën e lexuesve.

Faleminderit Arben Cejku, që e kthyet këtë realitet të vështirë në letërsi të bukur. Faleminderit që na dhatë një libër që nuk do harrohet lehtë.

May be an image of text
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular