Kredo.al, në bashkëpunim të ngushtë me Fshatin SOS Shqipëri, vijon të angazhohet në mbështetjen e komuniteteve në nevojë përmes projekteve që nxisin edukimin profesional, me fokus të veçantë tek të rinjtë dhe gratë në situata të vështira. Ky bashkëpunim synon të krijojë mundësi reale për punësim dhe vetëpunësim, duke pajisur përfituesit me aftësi konkrete që i ndihmojnë të ndërtojnë një të ardhme të qëndrueshme dhe të pavarur.
Që nga fillimi, projekti i përbashkët i mbështetur nga Kredo.al dhe Fshati SOS Shqipëri ka ecur në përputhje me objektivat e parashikuara, duke garantuar pjesëmarrje aktive të grave dhe vajzave të margjinalizuara, përfshirë edhe të mbijetuarat e dhunës në familje. Ato kanë përfituar trajnime profesionale në fusha që u mundësojnë të jenë më të pavarura dhe, pse jo, të nisin rrugën e sipërmarrjes. Gjithashtu, kanë përfituar këshillim karriere, që i ka ndihmuar të jenë të përditësuara me kërkesat e tregut të punës dhe mundësitë që ai ofron.
Rezultatet e deritanishme të projektit përfshijnë:
- Trajnimin profesional të 20 grave dhe vajzave në artizanat;
- 8 pjesëmarrëse që kanë aplikuar për pozicione pune, duke përdorur njohuritë dhe aftësitë e fituara;
- Organizimin e 4 seancave këshillimi për punësim dhe zhvillim profesional;
- Zgjerimin e bashkëpunimit me kompani private dhe qendra trajnimi, për të shtuar mundësitë për punësim dhe praktikë profesionale.
Një ndër sfidat më të theksuara ka qenë mungesa e vetëbesimit për të ndërmarrë hapa drejt karrierës. Kredo.al dhe Fshati SOS Shqipëri kanë organizuar seanca motivuese dhe kanë prezantuar histori suksesi të grave që kanë kaluar situata të ngjashme, me qëllim fuqizimin emocional dhe profesional të pjesëmarrëseve.
Përballë vështirësive të tregut të punës dhe kërkesave të larta për eksperiencë apo certifikime, ky projekt ka forcuar rrjetin e bashkëpunimit me sektorin privat, duke krijuar ura të reja për integrimin e grave në tregun formal të punës.
Kredo.al, në partneritet me Fshatin SOS Shqipëri, mbetet e përkushtuar në mbështetjen e nismave që nxisin përfshirjen sociale dhe zhvillimin ekonomik të shtresave në nevojë, duke kontribuar konkretisht në forcimin e kohezionit shoqëror dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në komunitet.




