Mbresa nga një shfaqje e aktorit Dritan Boriçi
Pëllumb Kulla
Qëllon rrallë që diçka e pritur të të sjellë kënaqësinë e të papriturës!…
Një të tillë përkufizim do të përdorja teksa, dilja i mrekulluar nga një shfaqje e kuruar regjisorialisht nga artisti tashmë i mirënjohur dhe sidomos nga loja virtuoze, apo nga interpretimi i shkëlqyer aktorial i vetë atij, Dritan Boriçit.
E ndjej se në këtë paragraf të parë mund të duken si të harxhuara nga unë të gjithë epitetet flakaritëse të fjalorit tim vetjak, por paralajmëroj se fjalori im është aq i pasur sa të plotësojë nevojat e këtij portretizimi artistik.
Janë për një person që e kam të njohur qysh në fëmijërinë e tij në skenat e qytetit të Fierit, ku unë jetova e lumturova mes artistësh të mahnitshëm, më shumë se dy dhjetëvjeçarë, në fund të shekullit që kaloi.

Që atëherë vihej re se magjia e skenës e tërhiqte fort djaloshin Dritan Boriçi drejt ëndrrës.
Ai e ndoqi ëndrrën e tij në Institutin e Arteve në Fakultetin e Dramës dhe në një formë të ndërprerë që mua ma diktoi udha e jetës larg atdheut qëllonte të dëgjoja të flitej për rritjen e këtij aktori të dashur, që e thërrisnin për kryerole, në shfaqjet e tyre regjisorët me emra të ndritur në skenat e Fierit, të Teatrit Kombëtar.
Javën që shkoi unë pata rastin që për dy netë rresht të vete e ta shoh Dritanin në teatrin e Metropolit në një vepërzë, monodramë, në një thuajse monolog, të sjellë nga pena e dramaturgut të shquar amerikan Eugene O’Neil, përkthyer përsosmërisht nga Artur Lena e të paraqitur bukur nga Boriçi me dy bashkëpunëtorët e tij, Mezini dhe Mumajesi, mjaft të këndshëm dhe ata.
Por kërkoj lejen e tyre dhe të madhështisë të O’Neilit, që të ndalem tek personaliteti aktorial i Boriçit, për të cilin u ula të shkruaj.
U ula sepse më ndodhi ajo që nënvizoj në krye të shkrimit që po prisja të shijoja thjesht një lojë aktoriale të bukur… Por, kisha dalë i mahnitur!
Vepërza letrare “Hyji” nuk bën pjesë në veprat e rëndësishme të dramaturgut dhe publiku shqiptar i këtyre ditëve pak mund të tërhiqet nga një karakter i huaj, amerikan, i viteve të para të shekullit të shkuar… Vërtet… Kjo nga mua duket si antipropagandë… Por, ia vlen të vraposh të shijosh shpalosjen e aftësive të një aktori të jashtëzakonshëm… Ia vlen të gëzohesh për teatrin shqiptar që po shton në radhët e emrave të tij të paharruar, me një artist që jo vetëm çka është, por edhe çka premton të bëhet!
Dritan Boriçi është një aktor që zileps me elementët e nevojshëm për të ndritur në qiellin e artit, në skenat dhe ekranet që e thërrasin. Prindërit, natyra dhe vullneti i tij na kanë pasuruar me një fizik të përsosur, me një zhdërvjelltësi e lëvizshmëri plot hir, një bukuri mashkullore e rrallë, me një zë të ngrohtë dhe të fuqishëm për t’i shërbyer tërë nevojave të dhimbjeve dhe protestave njerëzore, me një shqiptim të kulluar, në dashuri me gjuhën që flet… Të bije në sy, se fytyra e Dritanit është e lexueshme, sy transparentë që dëgjojnë… Po, po: sy që dëgjojnë! Dhe nëpërmjet tyre ti lexon mbi portretin e këtij aktori dëgjimin e atij tjetrit përballë. E dëgjonë teksa po fyen, teksa po shpif, teksa shfaq dashuri, apo po rrëfen një ngjarje që e ka parë vetëm ai.

Kur këtyre dhuntire trupore u bashkohet pastaj një sens i shquar humori dhe një dashuri e rrallë për komedinë; një edukim i mirë i shkencës së interpretimit, kultura e pasur e gjinive të tjera të artit dhe letërsisë; stazhet e shumta skenike në lëndinat e emrave të pavdekshëm botërorë si Çehov, Dostojevskij, Tennessee Williams e të tjerëve, ti bindesh që shpresat e tua janë mbi baza të forta.
Këto vihen re edhe në bisedat me Dritanin, edhe në shëtitjet e zgjatura në youtube. Të gëzon fakti që ai i detyrohet mjaft studiove të fakultetit, dimensioneve të thella të shkollës së Timo Fllokos, partneriteti me artistë mbresëlënës si Robert Ndrenika, Fatos Sela apo Yllka Mujo…
U zgjata… Ja ç’më bënë, pas një mungese shumëvjeçare, ato dy prani në shfaqjen e bukur të dramës “Hyji” Këtë herë mes aktorit dhe pjesës i këndova artistit, duke uruar ta shoh këtë artist në një interpretim të shkëlqyer, në një pjesë, ku edhe të jetë pjesa të jetë e shkëlqyer.
E pastaj, uroj Dritan Boriçin të kalërojë në një rrugë të ndritëshme, përpjetë në historinë e skenës dhe të teatrit tonë shqiptar!