Përfaqësuesja e Partisë Demokratike, Ilda Zhulali, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka debatuar me gazetarin Ylli Rakipi lidhur me kontestimin që PD i bën zgjedhjeve të 11 majit dhe mungesën e analizës brenda partisë pas humbjes.
Ilda Zhulali: Në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës u diskutua raporti i monitorimit të zgjedhjeve në Shqipëri. Në këtë raport, që kishte gjuhë shumë më kritike se raportet e tjera, u evidentuan probleme jo vetëm ato të evidentuara nga OSBE/ODHIR. Elementi i parë shtesë, krmi i organizuar dhe e dyta mosveprimi i SPAK dhe GJKKO për të parandaluar dhe ndërhyrë në kohë.
Elementët e tjerë, partinë shtet, gjendja e një shteti që është e vështirë ta dallosh ku fillon partia dhe ku mbaron shteti. I gjithë arsenali që është në dorën e shtetit, burimet, mjetet, presioni, joshja dhe çdo lloj forme tjetër, janë përdorur për të tjetërsuar vullnetin e votuesve shqiptarë. Element tejtër, shitblerja e votës, që thuhej edhe në raport është çështje endemike. Të gjithë elementët e marrë sëbashku, problemi i medias, që kanë censurën dhe vetë censurën, sepse u shërbejnë grupeve të lidhura me qeverinë. Përfshihet edhe rasti i Tik Tok një tjetër vendim censure.
Ylli Rakipi: PD i ka humbur zgjedhjet shumë thellë. Ju bëni përgjegjës Ramën. Po brenda partisë tuaj a mban njeri përgjegjësi?
Ilda Zhulali: Duhet të zhvillohet edhe brenda partisë një debat.
Ylli Rakipi: Jo vetëm nuk hapet ky problem fare. Edhe nëse i vjedhin votat 12 vjet…
Ilda Zhulali: Nëse të thuhet se jeton në një vend ku drejtohesh nga partia shtet, a të thotë gjë kjo ty? A ka opozita probleme? Po.
Ylli Rakipi: Dakord, por ne kemi edhe parti-shtet opozitë.
Ilda Zhulali: A mund të kemi ne opozitë të përsosur në kushtet e partisë shtet dhe krimit të organizuar?
Ylli Rakipi: Edhe partia juaj po sillet si parti-shtet brenda opozitës. Bëhet proces rinumërimi, shtyhet edhe koha.
Ilda Zhulali: Në momentin e parë kur PD nuk e mbështeti, pati zhurmë të madhe mediatike. PD tha të çojmë procesin deri në fund dhe hapim diskutim tjetër. Kandidatët… Nuk është PD dhe Berisha që e ka nxitur.
Ylli Rakipi: Nuk ka asnjë analizë brenda.
Ilda Zhulali: Unë e pranova që nuk kemi bërë analizë sepse ne nuk kemi mbyllur procesin.
Ylli Rakipi: Po ju e shtyni qëllimisht procesin. Me këtë rinumërimin dhe pastaj kalon koha.
Ilda Zhulali: Ne kemi nxjerrë shkeljet me video, i kemi çuar në të gjithë organet siç parashikon ligji. Kemi informuar OSBE ODHIR. Kemi siguruar që në shtator të vijë një mision fakt mbledhës për zgjedhjet. Pse do të vijnë? Nëse nuk ka gjë për tu shqëtësuar ata nuk vijnë. Legjitimiteti i këtij procesi është ende në diskutim, nuk e ka marrë Rama këtë mandat për ta gëzuar. Opozita duhet të bëjë çdo përpjekje që të shkojë në kërkesën për ripërsëritjen e zgjedhjeve, me një qeveri kujdestare. Në Maqedoninë e Veriut u shtynë tre herë zgjedhjet. Partia e Gruesvskit e sfidonte opozitën, thoshte hajde shkojmë në zgjedhje se e dinte që fitonte. Ndërhyri BE dhe SHBA dhe tha duhet qeveri teknike. BE dhe SHBA thanë rëndësi kanë kushtet e zgjedhjeve. U shty tre herë data derisa u krijuan kushtet e garës së barabartë, që të kenë zgjedhjet kuptim. Këtë kërkojmë ne. Mendojmë që të paktën, e kemi futur këtë proces në një hulli që nuk e kemi patur para zgjedhjeve.