HomeAktualitetPa ujë, zhurma betonierësh, informalitet…/Rrahman Kasa, kreu i “Unionit Turistik Shqiptar sjell...

Pa ujë, zhurma betonierësh, informalitet…/Rrahman Kasa, kreu i “Unionit Turistik Shqiptar sjell anën tjetër të turizmit shqiptar

Rrahman Kasa, kreu i “Unionit Turistik Shqiptar” ka bërë në faqen e tij në Facebook një shkrim të gjatë për ato që ai i konsideron si kërcënime të këtij sektori. Ai thotë se ka propozuar mbajtjen e një takimi të shoqatave të turizmit me ministrinë e linjës, por edhe nga ministria e Transportit, drejtoria e kufirit dhe migracionit, drejtoria e policisë rrugore, drejtoria e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, etj.

“Aktualisht disa vende të rajonit po ballafaqohen me reduktim të numrit të turistëve, për shkak të vetëkënaqësisë së tyre dhe të mungesës së vëmendjes ndaj problematikave të sektorit, të cilat nëse nuk do merren masa edhe ne mund të kemi të njëjtën situatë në vitet në vazhdim” – shkruan Kasa që më pas rendit edhe disa nga problemet kryesore. Një prej tyre janë ndërtimet që vijojnë gjatë sezonit dhe ambientet e rrënuara në disa zona turistike të vendit.

“Në mjaft zona, turisti ballafaqohet me një ambient në ndërtim, të pakuruar dhe të papastër. Me e theksuar kjo dukuri është në zonën bregdetare të Golemit e cila është kthyer në një kantier ndërtimi. Partnerët ndërkombëtarë të cilat kanë kontraktuar hotelet që ndodhen në këtë zonë janë tejet të shqetësuar nga situata, pasi zona e Golemit aktualisht është në një situatë katastrofale, e mbuluar nga inertet dhe e mbushur me vinça, kamionë, ekskavatorë të cilët punojnë në mes të sezonit dhe turistet e huaj kanë ankesa për zhurmat, për pluhurin, për rrugët e bllokuara nga automjetet dhe autobusët turistikë janë të detyruar që t’i zbresin turistët shumë larg nga hoteli dhe detyrohen të tërheqin valixhet 300-400 metra në rrugët me gurë dhe inerte, ku shpesh herë na janë shprehur me ironi, që duhet t’i kishim porositur që të merrnin me vete kasketa dhe rroba pune dhe jo rroba plazhi” – shkruan Kasa.

“Mungesa e ujit, e cila kohet e fundit është kthyer në një shqetësim të madh për bizneset gjatë sezonit veror, kryesisht në zonën e Golemit dhe në bregdetin e jugut” – është një tjetër problem që ngre ai. Më pas propozon ngritjen e një task force kundër informalitetit.

“Me qëllimin e mirë për të mos lejuar informalitetin dhe në qëllim të rritjes së cilësisë së shërbimit, të rritjes së standardeve dhe të rritjes së imazhit turistik të vendit kemi propozuar në krye të herës ngritjen e një Task Force e cila të monitoroje dhe të luftojë këto fenomene te dëmshme, që ndikojnë, si në imazhin turistik të vendit, ashtu edhe në të ardhurat në arkën e shtetit dhe mbrojtjen e bizneseve nga konkurrenca e pandershme (dhe jo si ajo që pretendojnë autoritetet që në fakt është Komiteti i Menaxhimit të Sezonit Turistik) që sipas ligjit ka të bëjë vetëm me politikat e menaxhimit dhe nuk funksionon si një strukturë më vete për të luftuar informalitetin dhe veprimtarinë e palicencuar dhe konkurrencën e pandershme” – shkruan ai.

Kasa nënvizon se ka ofrues shërbimesh si Agjenci Udhëtimesh, udhërrëfyes turistikë që nuk respektojnë rregullat dhe standardet. “Guida të huaja që operojnë në informalitet të plotë, të cilët ofrojnë shërbime joprofesionale dhe të një cilësie të ulët, duke ndikuar në sigurinë e turistëve dhe në imazhin e vendit. Transportues turistikë, që nuk respektojnë kriteret ligjore dhe shumë mjete operojnë pa standarde dhe janë te pacertifikuara” – shkruan ai.

“Ka dhe një faktor tjetër që ndikon në shkallën e lartë të informalitetit në turizëm, ku sipas INSTAT del që vetëm 1 ne 5 vizitorë ka qëndruar në një nga strukturat akomoduese. Informaliteti kryesisht në AirBB, shtëpitë pritëse, bujtina etj. Këto dhe të tjera mund të ishin parandaluar në qofte se do merrej në konsiderate propozimi ynë për të ngritur një Task Force për këtë qëllim, e cila edhe në koordinim me zyrat e posaçme mund të evidentoje subjektet e parregullta, të kontrollojë në distancë targat e mjeteve të rregullta dhe të ndalohen autobusët që janë në shkelje të ligjit, pasi ka shumë mjete jashtë standardeve që mund të rrezikojnë jetën e turisteve dhe çdo incident apo mungese profesionalizmi ndikon drejtpërdrejt në imazhin turistik të vendit” – shkruan Kasa.

