Nga Bujar Leskaj/Fjala në seancën e sotme plenare ne Kuvendin e Shqiperise
Data 27 qershor është një ditë me rëndësi të veçantë në kalendarin kombëtar shqiptar. Në vitin 1994, Kuvendi i Shqipërisë e shpalli këtë datë si “Ditën e përkujtimit të gjenocidit të shovinistëve grekë ndaj shqiptarëve të Çamërisë”, duke njohur kështu një plagë të hapur të historisë sonë kombëtare.
Kujtoj me mirënjohje Prof.Abedin Elmazi, Ish-deputet i Vlorës, si iniciatori kryesor dhe lobues i përfshirjes së 27 qershorit në kalendarin kombëtar.
Çështja çame është një nga dramat më të mëdha të historisë moderne shqiptare. Ajo përfshin dy periudha kritike:
1923–1925: Spastrimi i parë, ku mijëra shqiptarë myslimanë të Çamërisë u dëbuan nga trojet e tyre.
1944–1945: Spastrimi përfundimtar, i orkestruar nga gjenerali grek Napoleon Zerva, përmes një fushate të gjenocidit të mirëfilltë: masakra, përdhunime, shkatërrim i pronave dhe dëbime me dhunë.
Kjo strategji shoviniste u bazua në doktrina nacionaliste dhe përmbush të gjitha kriteret për t’u cilësuar si gjenocid, ku mbi 5 mijë çamë u vranë, pjesa më e madhe gra, pleq dhe fëmijë.
Pas 81 vitesh, çështja çame mbetet ende e pazgjidhur. Shteti grek jo vetëm që nuk e njeh gjenocidin, por refuzon të pranojë edhe vetë ekzistencën e komunitetit çam. Sot, në trojet e tyre jetojnë ende 70–100 mijë çamë ortodoksë, të cilëve u mohohet çdo e drejtë etnike dhe janë në proces të thellë asimilimi.
Shqipëria, nga ana tjetër, për këto 34 vite demokraci nuk ka arritur të ndërtojë një strategji të qartë diplomatike për këtë çështje. Megjithëse Parlamenti miratoi një rezolutë në 2004 dhe ligje të mëparshme e përcaktojnë këtë plagë si çështje zyrtare, përpjekjet kanë qenë minimale.
Dy janë drejtimet ku shteti shqiptar duhet të përqendrojë përpjekjet:
1. Ngritja zyrtare e çështjes çame në tryezat dypalëshe me Greqinë, si një çështje legjitime dhe e pazgjidhur.
2. Përfshirja e çështjes në dokumente strategjike, si Traktati i Miqësisë (1996) dhe deklaratat e partneritetit me shtetet fqinje dhe BE-në.
Shqipëria ka të drejtën sovrane, si anëtare e NATO-s dhe OKB-së, të kërkojë kthimin e pronave, njohjen e identitetit dhe dëmshpërblimin për pasuritë e shfrytëzuara padrejtësisht.
Për ironi të historisë, edhe në Shqipëri çamët nuk gjetën drejtësi. Regjimi komunist i Enver Hoxhës i shfrytëzoi për interesa politike dhe më pas i persekutoi me egërsi. Propaganda fliste për ndihmë, por në realitet ndihma më e madhe erdhi nga UNRRA, me rreth 1.45 milionë dollarë në atë kohë – ndërkohë që shteti shqiptar i jepte vetëm 250 gramë bukë në ditë. Mijëra prej tyre vdiqën nga uria dhe sëmundjet.
Çamët refuzuan të bëheshin pjesë e luftës civile greke, duke mbrojtur vetëm flamurin shqiptar. Ky qëndrim i ndershëm u hakmor nga regjimi, me ndryshim të shtetësisë në vitin 1953, ndëshkime të shumta, burgime, internime, madje dhe vrasje të maskuara si vetëvrasje apo aksidente.
Familja Sejko është shembulli më i qartë i këtij persekutimi të dyfishtë: nga grekët dhe nga shqiptarët. Teme Sejko, hero partizan dhe admiral, u dënuar me vdekje si “armik”, ndërsa familja e tij u asgjësua në mënyrën më çnjerëzore. Djali Sokol u pushkatua, bashkëshortja vdiq në rrethana të dyshimta, djali tjetër Edmond kaloi jetën në burgje.
Regjimi i Enver Hoxhës shpiku tezën famëkeqe se “çamët janë të pabesë”, një stigmë e padrejtë dhe kriminale.
Sot, brezi i ri duhet të dijë emrat e atyre që mbollën urrejtjen ndaj çamëve: Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Beqir Balluku, Ramiz Alia,Rita Marko, Mihallaq Ziçishti, Nevzat Haznedari, Sulë Baholli e të tjerë.
Disa nga pasardhësit e tyre janë ende aktivë në politikë dhe kërkojnë votën e qytetarëve. Kujtesa historike nuk është hakmarrje – është ndërgjegje kombëtare.
Çamëria nuk është vetëm një krahinë. Ajo është një kujtesë historike, një amanet, një detyrim që s’mund të shtyhet më tej në harresë. Përballë historisë, drejtësia nuk parashkruhet. Dhe një popull që nuk kujton të kaluarën, rrezikon ta përsërisë atë.
Unë e kam në zemër. Dhe dua ta kemi në agjendën zyrtare të shtetit shqiptar. Në diplomaci. Në tekstet shkollore. Në debatin publik. Në ndërgjegjen e çdo shqiptari.
Nuk ka paqe të qëndrueshme me një fqinj që s’të njeh plagët. Nuk ka dinjitet kombëtar pa përballje me të kaluarën. Nuk ka shtet serioz pa mbrojtje të qytetarëve të vet, brenda dhe jashtë kufirit.