Majlisi, Parlamenti i Teheranit, “ka arritur në përfundimin se ngushtica e Hormuzit duhet të mbyllet, por vendimi përfundimtar i takon Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare”.
Kështu është shprehur gjenerali i Gardës së Revolucionit, Esmail Kowsari, i cili është anëtar i Komisionit për Sigurinë Kombëtare në Majlis, sipas asaj që raporton televizioni iranian Press TV.
Ngushtica e Hormuzit është një rrugë strategjike për transportin e naftës dhe gazit të lëngshëm natyror.
Si një ‘korridor detar’ midis Iranit dhe Omanit, ajo lidh Gjirin Persik me Gjirin e Omanit dhe Detin Arabik.
Nëse kriza del jashtë kontrollit, skenari më i keq për ekonominë botërore do të ishte një bllokadë nga ana e Teheranit në ngushticën e Hormuzit.
Në këtë rast, ende hipotetik, Arabia Saudite do të mund të eksportonte ende të paktën 5 milionë fuçi në ditë, pak më pak se gjysma e kapacitetit të saj prodhues, përmes tubacionit lindje-perëndim që e lidh drejtpërdrejt me Detin e Kuq dhe Kanalin e Suezit.
Emiratet e Bashkuara Arabe gjithashtu do të mund të vazhdonin të eksportonin një pjesë të prodhimit të tyre.
Më i godituri do të ishte Katari, i cili kalon të gjithë gazin e tij natyror të lëngshëm nëpër ngushticën e Hormuzit.
SHBA i bën thirrje Kinës të bindë Iranin
të mos mbyllë Ngushticën e Hormuzit
Nderkohe Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u bëri thirrje të dielën autoriteteve kineze që të nxisin Iranin të mos mbyllë Ngushticën e Hormuzit, njërës prej rrugëve kryesore në botë për transportim të naftës.

Deklarata e Rubios në emisionin “Sunday Morning Futures with Maria Bartiromo” në Fox News erdhi pasi televizioni shtetëror iranian Press TV raportoi se Parlamenti i Iranit ka miratuar një masë për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth 20% e furnizimit global me naftë dhe gaz.
“Inkurajoj Qeverinë kineze në Pekin që t’i telefonojë [Iranit] për këtë çështje, sepse ata varen rëndë nga Ngushtica e Hormuzit për furnizimin me naftë”, tha Rubio, i cili shërben gjithashtu si këshilltar për sigurinë kombëtare.
“Nëse e bëjnë këtë, do të jetë një tjetër gabim i rëndë. Është vetëvrasje ekonomike për ta. Ne kemi opsione për ta trajtuar, por edhe vendet e tjera duhet ta shohin me seriozitet. Do t’i dëmtonte ekonomitë e tyre shumë më tepër se sa tonën”.
Rubio theksoi se një vendim për të mbyllur ngushticën do të përbënte një përshkallëzim masiv, që do të kërkonte përgjigje nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera./