Agjencia e lajmeve Reuters raporton për një seri shpërthimesh mbi Doha, kryeqytetin e Katarit. Eshtë vërejtur një “kërcënim i besueshëm iranian” në vend, i cili strehon një bazë të madhe ajrore amerikane. Një raport në SHBA sugjeron se gjashtë raketa janë lëshuar drejt këtij vendi.
Axios, duke cituar një zyrtar izraelit, raporton se Irani ka synuar bazat amerikane në Katar.
Faqja e lajmeve, së bashku me Wall Street Journal, kishin raportuar më parë se Irani po përgatitej të qëllonte me raketa bazat.
Sipas një diplomati perëndimor, të cituar nga agjencia e lajmeve Reuters, që nga mesdita e sotme ka pasur një kërcënim të besueshëm kundër bazës ajrore al Udeid në Katar.
Përveç kësaj, Wall Street Journal raporton se Irani ka pozicionuar lançues raketash për një sulm të mundshëm ndaj forcave amerikane.
Mbyllja e hapësirës ajrore të Katarit është jashtëzakonisht e rëndësishme, dhe vjen vetëm pak orë pasi Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-të paralajmëruan qytetarët e tyre atje të strehohen.
E gjitha kjo vjen pasi SHBA-të kryen sulme ajrore ndaj lokacioneve bërthamore iraniane gjatë fundjavës.
Sistemet e mbrojtjes ajrore të Iranit u aktivizuan për të kapur “objektiva armiqësore” në qytetin Ahvaz, në rajonin jugperëndimor të vendit, raportoi sot agjencia shtetërore e lajmeve Fars.
“Një shpërthim u dëgjua në Ahvazin perëndimor, jashtë zonës urbane, dhe njëkohësisht, sistemet e mbrojtjes ajrore u aktivizuan kundër objektivave armiqësore”, tha Fars.
Rrjeti shtetëror IRIB raportoi gjithashtu se mbrojtja ajrore e Ahvazit ishte aktivizuar, pa dhënë më shumë detaje.
Reagon Katari
Katari ka reaguar pas sulmit iranian ndaj bazës amerikane në Doha, dukë thënë se nuk ka viktima.
Sipas SkyNews, Katari tha se shteti i tyre rezervon të drejtën për t’u përgjigjur drejtpërdrejt dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
“Jemi të sigurt se mbrojtja ajrore e Katarit e pengoi sulmin dhe i ka kapur me sukses raketat iraniane”, thotë deklarata e Katarit.
Sakaq, ata lajmëruan se, një tjetër deklaratë që sqaron rrethanat e sulmit do të lëshohet më vonë nga Ministria e Mbrojtjes.
Reagon Trump
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka reaguar pas sulmeve iraniane ndaj bazave ushtarake të SHBA-së në Katar.
Ai ka shkruar në Truth Social se nga sulmet s’ka pasur as të vrarë e as të plagosur. Trump e falënderoi udhëheqësin e lartë të Katarit “për gjithçka që ka bërë në kërkimin e paqes për rajonin”.
“Irani i është përgjigjur zyrtarisht shkatërrimit të objekteve të tij bërthamore nga ana jonë me një kundërpërgjigje shumë të dobët, ashtu siç e kishim parashikuar, dhe që e kemi neutralizuar me shumë efektivitet. Janë lëshuar 14 raketa, 13 prej tyre janë rrëzuar, ndërsa 1 është “lënë e lirë” pasi po shkonte në një drejtim që nuk përbënte kërcënim. Jam i kënaqur të raportoj se ASNJË amerikan nuk është lënduar dhe dëmet kanë qenë thuajse të papërfillshme”, ka deklaruar Trump fillimisht.
Më pas ai ka lënë të hapur një dritare për negociata duke e falënderuar Iranin që i njoftoi për sulmet.
“Duket se ata e kanë “shkarkuar” gjithë mllefin e tyre, dhe shpresojmë që nuk do të ketë më urrejtje në të ardhmen. Dua të falënderoj Iranin për paralajmërimin e hershëm, i cili e bëri të mundur që të mos humbiste asnjë jetë dhe askush të mos lëndohej. Ndoshta tani Irani mund të ecë drejt paqes dhe harmonisë në rajon, dhe unë do të inkurajoj me gjithë zemër që edhe Izraeli të bëjë të njëjtën gjë”, ka përfunduar Trump.