Në një nga zonat më të zhvilluara turistike në jug të vendit, OSHEE Group ka nisur një investim energjetik të rëndësishëm, ndërtimin e nënstacionit të ri elektrik në Xarrë, që pritet të jetë funksional brenda tremujorit të parë të vitit 2026, përpara afatit zyrtar të përfundimit.
Punimet për ndërtimin e këtij objekti strategjik nisën në janar 2024 dhe janë pjesë e një programi më të gjerë të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) për përmirësimin e infrastrukturës energjetike në jug të Shqipërisë.
Gjatë inspektimit të punimeve, zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga administratori i OSSH-së, Blendian Dalipi, theksoi rëndësinë e këtij investimi jo vetëm për njësitë e shërbimit dhe bizneset gjatë sezonit turistik, por dhe për zhvillimin e bujqësisë në këtë zonë.
“E gjithë zona e jugut e shumëfishon numrin banorëve nga maji në tetor. Është një zonë e rëndësishme dhe sa i takon bujqësisë.
Nënstacioni i ri i Xarrës vjen si kërkesë jo vetëm e bashkisë por dhe nga aktorët e zhvillimit ekonomik dhe turistik të zonës, sic janë njësitë e bujqësisë të ngritura në zonë serat, fermat e ullishteve, agrumeve”, tha ministrja Balluku.
Me fondet e OSSH, NST i Xarrës 110/20 kV ka një fuqi të instaluar prej 50 megavoltamperësh (MVA), duke zëvendësuar nënstacionin ekzistues të Livadhjasë, ndërtuar në vitin 1966.
Administratori i OSSH-së Blendian Dalipi tha se dalja nga një infrastrukturë e tejkaluar nga koha, drejt një rrjeti modern do të sjellë një 8-fishim të kapacitetit për zonën dhe do të rritë në mënyrë drastike sigurinë dhe qëndrueshmërinë e furnizimit me energji elektrike.
“Ky është një nënstacion parësor që do të furnizojë në të ardhmen gjithë zonën e Ksamilit. Do të realizojmë një lidhje unazore me linjat e ardhura nga nënstacioni i Sarandës, duke rritur kapacitetet e rrjetit dhe duke shmangur ndërprerjet,” tha Dalipi.
Aktualisht, më shumë se 7 mijë abonentë përfitojnë drejtpërdrejt nga ky investim. Por përllogaritjet sipas strukturës mesatare të familjeve shqiptare, e çojnë përfitimin në rreth 27 mijë banorë, përfshirë edhe ata sezonalë që frekuentojnë zonën gjatë muajve të verës.
Përveç rritjes së kapaciteteve, projekti i ri sjell një siguri më të lartë në furnizim, duke shmangur problemet e dikurshme të shkaktuara nga stuhitë apo mbingarkesat.
Ndërtimi i nënstacionit të Xarrës është pjesë e një rrjeti të ri investimesh në jugun e Shqipërisë.
Në Vlorë, po ndërtohet nënstacioni i Akërnisë, i cili do të mbulojë me kapacitet të plotë zonat e Zvërnecit, Nartës dhe deri te Uji i Ftohtë e aeroporti i ri.
Investimi do të shoqërohet me linja të reja për të përballuar ngarkesën dhe për të shmangur problemet me furnizimin.
Në zonën Orikum–Radhimë po finalizohen dy fidera të rinj, të cilët do të hyjnë në punë brenda këtij muaji, duke zëvendësuar linjat ajrore ekzistuese.
Në vijën bregdetare nga Palasa në Himarë, po realizohet kalimi i rrjetit nga linja ajrore në rrjet kabllor në pjesën më të madhe të zonës.
Ky investim pritet të përfundojë brenda qershorit, ndërsa fshatrat përreth do të përfshihen në fazat e ardhshme brenda kësaj vere.
Qendra e Himarës, Livadhe dhe Jala po kalojnë në rrjet tërësisht kabllor, ndërsa në fshatin Qeparo është përfunduar rrjeti i ri dhe janë instaluar linjat ABC, të cilat sigurojnë tension stabil dhe furnizim të pandërprerë.
Në Borsh, ku verën e kaluar u shfaqën vështirësi, punimet po përfundojnë përpara afatit, duke premtuar një situatë krejtësisht më të mirë për këtë sezon.
Po ashtu, ka nisur ndërtimi i nënstacionit të ri në Bunec, që do të rrisë ndjeshëm garancinë e furnizimit për Sarandën dhe Borshin në vitet në vijim.
Në Sarandë, janë rikonstruktuar dy fidera kryesorë për të mbuluar nevojat e përdoruesve ekzistues dhe atyre të rinj që kërkojnë lidhje me rrjetin.
Zona e Ksamilit, që më parë furnizohej nga vetëm një linjë 20 kV, do të përfitojë gjithashtu nga zgjerimi dhe shtimi i kapaciteteve të rrjetit, për të përballuar fluksin e turistëve dhe konsumatorëve sezonalë.