Më pas ai vë theksin te mungesa e burimeve njerëzore dhe një stafi të kualifikuar për shërbime turistike.

“Mungesa e burimeve njerëzore për turizmin është bërë një nga problemet me shqetësuese. Gjatë vitit 2024 industria e turizmit dhe udhëtimeve ka gjeneruar në mënyrë direkte 93 500 vende pune, duke zënë kështu 7.7% në punësimin total, ndërkohë që për vitin 2025 ka nevojë urgjente edhe për 20 000 vende të reja pune. Burokracia për pajisjen e punonjësve të huaj me leje qëndrimi.

Siç përmendem dhe me lart aktualisht sektori ka nevojë direkte për rreth 20 000 punonjës të rinj, të cilët bizneset po i sigurojnë nëpërmjet tregjeve të huaja të punës, kryesisht nga Azia dhe Afrika, por po ndeshen në barrierat e zyrave lokale të emigracionit të cilat zvarrisin pajisjen me leje qëndrimi për këta punonjës që në fakt janë të kontraktuar nga bizneset me kontrata të rregullta punësimi. Kjo ka bërë që mjaft biznese, kryesisht hotele të përballen me mungesë stafi dhe për pasoje me mungesë shërbimi, gjë që po ndikon negativisht në imazhin e turizmit” – shkruan ai.

“Mbingarkesa e infrastrukturës rrugore, janë disa segmente turistike, të cilat tashmë nuk po e përballojnë dot fluksin që gjenerohet, sidomos në akset që të çojnë nëpër destinacione të rëndësishme turistike, siç janë lumi i Shalës, Shëngjini, Ksamili, etj. duke krijuar një ndikim negativ për këto destinacione” – shkruan Kasa që më pas kërkon rritje të investimeve publike.

“Aktualisht investimet në turizëm nuk janë në përpjestim të drejtë krahasuar me atë që prodhon turizmi për ekonominë. Ne mendojmë që për te zgjeruar me tej potencialin turistik te vendit, por dhe për të zgjidhur një pjese të problemeve të sipërpërmendura duhet që së paku investimet publike në këtë sektor të kapin vlerën e 20% të të ardhurave të gjeneruara nga turizmi.

Rritja e mëtejshme e investimeve nga ana e shtetit duhet të jetë prioritare, kryesisht në zgjerimin dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore për të trajtuar me efikasitet fluksin e shtuar të turistëve, por edhe për të bërë të mundur aksesimin e më shumë atraksioneve turistike, te cilat janë akoma të paaksesueshme, duhet investuar në subvencionimin e sektorit te turizmit, sidomos për subvencionimin e stafit te strukturave akomoduese në bregdet në mënyrë që të mos ekzistojë më koncepti i turizmit sezonal, i cili garanton vazhdimin e një pune permanente të stafit.

Këto investime afatshkurtra së bashku me përmiresimin e politik-bërjes do të na garantojnë që të ruajmë imazhin e mirë dhe trendin rritës për turizmin, pasi konkurrenca është shumë e fortë dhe çdo gabim do të na kushtojë shtrenjtë dhe nëse nuk tregohet kujdes, shifrat mund te na kthehen në bumerang përgjate viteve në vazhdim” – shkruan ndër të tjera Kasa që ngre alarmin për rritje të vlerësimeve negative nga të huajt.

“Të gjitha këto na është vënë në dukje nga partnerët ndërkombëtare që operojnë në Shqiperi, të cilët nisen nga referencat e klientëve të tyre, ku sipas vlerësimit në rrjetet e tyre të brendshme, këtë vit është rritur dukshëm numri i “review” negative për Shqipërinë.
Vërtet ne kemi disa pika të forta që kanë ndikim në rritjen e numrit të turisteve, siç janë: turizmi patriotik, diaspora e madhe që ka Shqipëria për shkak të emigracionit, konkurrenca e çmimeve, mikpritja dhe kulinaria, atraksionet natyrore, trashëgimia historike dhe arkeologjike, vend në eksplorim dhe mundësia e kombinimit dhe diversifikimit të paketës turistike me një prekje të vetme, shtimi i linjave direkte me fluturime “low cost”, të cilat kanë bërë që Shqipëria të bëhet më e aksesueshme për të gjithë llojet dhe buxhetet e turistëve të huaj, sidomos e turizmit individual që zë mbi 85% të numrit të përgjithshëm të turisteve që vizitojnë Shqipërinë” – shkruan Kasa.

Në fund ai i kërkon edhe biznesit të bëjë më shumë kujdes në rritjen e cilësisë së shërbimeve, në politikat e çmimeve, në menaxhimin sa më të mirë të biznesit të tyre nga profesionistë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular