Shqipëria dhe Kosova janë krah SHBA në sulmin që Presidenti Trump urdhëroi ndaj bazva bardhamore në Iran. Kryeministri Edi Rama ka reaguar në X (ish-Tëitter) për sulmin e SHBA ndaj tre objekteve bërthamore të Iranit. Rama shprehet se regjimi teokratik në Iran prej 70 vitesh bën propagandë kundër vendeve perëndimore dhe madje ka bërë thirrje të hapur për shkatërrimin e tyre. Sipas tij një shtet i tillë nuk duhet lejuar të ketë armë bërthamore. Shqipëria, shton Rama, është përkrah përpjekjeve të presidenti të SHBA-së Donald Trump për të mos lejuar Teheranin të zotërojë armë bërthamore. Irani, nënvizon Rama, nuk është thjesht një shtet tjetër që zotëron armë bërthamore, as edhe një diktaturë me ambicie të tilla. Por kemi të bëjmë me një regjim teokratik, e cila në retorikën e saj ushqen propagandë për fundin e vendeve të lira në mënyrë apokaliptike. Prandaj, mbështesim Trump, thotë Rama që të parandalojë Iranin në ambicie të tilla.
Reagimi i plotë i Ramës:
Ky nuk është thjesht një tjetër shtet me kapacitete bërthamore, as një diktaturë me ambicie për të zotëruar armë të tilla. Është një teokraci, e pajisur me një retorikë apokaliptike, e ngulitur në një traditë shtatëdhjetëvjeçare të etiketimit të kombeve të lira si “satanike”, dhe që bën thirrje të hapura për zhdukjen e tyre. Në çdo drejtim, ky është një përjashtim i rrezikshëm, ndryshe nga çdo shtet tjetër që disponon armë bërthamore, pavarësisht sistemit të tij politik. Si një shtet që ka dalë nga errësira e një regjimi teokratik brutal, dhe një anëtar krenar i botës së lirë dhe si një partner strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipëria shpreh mbështetjen e saj të palëkundur për përpjekjet e Presidentit Trump në ndalimin e regjimit teokratik në Teheran që të zotërojë armë bërthamore.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar lidhur me sulmin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër Iranit.
Në një postim në Facebook të dielën, Kurti ka thënë se siguria ndërkombëtare ka nevojë për më pak armatim nuklear dhe jo më shumë bomba bërthamore që vënë në rrezik gjithë njerëzimin. “Posaçërisht kur shtete autoritare zhvillojnë programe për pajisje me armatim nuklear, kjo çështje bëhet urgjente dhe alarmuese”, ka thënë ai. Ka theksuar se Republika e Kosovës përkrah qëndrimin e SHBA-së dhe të Bashkimit Evropian rreth programit të Iranit për t’u pajisur me armë nukleare. Kurti ka deklaruar se SHBA-ja është aleati kryesor i Kosovës, partneri i pazëvendësueshëm dhe miku special. “Republika e Kosovës është e përcaktuar fuqishëm në mbrojtje të vlerave demokratike dhe euro-atlantike. ShBA-të janë superfuqia demokratike që duhen mbështetur”, ka thënë ai. SHBA-ja ka sulmuar tri objekte bërthamore në Iran. Presidenti amerikan Donald Trump, në një adresim publik, e ka quajtur këtë sulm si “sukses të madh ushtarak”. Ai ka paralajmëruar se do të vazhdojë sulme ndaj objekteve tjera nëse Irani nuk bën paqe. Agjencia Botërore për Energji Atomike ka thënë se aktualisht nuk ka rritje të nivelit të rrezatimit jashtë tri objekteve që janë goditur nga SHBA-ja. Zyrtarët iranianë kanë mohuar pretendimet e Trumpit se objektet nukleare janë shkatërruar.